Asambleja e ipeshkvijve Asambleja e ipeshkvijve 

Papa: mesazh ipeshkvijve të Francës në Lourdes, "zero tolerancë" në luftën kundër pedofilisë në Kishë

"Për shkak të gabimeve të rënda qëjkanë bërë nga disa anëtarë të Kishës, Papa Bergoglio inkurajon të vazhdohet me ngulm në luftën kundër pedofilisë, pa harruar të vlerësohet edhe besnikëria e përvujtë që shumë priftërinj, rregulltarë dhe rregulltare, njerëz të përkushtuar dhe besimtarë laikë e jetohet, me hirin e Zotit, në veprimtarinë e tyre përditshme".

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku inkurajon ipeshkvijtë francezë të vazhdojnë me "vendosmëri" në luftën kundër pedofilisë dhe t’i qëndrojnë besnikë vijës  "tolerancë zero" ndaj krimeve që u kanë shkaktuar viktimave “plagë “ të cilat "nuk do të harrohen kurrë” e “nuk do t’i shpëtojnë kurrë ligjit”. Kështu shkruhet, mes tjerash, në një mesazh të Papës të nënshkruar nga Sekretari i shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, i cili u lexua dje në Lourdes para ipeshkvijve francezë të mbledhur në asamblenë e tyre plenare.

Në asamble, episkopati francez po trajton çështjen e abuzimit në Kishë, edhe në dritën e ngjarjeve të fundit që kanë dalë në pah e që po shqyrtohen aktualisht nga drejtësia. Ipeshkvijtë, kanë takuar, të shtunën pasdite, për herë të parë të gjithë së bashku, 8 viktimat e abuzimit.

 "Në një kontekst të vështirë, që është bërë i tillë kryesisht për shkak të gabimeve të rënda që kanë bërë disa anëtarë të Kishës - lexohen në mesazh -, Ati i Shenjtë Bergoglio inkurajon që të vazhdohet me ngulm në luftën kundër pedofilisë, pa harruar kurrë të vlerësohet e të mbështetet edhe besnikëria e përvujtë që shumë priftërinj, rregulltarë dhe rregulltare, njerëz të përkushtuar dhe besimtarë laikë e jetohet, me hirin e Zotit, në veprimtarinë e tyre përditshme".

Papa Françesku uron: "që mikpritja dhe dëgjimi i viktimave, plagët e të cilëve nuk do të harrohen kurrë dhe nuk do t’i shpëtojnë kurrë ligjit, mund të pohojnë vendosmërinë tuaj në zbatimin e tolerancës zero dhe të tregojnë punën tuaj në këtë drejtim, në mënyrë që çdo person i pagëzuar të ndjehet i përfshirë në transformimin kishtar dhe shoqëror, për çka kemi kaq shumë nevojë".

Në mesazhin e tij Papa Françesku prek edhe çështje tjera mbi të cilat ipeshkvijtë francezë janë duke punuar këtyre ditëve, duke u përqendruar në veçanti në shoqërimin dhe ungjillëzimin e të rinjve, të cilët i fton që t’i "lutën shumë Shpirtit Shenjtë", në mënyrë që Kisha të mund të hapet e të përshkojë  "rrugë të reja në harmoni me pritjet e të rinjve, të nevojës së një spiritualiteti të thellë dhe të një përkatësie më konkrete". Së fundi, Ati i Shenjtë Françesku e inkurajon episkopatin e Francës të "promovojë kulturën e takimit brenda shoqërisë".

06 nëntor 2018, 13:06