Kërko

Papa sheh punimet e para të Observatorit ndërkombëtar mbi cyberbullizmin Papa sheh punimet e para të Observatorit ndërkombëtar mbi cyberbullizmin 

Papa mbështet Observatorin ndërkombëtar të cyberbullizmit

Papa mbështet ICO-në, Observatorin ndërkombëtar të cyberbullizmit. Përfundojnë tri ditët e themelimit të tij në Castel Gandolfo, së bashku me akademikët dhe studentët. Në prill, në kongresin e parë botëror, qeveritë dhe kolosët e internetit do të konfrontohen me të rinjtë nga i gjithë globi.

R.SH. - Vatikan

“Sfida jonë e parë do të jetë të gjejmë fjalën e kundërt me termin ‘cyberbullizëm’ dhe ta bëjmë atë virale, për t’u ndarë me të tjerët si lumturia”: kështu komenton José Maria del Corral, drejtori botëror i Scholas Occurrentes, themeluar në Argjentinë para 20 vjetësh, kur Papa Françesku ishte kryeipeshkëv i Buenos Ajresit. Scholas, së bashku me Fondacionin Carolina – që mban emrin e viktimës së parë italiane të bullizmit në rrjet, Carolina Picchio – promovuan Observatorin e parë ndërkombëtar të cyberbullizmit, edhe ky dashur nga Ati i Shenjtë e paraqitur këto ditë, në Vatikan. ICO (International Cyberbullying Observatory) - ky akronimi i subjektit të ri - synon të mbledhë ekspertët më të mirë të bashkësisë shkencore globale për të krijuar një bankë të dhënash mbi praktikat e mira, normat dhe “big data” në nivel botëror, në mënyrë që të konfrontohen me përvojën e të rinjve në internet.

Pasojat e përdorimit të dhunshëm të internetit janë të pallogaritshme

         “Pasojat e përdorimit të dhunshëm të internetit e të rrjeteve shoqërore, ose edhe e përdorimit të pavetëdijshëm për rreziqet– vijon Corral – mund të jenë të pallogaritshme”. Gjatë tri ditëve në Castel Gandolfo, të dyja Fondacionet zhvilluan laboratorë formues me edukatorët dhe me të rinjtë. “Djemtë e vajzat nga vende të ndryshme – komenton koordinatori i Observatorit dhe drejtori i përgjithshëm i Fondacionit Carolina, Ivano Zoppi – hynë shpesh në sesionet e Komitetit shkencor të ICO-së, duke e vënë me dashamirësi debatin mbi binarët e duhur, pra, duke vënë në qendër ndjenjat, frikën dhe shpresën e të lindurve dixhitalë”.

Në rritje, rreziqet për të miturit në rrjet

         Nga konfrontimi i parë ndërmjet brezave doli në pah se rreziqet për të miturit në rrjet janë rritur në mënyrë eksponenciale pas vitit 2013, pra pas përhapjes së “App” (Aplikimeve) për smartphone. Për të hyrë në rrjetet shoqërore, duke filluar nga Facebook, nuk është më e nevojshme të lidhesh me kompjuter, por mjafton të nxjerrësh telefonin nga xhepi i xhinsave. “Që atëherë – pohon Ivano Zoppi – smartphone-i iu shtua, në të mirë e në të keq, agjencive tradicionale edukative, si familja dhe shkolla”.

Mungon një bankë e përbashkët të dhënash mbi cyberbullizmin

         Anglia, Argjentina, Spanja, Kolumbia, Franca, Portugalia, Italia dhe Brazili: këto janë vendet aktive në hapat e para të Observatorit. Një debat i parë, që do të vihet në dispozicion të më se 30 vendeve, përmes platformave të veçanta informatike. “Ndikimi i teknologjive të reja në udhën e rritjes së njeriut është i qartë për të gjithë – komentojnë profesorët Italo Fiorin dhe Luka Bernardo, dy pika referimi për Komitetin Shkencor të Observatorit – por nuk kemi akoma një bankë të përbashkët të dhënash mbi këtë fenomen, mbi rastet dhe përgjigjet përkatëse”. Pikënisje për zgjidhjen e këtij problemi do të jenë përgjigjet e nxënësve të 30 vendeve për pyetjet, që ICO-ja do të bëjë në një konsultim publik përmes internetit. E këto argumente do të diskutohen gjerësisht në Kongresin botëror mbi cyberbullizmin, që do të mbahet në Vatikan, më 1 prillin e vitit të ardhshëm.

14 nëntor 2018, 13:27