Kërko

 Delegacioni i Komisionit të Rabinatit të Madh të Izraelit Delegacioni i Komisionit të Rabinatit të Madh të Izraelit 

Vatikan: punohet mbi një tekst ndërfetar kundër eutanazisë dhe vrasjes së asistuar

Në Vatikan punohet mbi një tekst ndërfetar kundër eutanazisë. Njoftimin e jep Komisioni dypalësh i delegacioneve të Rabinatit të Madh të Izraelit dhe të Selisë së Shenjtë, në përfundim të takimit në Romë. Papa “e bekon” nismën.

R. SH. - Vatikan

Të krishterë dhe hebrenj, duke përfshirë edhe një përfaqësi të myslimanëve, po përgatisin një dokument ndërfetar lidhur me fundin e jetës, me vëmendje të posaçme përqendruar  “mbi rrezikun e ligjësimit të eutanazisë dhe vetëvrasjes mjekësore të asistuar, në vend të sigurimit të mjekimeve paliative, që lehtësojnë dhimbjen dhe respektimit të plotë të jetës, si dhuratë e Zotit”.

Sipas njoftimit të Vatikanit, Papa Françesku e bekoi nismën, për të cilën u vu në dijeni gjatë audiencës private të së hënes së kaluar me anëtarët e Komisionit dypalësh të Delegacionit të Rabinatit të Madh të Izraelit dhe komisionit të Selisë së Shenjtë për marrëdhëniet ndërfetare me Hebraizmin, që u mblodhën në Romë, nga 18 deri më 20 nëntor, për të reflektuar mbi temën: “Dinjiteti i njeriut: mësimet e hebraizmit dhe të katolicizmit, që kanë të bëjnë me fëmijët”.

Françesku, duke i takuar në Pallatin Apostolik, i siguroi për angazhimin e tij personal në këtë fushë si dhe për progresin e marrëdhënieve ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve, duke pohuar: “Ne jemi vëllezër e bij të një Zoti të vetëm e duhet të punojmë së bashku për paqen, dorë për dorë”.

Në përfundim të punimeve anëtarët e Komisionit -  të kryesuar, për palën hebraike nga Rasson Arusi; për palën katolike, nga kardinali Peter Turkson, kryetar i Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor - bënë një deklaratë të përbashkët, në të cilën, si ripohojnë parimet e pacënueshmërisë së jetës njerëzore dhe të dinjitetit të paprekshëm të njeriut, duke nisur që nga Deklarata e të Drejtave Universale të Fëmijës, nënvizojnë: “Kemi një detyrë të veçantë ndaj anëtarëve më të ligështë të bashkësive tona, e, në veçanti, ndaj fëmijëve, garantë të breznive të ardhshme, që nuk janë ende në gjendje t’i shprehin të gjitha aftësitë e tyre e të mbrojnë vetveten”.

“Respektimi i dinjitetit të fëmijëve - lexohet në dokument - duhet të shprehet duke u ofruar një seri stimujsh e mjetesh për zhvillimin e aftësive të tyre të reflektimit e të veprimit”. Është e nevojshme, prandaj “që fëmijët jo vetëm të ndjehen objekt i vëmendjes së përshtatshme e plot me dashuri, por edhe ata vetë të angazhohen aktivisht, në mënyrë që aftësitë e tyre njohëse e praktike të zhvillohen në mënyrë normale”.

Që e gjithë kjo të realizohet “duhen kultivuar marrëdhënie të vërteta e të qëndrueshme, t’u sigurohet ushqimi i përshtatshëm, shëndeti e mbrojtja, ashtu si edhe edukimi i nevojshëm fetar e shkollor, mësimi informal e kultivimi i aftësive krijuese” - pohojnë të dy delegacionet.

I drejtohen, pastaj, shoqërisë në tërësinë e saj, e në veçanti, prindërve, mësuesve e prijësve fetarë, të cilët “kanë përgjegjësi të veçantë për pjekurinë morale dhe shpirtërore të fëmijëve”.

Njëkohësisht anëtarët e Komisionit theksojnë lidhjen ndërmjet angazhimit për të garantuar lirinë e plotë të veprimit, e atij për të siguruar mbrojtje  e udhëheqje të urtë. E gjithë kjo - shkruajnë - kërkon të hiqet dorë nga çdo manipulim i tjetrit, dinjiteti i të cilit duhet konsideruar qellim në vetvete e për vetveten”.

Hebrenj e katolikë mendojnë se për t’u siguruar më të vegjëlve një zhvillim të shëndoshë shpirtëror, ka rëndësi të veçantë t’i familjarizosh  me trashëgiminë e përbashkët biblike. Komisioni e shikon si detyrë që të studjohen në bashkësitë përkatëse këto tekste të përbashkëta të Shkrimeve Shenjte”. Veç kësaj - përfundojnë: “Mësimet e Nostra aetate dhe dokumenteve të mëpasme të kësaj natyre mbi marrëdhëniet hebraiko-kristiane, duhen njohur gjerësisht, në mënyrë që t’i japin shtytje të re pajtimit të bekuar dhe bashkëpunimit ndërmjet hebrenjve e katolikëve, në dobi të besimtarëve dhe të mbarë shoqërisë”.

23 nëntor 2018, 16:12