Kërko

Lutje Lutje 

Selia e Shenjtë njeh ligjërisht të shuguruarat dhe laikët e “Regnum Christi”

Laiket dhe laikët e shuguruar të “Regnum Christi”-t u njohën nga ligji kanonik i Selisë së Shenjtë si Shoqëri të jetës apostolike dhe kushtetutat e tyre u miratuan.

R.SH. - Vatikan

Sekretari i Kongregatës për Institutet e jetës së kushtuar dhe Shoqëritë e jetës apostolike, imzot Rodriguez Carballo, u dorëzoi laikeve dhe laikëve të shuguruar të “Regnum Christi”-t Dekretet papnore, që i njohin ligjërisht si Shoqëri të jetës apostolike dhe miratojnë kushtetutat e tyre. Me këtë njohje zyrtare, Kisha i konsideron dhurata të Zotit, që kontribuojnë në misionin e saj e, si mjete për takimin e njeriut me Hyjin. Me këtë hap të mëtejshëm, çelet rruga që, së bashku me Legjionarët e Krishtit, të themelojnë një federatë.

Që Krishti të mbretërojë në zemrat tona

         “Regnum Christi” është lëvizje katolike ndërkombëtare e përbërë nga meshtarët rregulltarë të Legjionarëve të Krishtit, nga burra e gra laike të shuguruara, nga laikë që jetojnë jashtë kuvendeve dhe nga meshtarë dioqezanë. Punon në më se 80 vende, me misionin “për ta bërë të pranishme Mbretërinë e Krishtit që Ai i Lumi të mbretërojë në zemrat tona, në zemrat e të tjerëve dhe në shoqëri”. Përshpirtëria e lëvizjes e ka qendrën në kundrimin dhe ndjekjen e Krishtit, i cili, në Ungjill, kumton dhe realizon Mbretërinë e Zotit. “Ai na thërret për ta ndarë misionin me Të e na fton të ungjillëzojmë të gjithë njerëzit, vëllezërit tanë”: kështu përcaktohet misioni i “Regnum Christi”-t në faqen përkatëse të internetit.  

Pesë dashuritë

         Motoja e lëvizjes është “O Krisht, Mbreti ynë, ardhtë Mbretëria Jote!”. Përshpirtëria e anëtarëve të “Regnum Christi”-t shprehet përmes pesë dashurive: asaj për Krishtin, asaj për të Shenjtnueshmen Virgjër Mari, pastaj, për njerëzit, për Kishën e për Papën e, së fundi, për vetë lëvizjen si udhë për të jetuar thirrjen personale.

30 nëntor 2018, 12:48