Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Sinodi i ipeshkvijve në Vatikan Sinodi i ipeshkvijve në Vatikan  (AFP or licensors)

Sinodi: feja është aventurë. Kisha t’i shoqërojë të rinjtë

Dorëzohen relacionet e Rretheve të Vogla mbi pjesën e dytë të Instrumentum Laboris. Fillojnë diskutimet për pjesën e tretë, kushtuar përzgjedhjes, në Sinodin e ipeshkvijve, që vijon në Vatikan mbi temën “Të rinjtë, feja, dhe shoshitja e thirrjes”.

R.SH. - Vatikan

Përgjigjja ndaj thirrjes së Zotit është lumturi dhe rrezik njëkohësisht, sepse feja është aventurë e Kisha e ka për detyrë t’i ndihmojë të rinjtë në këtë udhë: nisen nga kjo vetëdije 14 relacionet e Rretheve të vogla të Sinodit të ipeshkvijve, kushtuar pjesës së dytë të Instrumentum Laboris, me temë “Të interpretojmë: feja dhe shoshitja e thirrjes”. Që sot, ipeshkvijvtë po shqyrtojnë pjesën e tretë dhe të fundit të Instrumentum Laboris, që i kushtohet temës “Të zgjedhim: udhë baritore e misionare për kthimin kah Zoti”.

         Por t’u kthehemi relacioneve. Ҫdo njeri, nënvizojnë Etërit sinodalë, ka një mënyrë të vetën për ta ndierë thirrjen e dashurisë së Zotit e bashkimin me Të, që e bën të kujdeset për botën e për familjen njerëzore. Është thirrje universale, që ndihet gjithë jetën, por duhet të jemi të vetëdijshëm për të. Ajo na bën solidarë, pavarësisht nga fetë e botëkuptimet e ndryshme. Thirrja është edhe nxitje për shenjtërimin e jetës, që do të thotë dhurim i vetvetes për të tjerët.

Takimi me vështrimin e Krishtit

         Njëkohësisht, theksojnë ipeshkvijtë në Sinod, duhen shoqëruar të rinjtë, që ta kuptojnë këtë thirrje, ta shoshisin qartë, duke e lënë Zotin të veprojë në ta. Me të vërtetë, vetëm takimi me vështrimin e Krishtit e bën të riun më të pjekur shpirtërisht, të aftë ta kuptojë hirin e mëshirën e Hyjit. Kështu, të rinjtë do të jenë në gjendje të përballojnë edhe pyetje të vështira, siç janë ato mbi vuajtjen dhe vdekjen. E përmes kësaj shoshitjeje, do të zbulojnë edhe identitetin e tyre më të thellë, për të përcaktuar kontributin, që mund e duhet t’i japin Kishës dhe shoqërisë. Krishti vetë është i ri ndër të rinjtë e kujdeset për procesin, që i çon drejt pjekurisë. E dëshmimi i Tij nga bashkësia e krishterë, ku bëjnë pjesë kandidatët për jetën meshtarake e rregulltare, i ndihmon ata t’i përgjigjen lirisht thirrjes së Zotit. Prandaj, shoqërimi i të rinjve duhet të jetë personal – pra, nga një bari i Kishës – por edhe komunitar – pra, nga e gjithë bashkësia.

Krezmimi nuk është “diplomë largimi” nga Kisha

         Nga Sinodi vihet theksi në kujdesin më të madh, që duhet treguar për Sakramentin e Krezmimit, pas të cilit, shpesh, të rinjtë nuk shihen më në Kishë. Ai duhet parë si mënyrë për t’u thelluar në fe. Thelbësor, edhe faktori “kohë”: të rinjve u duhet mësuar të mos nxitojnë, të mos kenë frikë nga fjala “përgjithmonë”, sepse durimi i Zotit e bën të aftë çdo krijesë njerëzore të zgjedhë atë që i duhet për jetën e vet. Sinodi kërkon të përfshihen në baritorinë e Kishës edhe të rinjtë me probleme fizike, intelektuale e shoqëroro-kulturore. Ata janë dhuratë për bashkësinë, sepse i japin mundësinë të mësojë ç’është solidariteti. Vëmendje, thuhet në relacione, u duhet kushtuar edhe të pamartuarve e të rinjve me prirje homoseksuale, sepse është detyrë e Kishës të ndihmojë këdo për t’i dhënë kuptim jetës së vet, sipas planit të Zotit për të.

Shembulli i shën Palit VI

         Të rinjtë kanë nevojë të dëgjojnë gjuhën e tyre, që flet për afërsi, marrëdhënie, dashuri falas e pa interes, për shpresë e mirësi. Prandaj, Sinodi përmend shembullin e shën Palit VI, që u shpall shenjt të dielën, 14 tetor. Vështrimi i tij i fesë mbi të rinjtë dhe mbi dialogun me botën bashkëkohore kujtojnë se çdo jetë është vokacion dhe se i takon Kishës të vendosë lidhjen me njeriun modern. Njoftimi i fundit i relacioneve ka të bëjë me idenë e një shtegtimi përgjatë një pjese të udhës Francigena, drejt varrit të Shën Pjetrit. Nisma është programuar për 25 tetor e me organizimin e saj është ngarkuar Këshilli Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri.

16 tetor 2018, 14:47