Kërko

Papa Françesku dhe imzot Giancarlo Maria Bregantini Papa Françesku dhe imzot Giancarlo Maria Bregantini 

Imzot Bregantini: politikë do të thotë t’i zgjidhim së bashku problemet

Kryeipeshkvi i Campobasso-Bojano komenton, në mikrofonin e Radio Vatikanit, temën e Mesazhit të Papës për Ditën e 52-të Botërore të Paqes, e cila kremtohet më 1 janar 2019, mbi temën e marrëdhënieve ndërmjet paqes e politikës.

R.SH. - Vatikan

“Politika e mirë është shërbim për paqen”: kjo është tema e Mesazhit të Papës për Ditën e 52-të Botërore të Paqes, e cila kremtohet më 1 janar 2019. Tema u bë e njohur dje. Për kryeipeshkvin e Campobasso-Bojanos, imzot Giancarlo Bregantini, që ndodhet në Romë për ushtrimet shpirtërore të klerit molizan, Papa Françesku na jep mundësinë për “të kuptuar që paqja lind nga marrëdhënie të mira, afatgjata dhe inteligjente, bazuar mbi shtyllën e parë të paqes, që është e vërteta”:

         Mendoj se është temë shumë e përshtatshme. Të rivlerësohet politika e jo të përbuzet ajo – sidomos në këtë çast sovranizmi lokal, kur mungesa e perspektivave afatgjata na bën miopë – pra, ky rivlerësim na sugjeron edhe më tepër se kemi nevojë për një politikë afatgjatë, premisë për paqen, sepse vetëm kushtu mund të projektohet e ardhmja. Bëhet shumë aktuale enciklika “Populorum Progressio”, pak ditë pas kanonizimit të Papës Pali VI, i cili kërkonte që kombet të ndiqnin dy rrugë: zhvillimin e gjithanshëm të njeriut dhe zhvillimin solidar. Mungesa e zbatimit të këtij propozimi krijoi Afrikën dhe realitetin e saj dramatik të varfërisë – tokë e mbizotëruar nga interesat vetjake. Mendoj se zgjidhja është pikërisht kjo: duhet të rimarrim në dorë “Populorum Progressio”, të fillojmë ta kuptojmë se kombet në luftë, problemet e tyre, ndikojnë edhe mbi ne. Të vrasësh Sirinë do të thotë të vrasësh edhe Evropën, Amerikën… tema e politikës si dinamikë e paqes është vërtet vështrim mbi të ardhmen. Duhet ta ndryshojmë rrënjësisht këtë vështrim, duke menduar gjithnjë se kur ndihmon të tjerët, ndihmon edhe vetveten.

07 nëntor 2018, 15:21