Kërko

Vizita e kardinalit Sandri në Liban Vizita e kardinalit Sandri në Liban 

Drama e Sirisë në shtegtimin e Roaco-së në Liban

Vijon shtegtimi i delegacionit të Roaco-së në Liban, udhëhequr nga kardinali Sandri, i cili dje, mbërriti në Luginën e Bekaasë, në kufi me Sirinë. Tregimi dramatik i ipeshkvijve.

R.SH. - Vatikan

Delegacioni i Roaco-së (Bashkimi i Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore), i kryesuar nga kardinali Leonardo Sandri dhe nga nunci apostolik në Liban, imzot Joseph Spiteri, mbërriti në luginën libaneze të Bekaasë, pak kilometra nga Siria, në kuadrin e shtegtimit në gjithë vendin, me rastin e 50-vjetorit të themelimit të kësaj organizate kishtare. Katër ditë për kreun e ROACO-së, kardinalin Sandri, prefekt i Kongregatës vatikanase për Kishat Lindore, nëpër realitetet e ndryshme të Kishës Katolike, që ndihmon refugjatët, ndër të cilët shumë myslimanë, të sëmurët, emigrantët, në dialog të përhershëm me Kishat e tjera të krishtera në vend.  

Faza e dytë e dëshmive për Sirinë

Kardinali u takua dje me ipeshkvijtë katolikë të Sirisë në shtëpinë e jezuitëve, në Tanayel, pas meshës, kremtuar së bashku me klerin e pranishëm. Kreu i ROACO-së u kërkoi ipeshkvijve të shkojnë në vendet perëndimore për të dëshmuar mbi gjendjen në Siri. Gjithashtu, “është koha – nënvizoi ai – që, duke pasur parasysh stabilitetin më të madh të zonës, të ftohen njerëzit për të vizituar Sirinë, duke u garantuar besimtarëve afërsinë e popullit të Zotit, si edhe të barinjve të Kishës, të cilët kanë nevojë t’i ndjejnë afër edhe fizikisht”.

Të ndahen pasuritë personale nga pasuritë e Kishës

         Temë tjetër, që preku kardinali Sandri, ishte ajo e transparencës në administrimin e ndihmave dhe të pasurive të Kishës.  Në një notë kërkohet të ndahen si duhet pasuritë personale nga ato të Kishës. U fol edhe për hartimin e Kushtetutës së re të Sirisë, duke kujtuar parimet e doktrinës shoqërore kishtare. Kardinali Sandri përmendi statistikat e OKB-së për varfërinë në Siri. “Më se 70% e popullsisë jeton nën pragun e varfërisë e shumë vetë janë në kushte vërtet të papranueshme”. Kjo do të thotë se shumë nga sirianët priren të emigrojnë. Në Haleb, për shembull, para luftës, banonin 20 mijë katolikë, ndërsa tani, numri i tyre është zvogëluar në 7 mijë. Dy të tretat janë larguar e ky përpjestim ruhet edhe në dioqeza të tjera.

Shqetësimi i ipeshkvijve për emigracionin sirian

         Ipeshkvijtë sirianë shprehën shqetësimin e tyre për pakësimin e pranisë së krishterë në vend. Korridoret humanitare, denoncuan ata, shpesh, favorizojnë ikjen nga Siria. Për të mos folur mbi mungesat në formimin e fëmijëve dhe të rinjve, mbetur pa shkollë, por edhe pre e drogës. Delegacioni vizitoi pikërisht shkollat e Shërbimit të Jezuitëve për Refugjatët, frekuentuar nga 1600 nxënës, që kanë mundësi të marrin një diplomë të njohur nga shteti libanez e nga ai sirian. Sfida është mbajtja e rinisë larg nga fundamentalizmi e nga ekstremizmi, duke i dhënë shpresën e nevojshme për të ardhmen.

14 nëntor 2018, 15:49