Cerca

Vatican News
Papa Françesku në një nga konferencat e shtypit në avion Papa Françesku në një nga konferencat e shtypit në avion 

Tema e Ditës së Komunikimit 2019: “Nga community në komunitet”

U publikua nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, tema e zgjedhur nga Papa Françesku për Ditën Botërore të Komunikimit Shoqëror 2019: “Jemi gjymtyrët e njëri-tjetrit (Ef 4,25). Nga community në komunitet”.

R.SH. - Vatikan

“Jemi gjymtyrët e njëri-tjetrit (Ef 4,25). Nga community në komunitet”: kjo është tema e zgjedhur nga Papa Françesku për Ditën e ardhshme Botërore të Komunikimeve Shoqërore. Tema, lexohet në një notë të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, “nënvizon rëndësinë e rikthimit të një perspektive të gjerë për komunikimin, themeluar mbi personin. Ajo e vendos theksin mbi vlerën e ndërveprimit, kuptuar gjithnjë si dialog e si mundësi takimi me tjetrin”.

Të reflektohet mbi natyrën e marrëdhënieve në rrjetet shoqërore

         Me këtë temë, vijon nota, “nxitet një reflektim mbi gjendjen aktuale e mbi natyrën e marrëdhënieve në internet, për t’u rinisur nga ideja e komunitetit, pra, e bashkësisë, si rrjet ndërmjet njerëzve në tërësinë e tyre”. Disa prirje “mbizotëruese në të ashtuquajturin ‘social web’ – thekson komunikata – na vënë para një pyetjeje themelore: deri në ç’pikë mund të flasim për bashkësi të vërtetë, duke pasur parasysh logjikat, që karakterizojnë komunitetet e rrjeteve shoqërore? Metafora e rrjetit si bashkësi solidare përmban në vetvete krijimin e një grupi, që mund t’i thotë vetes ‘ne’, grup i bazuar mbi dëgjimin e tjetrit, mbi dialogun e, për pasojë, edhe mbi përdorimin e përgjegjshëm të gjuhës”.

Interneti të jetë rrjet njerëzish, jo rrjet telash

         Që në Mesazhin e parë për Ditën Botërore të Komunikimit Shoqëror, në vitin 2014, kujton nota e Sallës së Shtypit, Ati i Shenjtë pati bërë një thirrje që interneti të kthehet në “vend të pasur me humanitet, jo një rrjet telash, por njerëzish”. Zgjedhja e temës së Mesazhit për vitin 2019 ripohon “kujdesin e Papës Françesku për ambientet e reja komunikative e, në veçanti, për Rrjetet shoqërore, ku Ati i Shenjtë është i pranishëm personalisht me faqen @Pontifex në Twitter dhe me profilin @Franciscus në Instagram”.

01 tetor 2018, 13:23