Kërko

 Imzot  Charles Scicluna Imzot Charles Scicluna 

Imzot Scicluna, Ndihmës-Sekretar i ri i Kongregatës për Doktrinë

Imzot Scicluna, kryeipeshkëv i Maltës, emërohet Ndihmës-Sekretar i ri i Kongregatës për Doktrinën e Fesë.

R. SH. - Vatikan

Imzot Scicluna lindi në Toronto të Kanadasë, më 15 maj 1959, në një familje emigrantësh maltezë. Është kryeipeshkëv i Maltës që nga viti 2015, ndërsa nga vitet 2002 deri më 2012 ishte promotor i drejtësisë pranë Kongregatës për Doktrinën e Fesë, apo prokuror i rasteve të shpërdorimeve seksuale. Papa Françesku, që më 2015, e emëroi  kryetar të Kolegjit për shqyrtimin e kërkesave të seksionit të zakonshëm të Kongregatës për Doktrinën e Fesë lidhur me çështjet e krimeve të rënda. Shkurtin e kaluar e dërgoi imzot Sciclunën në Kili, për të bërë hetime lidhur me paditë kundër meshtarit Fernando Karadima, në qendër të shkandullit, ndërmjet besimtarëve të dioqezës së Osorno, ku ishte ipeshkëv një nga nxënësit e këtij të fundit, domethënë, imzot Juan Barros, që ndërkaq u largua nga detyra.

Lufta kundër shpërdorimeve seksuale

Në një konferencë mbi shpërdorimet seksuale, mbajtur në shkurt 2012 pranë Universitetit Papnor Gregorian, imzot Scicluna pati shpjeguar se Kongregata për Doktrinën e Fesë ka nevojë për mbështetjen e mbarë hierarkisë kishtare në procedurat e saj, që të mund të kenë ndikimin e parashikuar. “Asnjë strategji për parandalimin e shpërdorimeve mbi të miturit nuk mund të vihet në jetë, pa impenjim e përgjegjësi” - pati theksuar. Për të shtuar se mohimi  i fakteve të njohura dhe shqetësimi i paarsyeshëm, sipas të cilit emri i mirë i institucionit duhet të ketë përparësi absolute, qenë armiq të së vërtetës. Më tej, reflektimi mbi “kulturën e heshtjes vdekjeprurëse”, të cilën ai e quan një nga format e heshtjes përballë krimit e të bashkëpunimit, term i përdorur për të përshkruar kodin e heshtjes së mafies në mbrojtjen e konspirimeve kriminale përballë autoriteteve civile e penale. Imzot Scicluna përshkroi edhe kërkesat baritore të atyre, të cilët shpërdoruan: “nevojën themelore, që viktima të dëgjohet me vëmendje, për t’u kuptuar e për t’i besuar si dhe trajtimin me dinjitet të njeriut, që  ecën me vështirësi në udhën e shërimit”.

Nënvizoi edhe vëmendjen e posaçme, që u duhet kushtuar fajtorëve në fazën e rikthimit në rrugë të drejtë. U tha gazetarëve se ipeshkvijtë duhet ta respektonin ligjin e Kishës dhe standardet e Kongregatës. “Është krim, në drejtësinë kanonike - theksoi - të tregohesh me dashje i çkujdesur në ushtrimin e detyrës sate. Nuk dua të them se duhet të nisim t’i dënojmë të gjithë për qëndrim moskokëçarës ndaj detyrave të tyre. Dua të theksoj vetëm se është krejtësisht e papranueshme që, pasi përcaktohet standardi, njerëzit të mos e ndjekin këtë standard”.   

13 nëntor 2018, 13:20