Kërko

 Fëmijë palestinez në kampin e refugjatëve të Younis Fëmijë palestinez në kampin e refugjatëve të Younis  

Selia e Shenjtë: të ndihmohen më shumë refugjatët palestinezë. Po, dy shteteve!

Selia e Shenjtë pohon se mbështet pa asnjë kusht rrugëzgjidhjen e dy shteteve, parë si udha e vetme dhe afatgjatë, që duhet përshkuar për të zgjidhur problemin e mungesës së nënshtetësisë të popullit palestinez.

R. SH. - Vatikan

Selia e Shenjtë pohon se mbështet pa asnjë kusht rrugëzgjidhjen e dy shteteve, parë si udha e vetme dhe afatgjatë, që duhet përshkuar për të zgjidhur problemin e mungesës së nënshtetësisë të popullit palestinez. Njëkohësisht i kërkon bashkësisë ndërkombëtare t’i mbështesë përpjekjet e Unrwa, Agjensisë së OKB-së për ndihmën dhe punësimin e refugjatëve palestinezë të Lindjes së Mesme.

Unrwa sot duhet të përballojë defiçitin e saj më të madh të financimeve - pohoi imzot Bernardito Auza, nunc apostolik dhe Vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së - duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

I pazëvendësueshëm, roli i Unrwa për refugjatët palestinezë

Kryeipeshkvi e vlerësoi punën e OKB-së në favor të 5,6 milionë refugjatëve palestinezë: “Vetëm në Gazë, ku papunësia arrin në 43% - vërejti - Unrwa ofron vende pune për 13. 000 vetë”. “Në një situatë, në të cilën nuk shihet kurrfarë rrugëzgjidhjeje, Agjencia - sipas prelatit - mbetet mjeti më i mirë për të shmangur thellimin e krizës, gjë që do të ishte një barrë e re, e rëndë, për bashkësinë ndërkombëtare”. Nunci vuri theksin mbi defiçitin e madh prej 200 milionë dollarësh të financimeve, regjistruar në kasat e Unrwa: “Nevojat – theksoi - janë më të mëdha se kontributet financiare vullnetare. Prandaj bashkësia ndërkombëtare është e thirrur të jetë më e ndjeshme përballë situatës së shumë refugjatëve palestinezë, të pranishëm kryesisht në Cisjordani, Gazë, Jordani, Liban e Siri”.

Prelati i kundërvihet interpretimit kufizues të statusit të refugjatit  palestinez, duke shprehur shqetësimin lidhur me prirjen për t’ua njohur vetëm atyre, që ikën nga Palestina në vitin 1948 e duke përjashtuar, kështu, pasardhësit sipas lisit të gjakut. Kjo do t’i linte shumë pasardhës pa shtetësi e pa të drejta ligjore për të gëzuar statusin e refugjatit.

Rikthim në bisedime, me angazhimin “rrugëzgjidhje për dy shtete”

Ndërsa paqja dhe pajtimi mbeten objektiva ende të largëta në një udhë të shtruar me gjemba e gjak, në dukje të pakapërcyeshme, Selia e Shenjtë kërkon   rikthimin në tryezën e bisedimeve dhe sugjeron me forcë si udhë të vetme, atë të dy shteteve. “Derisa këto bisedime të japin rezultate të prekshme dhe afatgjata - pohoi imzot Auza - puna e UNRWA nuk do të jetë e plotë”. Ja pse prelati bëri thirrje për ta përsëritur mandatin e Agjencisë, që përfundon në vitin 2010.  “70-vjetori i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut - ishte urimi i tij - favorizoftë në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare angazhimin që të gjithë popujt, duke përfshirë edhe refugjatët palestinezë, të mund t’i kremtojnë e t’i gëzojnë të drejtat themelore, të sanksionuara nga Karta”.

13 nëntor 2018, 17:02