Videokatekizmi Kishës katolike: Imzot Fisichella "me origjinalitetin e saj, vepra krijon diçka të re"

Paraqitet në Romë videokatekizmi Kishës katolike, realizuar nga regjisori shqiptar nga Kosova, Gjon Kolndrekaj, që përmban elemente si: feja, Sakramentet, urdhërimet e Tënzot, lutja Ati Ynë, Besojma etj.

R.SH. - Vatikan

"Nga letra në sistemin dixhital», një udhëtim e përshkim gjatë shekujsh ai që bëri doktrina e krishterë duke gjetur sot një sintezë të re në Videokatekizmin e Kishës katolike, një vepër kinema-televizive që zgjat 25 orë, ndarë në 46 episode, të cilat u prezantuan dje në Universitetin Papnor Gregoriana. Projekti lindi nga një ide e Don Giuseppe Costa, salezian, ish drejtor i Shtëpisë Botuese të Vatikanit dhe, nga regjisori Gjon Kolndrekaj. Video është xhiruar nga prilli 2013, në teknologjinë 4K.

"Katekeza a mësimi i katekizmit nuk gëzon shëndet të mirë gjatë kësaj periudhe. Madje ka nevojë, vërtet, për një mbështetje të re që e përforcon. Katekeza është një gjendje dhe kusht i domosdoshëm për të krishterit për të kuptuar veten, për të hyrë në brazdën e traditës, për të kuptuar se kush është dhe ku i ka rrënjët e veta. Kjo vepër, realizuar nga regjisori shqiptar nga Kosova, Gjon Kolndrekaj, është e rëndësishme sepse kontribuon me origjinalitetin e saj duke vënë në dritë diçka të re e të padëgjuar". Kështu u shpreh kryeipeshkvi Rino Fisichella, Kryetar i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri, mbi Videokatekizmin e Kishës katolike, që u prezantua dje pranë Universitetit Papnor Gregoriana në Romë.

"Katekizmi - vazhdoi imzot Fisichella - përmbledh mësimin e asaj që të krishterët kanë arritur gjatë dy mijë vjetëve. Paraqet zërin e mësuesve të parë të mëdhenj dhe të etërve të Kishës, paraqet pastaj edhe zërin e shenjtorëve. Sot kultura është duke ndryshuar, ajo po ndeshet me sfidën e digjitalit (internetit) e cila është në vetvete një kulturë e re, sepse krijon një gjuhë të re dhe sjellje të reja.

Feja, siç ishte në fillim, sot, është në momentin kur po hapet para një epoke të re. Prandaj kemi sfidën e gjuhës digjitale që na çon te detyra që kemi për të shprehur e transmetuar trashëgiminë që kemi marrë.

Vepra ka një konotacion të guximit të madh. Unë rrëfej se në fillim nuk isha entuziast. Pyetja ishte: si mund të përkthehej a të adaptohej katekizmi në një video? Por më duhet të them sot jemi para një vepre origjinale dhe unike. Duhet të kuptojmë se si dhe çfarë do të përdoret, sepse sfida e vërtetë është të arrijmë deri tek përdoruesit, deri te të destinuarit. Urimi - përfundoi imzot Fisichella - është që kjo vepër të mund të gjejë përgjigjen e duhur e të pritët mirë".

Në përfundim të prezantimit të videokatekizmit të Kishës katolike, realizuar nga regjisori shqiptar nga Kosova, Gjon Kolndrekaj, u shfaq një nga kapitujt, kushtuar besojmës së krishterë, që ka mes lexuesve të teksteve të katekizmit poetë, mjekë, përfaqësues të shoqatave dhe një këngëtare.

Regjisori shqiptar nga Kosova, Gjon Kolndrekaj, gjatë realizimit të kësaj video-vepre i është përmbajtur në mënyrë rigoroze tekstit origjinal që përmban Katekizmi i Kishës katolike, duke ditur se edhe në fushën digjitale, edhe në një video duhet të mësohet e të transmetohet katekizmi i fesë, pa interpretime personale. Besnikëria ndaj Kishës duke pasur parasysh kontekstin, kohën dhe kulturën.

Struktura e katekizmit, në video-veprën e Gjon Kolndrekajt , vjen nga përvoja e katekumenatit të Kishës së shekujve të parë e merr elementet themelore që e ndihmojnë njeriun të bëhet i krishterë, e këto elemente janë: feja, Sakramentet, urdhërimet e Tënzot, lutja Ati Ynë, Besojma.

Edhe në Romë, ashtu si kudo në botë, janë shumë ata njerëz që ende nuk e kanë takuar Zotin: atyre – thotë regjisori Kolndrekaj – u drejtohet video katekizmi i Kishës katolike që kam realizuar. Për të gjithë këtë – pohon Gjon Kolndrekaj - është i nevojshëm një edukim i brendësisë së shpirtit. Pra, Videokatekizmi është një vepër multimediale televizive, realizuar në pesë vjet dhe në 70 vende, në të cilën  përfshihen rreth gjashtë mijë persona.

26 tetor 2018, 15:13