Kërko

Piktura ruse shtegton në Sheshin e Shën Pjetrit

Nga 20 nëntori 2018, deri më 16 shkurt 2019, në Krahun e Karlit të Madh të Vatikanit, mund të kundrohet ekspozita: “Shtegtim i artit rus. Nga Dionysius tek Malevich”: 54 vepra të Galerisë Tret’jakov të Moskës dhe muzeve të tjera ruse. I kthen vizitën ekspozitës “Roma Aeterna”, me 42 piktura nga Pinakoteka e Vatikanit, që u ekspozuan jo shumë kohë më parë, në Rusi.

R: SH. - Vatikan

Nga 20 nëntori 2018, deri më 16 shkurt 2019, në Krahun e Karlit të Madh të Vatikanit, mund të kundrohet ekspozita: “Shtegtim i artit rus. Nga Dionysius tek Malevich”: 54 vepra të Galerisë Tret’jakov të Moskës dhe muzeve të tjera ruse. I kthen vizitën ekspozitës “Roma Aeterna”, me 42 piktura nga Pinakoteka e Vatikanit, që u ekspozuan jo shumë kohë më parë, në Rusi.

Piktura ruse shtegton në Sheshin e Shën Pjetrit

Është më se e vërtetë që “bukuria krijon ura, afron kulturat e ndryshme e i bën të gjithë vëllezër”- siç shkruan drejtoresha e Muzeve të Vatikanit, Barbara Jatta, në hyrjen e katalogut: “Shtegtim i pikturës ruse, nga Dionisij (Murg që jetoi ndërmjet shek. XV-XVI, në kohën e tij, piktori më i shquar rus i ikonave) tek Maleviç” (piktor rus me origjinë polake, përfaqësues i abstraktizmit dhe i avanguardieve ruse). Kështu, pesë vjet pas takimit të Papës Françesku me presidentin rus Vladimir Putin, në Vatikan, që vuri bazat e shkëmbimit të veprave të artit dhe dy vjet pas suksesit të jashtëzakonshëm publik të ekspozitës "Roma Aeterna - Kryeveprat e Pinakotekës së Vatikanit: Bellini, Raffaello, Caravaggio”, në Galerinë Tret’jakov të Moskës, koleksioni më i madh i arteve të bukura ruse në botë - Muzetë e Vatikanit, në bashkëpunim me këtë Galeri, vendosën, në kornizën sugjestive të Krahut të Karlit të Madh, ekspozitën “Pilgrimage of Russian Art. From Dionysius to Malevich”. Ekspozitë, ku ndjehet edhe dora e hapur e Ministrisë së Kulturës të Federatës Ruse, që do të mund të vizitohet falas nga 20 nëntori 2018 - deri më 16 shkurt 2019.

Përshpirtëria e artit rus,  në Vatikan

54 kryevepra, shumë prej të cilave dolën për herë të parë  nga selia, ku ruhen zakonisht: Galeria e famshme dhe muzetë e ndryshme ruse. E u nisën për udhë të gjatë… Ekspozita, organizuar nën kujdesin e Arkadi Ippolitov, Tatiana Udenkova dhe Tatiana Samoilova, ka një synim ambicioz; ta paraqesë mesazhin kulturor e shpirëror të artit rus, në zemër të botës së krishterë perëndimore. Veprat janë radhitur thjesht e me elegancë, që përkon plotësisht me arkitekturën madhështore të Berninit, brenda së cilës pikturat e lashta e realiste të Shekullit XIX, që dialogojnë me njëra-tjetrën mbi bazën e analogjive të papritura, por të dukshme, ndjehen mrekullisht mirë! Si në shtëpi të vet. Ekspozita përshkon transversalisht artin fìgurativ rus, nga shekulli XV - në shekullin XIX.

Kodikë kulturorë të përbashkët, në të gjitha veprat

Vetëm në dukje tejet të largëta e të ndryshme, veprat tregojnë sesi historia e artit rus, në të gjitha epokat e saj, u përshkua gjithnjë nga të njëjtat kode kulturore e shpirtërore. Kështu “Dukja e Krishtit para popullit” e Aleksandër Ivanov - shkëmben mendime me ikonën e “Pagëzimit” e atë të “Shndërrimit të Zotit”, duke hyrë në lidhje me “Trininë” e Paisius (Murg dhe teolog i fashmëm rus), që varet aty përballë. “Dhimbja e pangushëllueshme” e Ivan Kramsky (piktor dhe kritik i famshëm arti), është përballë ikonës “Mos dënes për mua, Nënë”, ndërsa “Krishti në shkretëtirë” ndodhet pranë e pranë me “Krishti në qeli”, skulpturë druri e shekullit XVIII, krijuar në Perm.

