Kërko

Komisioni i përzier për hetimin e sulmit me bomba mbi Vatikan Komisioni i përzier për hetimin e sulmit me bomba mbi Vatikan 

75 vjet më parë, bombardimi i Vatikanit

Në librin e Augusto Ferrara-s, “1943. Bombe sul Vaticano” (1943. Bomba mbi Vatikan), ripërshkohet dita e 5 nëntorit të 75 vjetëve më parë, kur u godit zemra e krishterimit, fatmirësisht, pa viktima.

R.SH. - Vatikan

Heshtje nëpër rrugët e Vatikanit, është errësirë e në zemrat e banorëve të këtij shteti të vogël papnor ngre kryet frika për Luftën II Botërore, që vijon pa reshtur, për plagët e hapura të familjeve, të bashkësive, të fshatrave. Është ora 20.10 e 5 nëntorit 1943. Një avion fluturon ulët rreth Vatikanit e papritmas lëshon 5 bomba: katër bien mbi territorin ku banon Papa, njëra nuk shpërthen.

Vatikani i goditur nga bombat

         Bomba e parë shpërtheu pranë stacionit hekurudhor; e dyta goditi në qendër Laboratorin e Mozaikëve, duke shkaktuar dëme të mëdha e duke shkatërruar një pasuri artistike me vlerë të paçmuar. Bomba e tretë goditi disa zyra të Pallatit të Guvernatoratit e së fundi, e katërta shpërtheu në sheshin e Shën Martës, duke thyer vetratat e pasme të Bazilikës së Shën Pjetrit.

T’i mbyllej goja Radio Vatikanit

         Sipas Augusto Ferrara-s, autor i librit “1943 Bombe sul Vaticano” (1943 Bomba mbi Vatikan), objektivi ishte Radio Vatikani, që transmetonte mesazhe për të burgosurit e luftës. Punë çertozine, shoqëruar me fotografitë e bëra nga fotografi zyrtar i Papës, Giuseppe Felici, me artikujt e “L’Osservatore Romano”-s, të “La Civiltà Cattolica” dhe të “Il Messaggero”, përveç dokumentacionit të pasur filatelik e postar të kohës. Të dëgjojmë vetë autorin:

         Sigurisht, dëshironin të godisnin Radio Vatikanin e transmetimet e saj nga selia qendrore në Vatikan. Sulmi u realizua nga një fashist, që mori një avion në Viterbo e me këtë avion të vogël fluturoi mbi Vatikan për t’ia mbyllur gojën Radio Vatikanit e mesazheve të saj.

         Ju thoni “vepër e një fashisti”. Ky është varianti më i mundshëm? Qe një gjest i izoluar, apo i dëshiruar edhe nga Komanda fashiste?

         Të themi se dëshmitë e publikuara në libër konfirmojnë këtë variant. Pas daljes së vëllimit, pata edhe kontributin e një meshtari, që lëvizte ndërmjet autoriteteve gjermane dhe Vatikanit e që ma ripohoi këtë udhë. Musolini, i cili u vu menjëherë në dijeni për sulmin, e dënoi. Në të vërtetë, fashisti në fjalë ishte në shënjestër që më parë. Në libër botoj fotografitë e fotografit zyrtar të Vatikanit, i cili të nesërmen, 6 nëntor, në orën 8.10, realizoi rreth 30 foto, duke përshkuar udhën e bërë nga avioni gjatë hedhjes së bombave. Avioni, siç thonë dëshmitarë të ndryshëm, e kishte kontrolluar zonën për ditë me radhë për të kuptuar ku duhej ta godiste Radio Vatikanin.

A dihet çfarë bëri Papa Piu XII, pas këtij sulmi?

         Po: përshkruhet nga L’Osservatore Romano menjëherë pas. Në libër, gjenden kopje të  gazetës ditën e diel, kur Papa duket mbi Sheshin e Shën Pjetrit e flet për bombardimin e për një hetim të mundshëm, në bashkëpunim me Kuesturën italiane. Tre-katër ditë pas së dielës, kur Papa mësoi se ishte fjala për marrëzinë e një fashisti, meqë Italia ishte akoma në luftë, preferoi të heshtëte e gazetat të mos flisnin për ngjarjen. Akoma kishte pasiguri mbi bombardimin në Vatikan, po bëheshin hetime… Prandaj, Papa preferoi që shtypi të mos fliste më për ngjarjen.

05 nëntor 2018, 19:17