Wat Phra Chetuphon, tempull budist, Tajlandë Wat Phra Chetuphon, tempull budist, Tajlandë 

Kisha dhe budizmi, urë miqësie në një “botë të ngatërruar”

Ndërsa një delegacion vatikanas ndodhet në Bangkok për 230-vjetorin e Tempullit Mbretëror të Chetupon (Wat Pho), një mesazh i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar nënvizon: miqësia e Kishës Katolike me budizmin është shenjë shërimi në një botë të shkurajuar e në luftë.

R.SH. - Vatikan

Një histori e gjatë dialogu, filluar nga Papa Pali VI, para 46 vjetësh - me kohë, kthyer në miqësi të vërtetë - është emblematike në botën e sotme, të përfshirë nga dhuna e mosbesimi. Në një mesazh, Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar kujton zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet Kishës Katolike dhe budizmit tajlandez, në një periudhë të veçantë feste në vendin aziatik. Që nga fillimi i nëntorit e deri këtë të diel, Bangkoku është në qendër të kremtimeve për 230-vjetorin e Tempullit Mbretëror të Chetupon (Wat Pho). Sot, një delegacion i Vatikanit, udhëhequr nga sekretari i Këshillit, imzot Ayuso Guixot, çoi në kryeqytetin e Tajlandës përshëndetjen e Papës Françesku dhe mori pjesë në ceremonitë e ndryshme.

Miqësi, që shëron

         “Prania jonë, sot, - lexohet në mesazhin e dikasterit vatikanas – është shenjë e qartë e lidhjes së miqësisë ndërmjet nesh. Shfrytëzojmë rastin për të falenderuar Asamblenë Sangha të Wat Pho për impenjimin e tyre të vazhdueshëm në dialogun ndërfetar. Vizita jonë kontribuoftë në ndërtimin e urave për të shëruar botën e shqetë të sotme, lënduar nga dhuna, konfliktet, shkurajimi dhe vuajtja e miliona njerëzve”.

Bashkëpunim i ngushtë

         Duke përshëndetur Asamblenë Sangha dhe të gjithë budistët e Tajlandës, mesazhi kujton fjalët e shën Palit VI, i cili, në qershor 1972, duke pritur murgjërit tajlandezë, uronte të fillonte “një dialog gjithnjë e më miqësor dhe një bashkëpunim më i ngushtë ndërmjet traditave të përfaqësuara nga budistët dhe Kishës Katolike”. Edhe Papa Françesku, duke pritur më 16 majin e këtij viti një delegacion budist, pati shprehur “vlerësimin e tij të sinqertë për Wat Pho”. Tempulli, përveç bukurisë së jashtëzakonshme, njihet edhe për shkollën e parë të masazhit Thai, e cila mbetet edhe sot më e rëndësishmja në gjithë Tajlandën, për kontributin që vijon t’i japë mjekësisë tradicionale.

09 nëntor 2018, 14:46