Ekspozohet shpirti rus

Drejtoresha e Muzeve të Vatikanit, Barbara Jatta shpjegon, në Vatikan News, se mesazhi i ekspozitës është “Uniteti i shpirtit rus, që mbetet i njëjtë, me gjithë lakimet e ndryshme, në katërqindën dhe në fillimet e nëntëqindës me Maleviçin, që mbyll ekspozitën me një vepër të fortë e provokuese, titulluar “Katrori i zi”. Vepra, në mënyrë të pabesueshme,  vendoset pranë një ikone të shekullit XV, kushtuar Gjyqit universal, domethënë, një ikone shumë tradicionale. Organizatorët - shton Jatta - bënë një zgjedhje tejet të veçantë. Nuk kemi radhitje kronologjike e as tematike a ikonografike. Pikturat vihen pranë e pranë me synimin që ta ndihmojnë vizitorin të lartohet në lartësitë e shpirtit e të artit, gjë që e ndihmon të arsyetojë mbi tematikat dhe mjeshtërinë e artit rus, por mund të themi, edhe universal".

Kur mund të vizitohet ekspozita

Ekspozita (dhe katalogu, që e shoqëron), u realizuan falë fondacionit Art, Shkencë e Sport të Alisher Usmanov. Mund të vizitohet të hënave, të marteve, të enjteve e të premteve, nga ora 9.30 - deri në 17. 30, me hyrjen e fundit në orën 17.00. Të mërkurën nga 13.30 - deri në 17.30 e të shtunën, nga ora 10.00 - deri në orën 17.00.

Dy fjalë për Государственная Третьяковская Галерея 

Është galeria moskovite e artit tipik tradicional rus. Historia e saj nis në vitin 1856, kur tregtari moskovit Pavel Mihajloviç Tret’jakov (1832-1898) nisi të blejë vepra arti nga artistët rusë të epokës, me qëllim që të krijonte një koleksion, i cili një ditë mund të bëhej muze kombëtar, duke iu shtuar muzeut tjetër të famshëm rus, The State Hermitage Museum, (Russian: Госуда́рственный Эрмита́ж - Gosudárstvennyj Ermitáž) në Shën Petersburg,  që zë vendin e dytë në botë për pasuri kryeveprash, themeluar në vitin 1764 nga carina Katerina e Madhe. Më 1893 Tret’jakov ia dhuroi kombit koleksionin e tij të famshëm. Lindi, kështu, galeria kryesore e artit rus, një pjesë e kryeveprave të së cilës këto ditë ndjehen shumë mirë në “Romën e Amshuar”, pranë e pranë me kryeveprat, që mund të soditen në Muzetë e Vatikanit.

Ndërmjet artistëve të epokave të ndryshme, që banojnë në Galerinë Tret’jakovskaja, kujtojmë: Aleksej Gavriloviç Venecianov, Michail Aleksandroviç Vrubel (autori i Demonit, ekspozuar në Vatikan), Vasilij Ivanoviç Surikov, Il’ja Efimoviç Repin, Vasilij Ivanoviç Kandinskij etj. etj. soditja e veprave të të cilëve lë mbresa të pashlyera në shpirtrat delikatë e të etur për bukuri. Veç duhet shkuar në Moskë, për t’i soditur   të gjitha kryeveprat e artit rus, sepse këtu, këto ditë, mund të shijohet vetëm  pjesa e vendosur në Krahun e Karlit të Madh, në skaj të një kryevepre botërore arkitekture: Kolonatit të Berninit. Dashuronjësi i artit hyn i kënaqur në ekspozitë e del i mahnitur, me ëndrrën që t’i ritakojë pikturat nën strehë të vet, në Moskë, ku banojnë që nga viti 1904, në një shtëpi përrallash, dikur Kisha e Shën Nikollit, shndërruar në muze arti. Si ta kesh vizituar, të duket si të ishte mrekulli e Shenjtit, që pati banuar në atë hapësirë ekstazash!

20 nëntor 2018, 17:50