Kërko

Papa Benedikti XVI Papa Benedikti XVI 

11 vjet më parë, më 30 nëntor 2007, u botua enciklika e dytë e Benediktit XVI: 'Spe Salvi'. Shpresa e krishterë që shpëton

Shpresa e krishterë nuk ka vetëm një dimension thjesht tokësor. Në të vërtetë, Jezu Krishti na çoi në "takim me një shpresë që ishte më e fortë se vuajtjet e skllavërisë dhe që për këtë arsye e transformonte nga brenda jetën dhe botën" (SS 4).

R.SH. - Vatikan

11 vjet më parë, si sot, më 30 nëntor 2007, u botua enciklika e dytë e Benediktit XVI: 'Spe Salvi' . Një papni për t'u jetuar e vlerësuar akoma. Enciklika e dytë e Papës Benediktit XVI, Spe Salvi, është frymëzuar nga një frazë e  Shën Palit: "Në shpresë kemi qenë shpëtuar" (Rom 8:24). Shpresa e krishterë nuk ka vetëm një dimension thjesht tokësor. Në të vërtetë, Jezu Krishti na çoi në "takim me një shpresë që ishte më e fortë se vuajtjet e skllavërisë dhe që për këtë arsye e transformonte nga brenda jetën dhe botën" (SS 4).

Shpresa e krishterë nuk është në diçka, por në Dikush (Jezu Krishtin). Për më tepër ajo është burim i lirisë së vërtetë, në kundërvënie me mitet e rreme të përparimit dhe të shkencës. Kjo e fundit, në veçanti "nuk e shëlbon njeriun", shkruan Papa i nderit, madje, nëse keqpërdoret, " mund edhe të shkatërrojë njeriun dhe botën" (SS 24-26).

Ja vendet e shpresës, që i përmend Benedikti XVI në enciklikën e tij Spe Salvi: 1-. lutja, drejtuar Zotit me besim të plotë; 2-. veprimi që nënkupton mbi të gjitha anët altruiste të shpresës, angazhimin që "bota të bëhet pak më e ndritshme dhe më njerëzore" (SS 35); 3-. vuajtja që "mundëson të pjekkemi, të rritemi, të gjejmë kuptimin nëpërmjet bashkimit tonë me Krishtin, i cili ka vuajtur me dashuri të pafund" për shpëtimin tonë (SS 36-39); 4-. gjykimi i Zotit ose drejtësia hyjnore e fundit që e "heq" vuajtjen e kaluar.

"Shpresa qëndron në njohjen e Zotit, në zbulimin e zemrës së tij prej Ati të mirë e të mëshirshëm. Jezusi, me vdekjen në kryq e me ngjalljen, na e zbuloi fytyrën e Tij, fytyrën e Hyjit, që ka një dashuri aq të madhe, sa të na transmetojë shpresën e patundshme, të cilën nuk mund ta mposhtë as vdekja, sepse kush ia beson jetën e vet këtij Ati, do të jetojë në lumninë e amshuar”.

Një shpresë në të cilën mund të besojmë, pra, për të cilën njeriu ka nevojë edhe në kohët e zhvillimit të vrullshëm teknologjik: “Zhvillimi i shkencës moderne - shpjegon Papa – i kufizon gjithnjë më shumë fenë dhe shpresën në sferën private dhe individuale, kështu që sot shihet gjithnjë më qartë e nganjëherë edhe në mënyrë dramatike, se njeriu dhe bota kanë nevojë të madhe për Hyjin, Hyjin e vërtetë, përndryshe mbeten krejt pa shpresë”.

Shpresa – pohon Ati i Shenjtë  Ratzinger – pa dyshim kontribuon shumë për të mirën e njerëzimit, por nuk është në gjendje ta shpëtojë. Njeriun e shpëton dashuria, që e bën të mirë e të bukur jetën personale e shoqërore: “Prandaj shpresa e madhe, e plota e përfundimtarja, sigurohet nga Hyji, që në Jezusin na vizitoi e na dha jetë e në Të do të kthehet në mbarim të kohëve. Në Krishtin shpresojmë, Atë presim!".

30 nëntor 2018, 14:55