Nënshkrimi i armëpushimit të Lufts I Botërore Nënshkrimi i armëpushimit të Lufts I Botërore 

100-vjet më parë, fundi i Luftës I Botërore, premisë e një paqeje të helmatisur

Sot, pranë Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë u mbajt një konferencë shtypi, për të paraqitur Kuvendin ndërkombëtar të studimeve me temë: “Selia e Shenjtë dhe katolikët në botën e pas luftës(1918-1922), me rastin e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës I Botërore”.

R. SH. - Vatikan

Sot, pranë Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë u mbajt një konferencë shtypi, për të paraqitur Kuvendin ndërkombëtar të studimeve me temë: “Selia e Shenjtë dhe katolikët në botën e pas luftës(1918-1922), me rastin e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës I Botërore”.

Kuvendi, i organizuar nga Komiteti Papnor i Shkencave Historike, do të mbahet në Romë, më 14 deri më 16 nëntor 2018. Punimet do të zhvillohen  në dy seli të ndryshme: dy ditët e para, pranë Universitetit Papnor Lateranens; ditën e tretë, pranë Akademisë së Hungarisë.

Gjatë konferencës së shtypit folën atë Bernard Ardura, Kryetar i Komitetit Papnor të Shkencave Historike; profesor Don Roberto Regoli, drejtor i Fakultetit të Historisë dhe Pasurive Kulturore të Kishës, i Universitetit Gregorian dhe studiues të tjerë të kësaj periudhe historike, që na kujton  se 100-vjet më parë Lufta I Botërore merrte fund, me vendosjen e një paqeje të helmatisur, që do t’i hapte, më pas, udhën një kasaphane të re.

Fundi i kërdisë së parë të madhe

Ishte 11 nëntori i vitit 1918 kur, në Compiègne të Francës, në një vagon hekurudhor, përfaqësuesit e Gjermanisë nënshkruanin armëpushimin, që i jepte fund Luftës I Botërore, gjatë së cilës humbën jetën 15 milionë vetë.

Më 1918 Lufta e Madhe, e quajtur nga Papa Benedikti XV “kërdi e kotë”, ishte, më në fund, kapitull i mbyllur. Në Letrën Enciklike “Quod Iam Diu” të 1 dhjetorit 1918, Papa shprehte gëzimin e tij për fundin e konfliktit. “Ditë, që bota mbarë - shkruan Benedikti XV - e priste prej kohe me ankth, që mbarë krishterimi e lypte me lutje të zjarrta e që ne, shprehës të dhimbjes së përbashkët, shkonim duke e kërkuar papushuar për të mirën e të gjithëve, ja, në një çast, u arrit: heshtën, më në fund, armët”.

Fund i masakrave e shkatërrimeve të papërshkrueshme

“Në të vërtetë - shton Benedikti XV - paqja nuk e ka thënë akoma fjalën ‘fund’ i luftës tejet mizore, por gjithsesi armëpushimi e ndërpreu kërdinë e shkatërrimet e hatashme mbi tokë, në det e në ajër, duke ia hapur portën dhe udhën ‘paqes’.  Për të shpjeguar si ndodhi kaq papritmas ky ndryshim - shkruan akoma Papa -  duhet kujtuar Ai që i qeveris të gjitha ngjarjet e që, i prekur nga lutjet e vazhdueshme të njerëzve të mirë, i krijoi njerëzimit mundësinë të shpëtonte nga gjithë ato morte e ankthe”.

Armëpushimi i Compiègne dhe viti 1918 janë, për fat të keq, fillim i një një kapitulli të historisë, që do të çonte drejt një tragjedie të re, asaj të Luftës II Botërore.

Tetë muaj pas përfundimit të luftimeve, më 28 qershor 1919, u nënshkrua Traktati i Versailles, me kushte shumë të rënda për Gjermaninë, të cilat hitlerianët, autorë të Luftës II Botërore, do t’i quanin “thikë pas shpine”. Duke nisur, me këto fjalë, përpjekjen për ta përmbysur edhe një herë historinë.  

Më 1940, në të njëjtin tren e në të njëjtin vend, shkruhej një faqe e ngjashme historie, por e kthyer përmbys! Më 22 qershor, pikërisht në vagonin e përdorur më 1918, përfaqësuesit e Francës nënshkruanin një armëpushim me Gjermaninë! Bota kishte ndryshuar: udha e paqes, e hapur me armëpushimin e 1918-tës, u braktis. Një ndeshje e re, shkatrrimtare,  nisi ta lëkundte deri në themel botën; rrënojat e shkaktuara nga lufta – do të pohonte Papa Piu XII në një fjalim, mbajtur më 2 qershor 1940 - janë të pallogaritshme, me përmasa vigane”.

12 nëntor 2018, 13:54