Hinduistë në lutje Hinduistë në lutje 

Të krishterët e hinduistët: në mbrojtje të njerëzve të ligshtë

Me rastin e festës së Deepavali-t, që kremtohet më 7 nëntor, Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar i dërgoi hinduistëve një mesazh, përmes të cilit urohet të bëhet një përpjekje kolektive “për t’u siguruar të sotme të gëzueshme e të ardhme plot shpresë njerëzve më të ligshtë”.

R. SH. - Vatikan

“U forcoftë fryma e miqësisë dhe e vëllazërisë ndërmjet hinduistëve” dhe “pastë sa më shumë paqe e gëzim në familjet dhe bashkësitë e tyre”. Ky urimi, që e lexojmë në mesazhin, me titull: “Të krishterë e hinduistë, në mbrojtje të njerëzve më të ligshtë të shoqërisë”, nënshkruar nga sekretari i Këshillit Papnor për Dialogun ndërfetar, imzot Miguel Angel Ayuso Guixot, për festën  e Deepavali-t, që do të kremtohet më 7 nëntor. Deevapali  do të thotë “radhë llambash me vaj” e, sipas traditës, kremton fitoren e dritës mbi errësirën, të së vërtetës mbi gënjeshtrën, të jetës mbi vdekjen, të së mirës mbi të keqen. Fitore e dëshiruar nga njerëzit vullnetmirë të të gjitha feve.

Së bashku, për dinjitetin e të varfërve

Duke kujtuar provat e përditshme, që duhet të përballojnë të varfërit, të shtypurit, viktimat e shpërdorimeve e të dhunës, imzot Ayuso Guixot nënvizon se “në këto rrethana shqetësuese”, hinduistë e të krishterë së bashku, janë të thirrur të angazhohen për t’i mbrojtur e për t’i ndihmuar  këta njerëz. Detyra morale e kujdesit për njerëzit e lënduar nga jeta– lexohet në mesazh - buron nga që besojmë se të gjithë jemi krijesa të Zotit e, si pasojë, vëllezër e motra, me të njëjtin dinjitet, që duhet t’ia mbrojmë njëri-tjetrit, duke bërë ç’është e mundur për t’ia lehtësuar vuajtjet, për t’ia mbrojtur të drejtat e për t’ia rikthyer dinjitetin e nëpërkëmbur”.

Më shumë përpjekje për kulturën e kujdesit

Ndonëse përpjekjet tona duken si pika uji në oqean - shkruan sekretari i Këshillit Papnor për Dialogun ndërfetar - ka shumë rëndësi, siç na e kujton Papa Françesku në Mesazhin për Ditën II Botërore të të varfërve “ta hapim portën e zemrës e të jetës, për t’i ndjerë si miq e familjarë”. “Vëmendja e bashkëpunimi - lexohet në tekst - janë të nevojshme për të ushqyer kulturën e kujdesit e të përfilljes”. Një përpjekje kolektive, pra,  e të gjithë njerëzve vullnetmirë “për t’u siguruar të sotme të gëzueshme e  ardhmëri plot shpresë vëllezërve, që jetojnë në kushte të vështira”.

04 nëntor 2018, 16:01