Kardinali Pietro Parolin Kardinali Pietro Parolin 

Kard. Parolin: e kaluara na ndihmon të përballojmë të ardhmen

Shkolla vatikanase e Bibliotekonomisë përuroi një cikël konferencash kushtuar Katedrës së veçantë “Papa Françesku”. Në takimin e parë mori pjesë edhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin.

R.SH. - Vatikan

“Vetëm kujtesa e gjallë e së kaluarës mund të na lejojë të përballojmë realitetin e së tashmes dhe problemet e së ardhmes”. Me këto fjalë, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, përuroi takimin e parë të ciklit të konferencave të Shkollës vatikanase të Bibliotekonomisë, kushtuar Katedrës së veçantë “Papa Françesku”. “Ruajtja, vlerësimi dhe transmetimi” janë disa nga detyrat e Bibliotekës, e cila duhet të jetë “shprehje e Kishës në dalje”, shtoi prelati, duke komentuar se ajo “duket një kthim mbrapa, por është, në të vërtetë, një zhytje në të ardhmen”, në promovimin e “një kulture dialogu me teknologjinë”. Gjatë takimit iu dorëzuan bursa studimi dy studenteve.

Aktorë të padukshëm: algoritmet

         I pari ndër gjashtë takimet u përqendrua mbi temën: “Risimi dixhital dhe inteligjenca artificiale: sfidat etike”. “Risia e vërtetë – nënvizoi pedagogu i Universitetit Papnor Gregorian, Paolo Benanti – nuk është aq zhvillimi teknologjik, sa përhapja e tij” globale, që po plazmon një brez njerëzish të zhytur në botën dixhitale. Janë sisteme, që mund të ndikojnë mbi marrëdhëniet shoqërore, duke ndryshuar edhe punën e njeriut e sidomos përmasën e tij emotive, pasi gjithçka kthehet në të dhëna statistikore. Algoritmet, shpjegoi françeskani, po sjellin “ndryshime të dukshme në shoqëri” e përvijojnë edhe “një skenar shqetësues për sigurinë kombëtare”.

Sokrati dhe bitet

         Nëse filozofi i lashtë, Sokrati, përsëriste “Njih vetveten”, sot, njeriu duhet të verifikojë të dhënat për veten, pra, atë që regjistrohet për të. Në shoqëritë tona, vijoi prof. Paolo Benanti, “po krijojmë një lëndë të parë të re: të dhënat”, duke e përcaktuar realitetin përmes tyre. Por, përvetësimi automatik, i njohur si “machine learning”, krijon një “problem etik të jashtëzakonshëm”, përveçse politik, sepse algoritmi mund të përmbajë paragjykime. Që këtej, urgjenca për “të zhvilluar një etikë të algoritmeve” dhe një “sistem shoqëror, që mund t’i udhëheqë risitë drejt zhvillimit të vërtetë”.

07 nëntor 2018, 13:41