Kërko

 Lufta I Botërore Lufta I Botërore 

Lufta e Madhe. Kardinali Parolin: diplomacia vatikanase, artizane e paqes

Duke marrë fjalën në takimin e organizuar pranë Universitetit Papnor Lateranens, me rastin e 100-vjetorit të Luftës së Madhe, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, u ndalua tek historia e diplomacisë së Selisë së Shenjtë përballë sfidave të botës së re, lindur nga konflikti botëror.

R. SH. - Vatikan

“Vetëdije e qartë për të asistuar pëmbysjet me pasoja të padëgjuara, por edhe optimizëm katolik, i gatshëm për të hapur udhë të reja”. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin e kujtoi kështu atmosferën në të cilën merrte frymë bota pas Luftës I Botërore. Gjatë fjalës së tij, mbajtur në takimin ndërkombëtar me temë “Selia e Shenjtë dhe katolikët e botës së pasluftës (1918-1922)”, organizuar nga Komiteti Papnor i Shkencave Historike, Hirësia e Tij  preku të gjitha sfidat  e diplomacisë vatikanase.

Të punohet për respektimin e njeriut

Duke folur në Universitetin Papnor Lateranens, kardinali Parolin kujtoi se u vërtetua intuita e Benediktit XV, i cili e pati quajtur  luftën  “vetëvrasje e Evropës” . E ashtu u bë: u rroposën 4 perandoritë më të mëdha të kohës: ajo gjermane, austro-hungareze, ruse e otomane. Në shumicën e viseve të Evropës - pohoi - u ndje fort fryma antikatolike dhe përpjekja për ta dëbuar Zotin dhe Kishën e tij nga hapësira publike dhe nga jetët e njerëzve. Kisha pati një interes të vetëm, pa ushqyer asnjë parapëlqim për forma të posaçme shteti ose institucionesh civile: respektimin e dinjitetit të njeriut dhe të të drejtave të ndërgjegjes kristiane. Benedikti XV arriti të kuptonte se “popujt, kombet e bashkësitë e mëdha shoqërore,  do të ishin protagonistët e mëdhenj të historisë”.

Kisha dhe bota e re

Ishte çasti i përshtatshëm për ta dëgjuar britmën e botës së re, që po lindte e, prej këndej, “thirrjen e fuqishme për liri - pohoi kardinali Parolin - dhe për të drejtat themelore të miliona burrave, ende me uniformë ushtarake, të sapokthyer nga llogoret; të miliona grave, të detyruara të mbartnin barrën jashtëzakonisht të rëndë të burrave mungues; të të gjithë njerëzve vuajtës, aristokratë me llagape historike a të pastrehë e të paemën, që quheshin “të fundmit” e historisë. Kardinali vuri, kështu, në dukje, veprimtarinë e ndërmjetësimit e të paqes të diplomacisë papnore si edhe “veprimtarinë e jashtëzakonshme humanitare, vijuar edhe pas armëpushimit me aq bujari, sa t’i zbrazte fare kasat papnore. Papati po luante rishtas një rol ndërkombëtar, si autoritet moral, paqëtues për të gjithë njerëzit.

Angazhimi i parë për paqen

Përballë hamendjes së një lirie të re, por edhe të një tiranie të re, Papa krijoi një rrjet të dendur diplomatësh, të thirrur për të dalë në skenat e reja. U punua - shpjegoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit - gjithnjë për paqen, duke sensibilizuar fuqitë për të respektuar drejtësinë e ndershmërinë në marrëdhëniet ndërmjet shteteve e kombeve, parimin natyral të kombësisë dhe aspiratat e ligjshme  të popujve, si e drejta për të marrë pjesë në shpërndarjen e të mirave materiale: tema, që pasqyrohen në të famshmen “Notë për paqen” të  Benediktit XV, datuar  1 gusht 1917.

Diplomacia vatikanase dhe sfidat e kohës

Shpesh herë Kisha - kujtoi kardinali Parolin - u sulmua me breshëri kritikash, me masa shtypëse, humbje të pasurive e rryma  reformiste, të cilat çuan deri në lindjen e Kishës kombëtare. Papës së asokohshëm iu desh të mbrohej edhe nga ndikimi laicist e t’u bënte ballë sfidave të reja, si nevojat e reja baritore, emërimi i ipeshkvijve me kombësinë e besimtarëve të tyre, reforma e edukimit dhe e formimit të klerit me frymëzimin e vërtetë katolik. Diplomacia vatikanase nuk pati frikë as të hyjë në kontakt me revolucionarët bolshevikë, veshur me frak - kujtoi Hirësia e Tij. E të niste  bisedimet diplomatike, për të siguruar mbijetesën e katolicizmit edhe në Bashkimin Sovjetik. Bisedime të dështuara, por që gjithsesi krijuan kushtet për dërgimin e një misioni  bamirës, duke shpëtuar miliona jetë.

Fuqizimi i diplomacisë

“Thënë me terma të thjeshta matematike, në shtator 1914, Selia e Shenjtë kishte marrëdhënie vetëm me 17 shtete; në janar 1922, numri i partnerëve diplomatikë arriti në 27; ndërmjet tyre, edhe fuqitë e mëdha, si Franca e Britania e Madhe, të cilat para luftës i patën prerë marrëdhëniet me Papën. “U bë përsëri e  qartë se, pavarësisht nga retë, që rrogomiseshin akoma horizontesh, Zoti nuk e kish harruar Kishën e vet, vijonte të ishte i pranishëm në të!".

15 nëntor 2018, 17:56