Cerca

Vatican News
Përurimi i vitit akademik të Universitetit Papnor Lateranens Përurimi i vitit akademik të Universitetit Papnor Lateranens 

Imzot Semeraro: reforma e Kuries, kthesë e rëndësishme

Në Lectio magistralis, në Universitetin Papnor Lateranens, imzot Marcello Semerario foli mbi reformën e Kuries Romake, dashur nga Papa Françesku. Shndërrim në këndvështrimin misionar.

R.SH. - Vatikan

Udha e reformës për shndërrimin misionar të Kishës ka mbërritur në një kthesë të rëndësishme. Me këto fjalë, në Lectio magistralis, mbajtur në Universitetin Papnor Lateranens, sekretari i Këshillit të Kardinajve, imzot Marcello Semeraro, ipeshkëv i Albanos, ilustroi bocën e Kushtetutës së re Apostolike, titulli i përkohshëm i së cilës, pas 5 vjetësh pune të Këshillit të Nëntëshes, është “Praedicate evangelium”. Predikimi i Ungjillit, nënvizoi prelati, dhe fryma misionare, janë perspektivat e punës së krejt Kishës. Tani do të vijohet me këshillimin mbi “tekstin-propozim” të Këshillit, siç pati ndodhur edhe me Kushtetutën “Pastor Bonus” të shën Gjon Palit II.

Kriteret udhëheqëse të reformës

         Ipeshkvi i Albanos kujtoi kriteret, që udhëheqin reformën e Kuries Romake, dashur nga Papa Françesku. Së pari, susidiariteti, që do të thotë ndihmë e Kishës për ata, që kanë nevojë, por pa i zëvendësuar, duke nxitur punën e tyre për zgjidhjen e problemeve. Pastaj, “decentralizimi”, pasi Kuria Romake nuk është vetëm mjet “në shërbim” të Papës, por edhe në shërbim të Kishave të veçanta. Një centralizim i skajshëm, vërehet në enciklikën “Evangelii gaudium”, në vend që “ta ndihmojë, e ndërlikon jetën e Kishës dhe dinamikën e saj misionare”. Së treti, “gradualiteti”, që do të thotë ecje me etapa, duke verifikuar, korrigjuar, eksperimentuar, miratuar çdo hap. Kjo, për të siguruar “fleksibilitetin e nevojshëm”, që reforma të jetë vërtet e zbatueshme. Nuk përjashtohet, nënvizoi imzot Semeraro, që ky kriter të mbetet edhe pas botimit të Kushtetutës. Kriter tjetër është besnikëria ndaj “traditës”, sepse çdo reformë duhet të mbajë parasysh historinë e, do të ishte e pamundur të “shpërfytyrohej krejtësisht impianti kurial”, nënvizoi imzot Semeraro. Pas traditës, natyrisht duhet “risimi”, kriter tjetër i reformës, shembull i të cilit është pikërisht Dikasteri i Komunikimit, në krye të të cilit Papa deshi një laik, prefektin tonë, Paolo Ruffini. Së fundi, “përqëndrimi”, që do të thotë thjeshtim, bashkim i disa Këshillave Papnore në Dikastere.

Udhëheqja e Shpirtit Shenjt

         Është fjala për të punuar me afate të gjata, pa pretenduar rezultate të menjëhershme, saktësoi sekretari i Këshillit të Kardinajve, që ndihmon Papën në punën e tij për udhëheqjen e Kishës Katolike. Imzot Semeraro nënvizoi se ky proces bëhet me shoshitje të vazhdueshme, me hapa përpara, por edhe mbrapa, nëse është e nevojshme, gjithnjë, nën udhëheqjen e sigurtë të Shpirtit Shenjt, duke pasur parasysh një Kishë misionare, në dalje.

12 nëntor 2018, 15:02