Pema e Krishtlindjes në Shën Pjetër Pema e Krishtlindjes në Shën Pjetër 

Pema e Krishtlindjes mbërriti në Sheshin e Shën Pjetrit

Mbërriti në Sheshin e Shën Pjetrit, pema e Krishtlindjes. Është një bredh i kuq, ardhur nga pylli i Cansiglio-s, dhuruar nga Rajoni Friuli-Venezia-Giulia e nga dioqeza e Concordia-Pordenone-s.

R.SH. - Vatikan

Pema është rreth 21 metra e lartë, me diametër prej 50 centimetrash e me perimetër gati 10 metrash në bazë. Zbukurimet e dritat do të vendosen nga Drejtoria e shërbimeve teknike në Guvernatoratin e Vatikanit, në bashkëpunim me firmën Osram.

Traditë, që përsëritet

         Që nga Krishtlindja e vitit 1982, Betlehemi dhe pema e Krishtlindjes vendosen pranë obeliskut, në qendër të Sheshit të Shën Pjetrit, në Vatikan. Edhe për Shpellën e Betlehemit ka filluar tashmë puna e skulptorëve, që sivjet, do ta realizojnë atë në një basoreliev rëre, dhuruar nga Jesolo e Italisë, qytet i njohur për traditën e skulpturave me rërë dolomitesh, të cilat mund të admirohen në një periudhë të caktuar të verës, në bregdet. Pema e Krishtlindjes dhe Betlehemi do të qëndrojnë në shesh deri më 13 janar 2019.

25 nëntor 2018, 09:05