Kërko

Konferenca e shtypit për Sinodin Konferenca e shtypit për Sinodin 

#Synod2018. Kard. Baldisseri: tema e të rinjve, sfidë për Kishën

U paraqit në Sallën e Shtypit të Vatikanit, Asambleja XV e përgjithshme e zakonshme e Sinodit të Ipeshkvijve, nga 3 deri më 28 tetor, me temë: “Të rinjtë, feja dhe shoshitja e thirrjes”.

R.SH. - Vatikan

Kisha është gati “të dëgjojë zërin, ndjeshmërinë, fenë dhe, edhe dyshimet e kritikat e të rinjve”, të cilët përfaqësojnë “sfidën” për të ardhmen. Sekretari i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve, kardinali Lorenzo Baldisseri, e paraqiti kështu, në Sallën e Shtypit të Vatikanit, Asamblenë XV të përgjithshme e të zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, që do të mbahet nga 3 deri më 28 tetor, me temë: “Të rinjtë, feja dhe shoshitja e thirrjes”. Siç njoftoi prelati, në takim do të marrin pjesë 267 etër sinodalë, ndërsa ndërmjet dëgjuesve, figurojnë “34 të rinj të moshës 18-29 vjeç, që do të kontribuojnë me praninë e tyre plot gjallëri që të dëgjohet zëri i bashkëmoshatarëve”. Gjithashtu, për herë të parë, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së përkohshme ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës Popullore të Kinës, do të jenë të pranishëm në Sallën e re të Sinodit, në Vatikan, edhe “dy ipeshkvij nga Kina kontinentale”.

Takim, përtej shkandujve

         Sinodi do ta ndihmojë Kishën të përqendrohet në misionin për të shoqëruar “të rinjtë, në udhën e tyre ekzistenciale”, duke ia hapur zemrën “takimit me Zotin” e, njëkohësisht, sqaroi kardinali Lorenzo Baldisseri, do t’u japë mundësinë të rinjve ta shohin Nusen e Krishtit përtej shkandujve, në të cilat është përfshirë kohët e fundit. Të rinjtë, theksoi prelati, mund ta kuptojnë brishtësinë njerëzore e vetë Kisha nuk mund të përfaqësohet vetëm nga ata, që gabojnë. Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit nënvizoi se punimet do të zhvillohen në “tre “njësi pune”, të ndara sipas tri pjesëve të Dokumentit përgatitor sinodal: Të njohim – Kisha në dëgjim të realitetit; Të interpretojmë – feja dhe shoshitja e thirrjes; Të zgjedhim – udhë kthimi baritore e misionare kah Zoti”.

Dokumenti përgatitor si pikënisje

         Më pas, relatori i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve, kardinali Sergio da Rocha, foli për “rolin e Instrumentum laboris, si dokument referimi për punimet”. Ai është përmbledhje e “mijëra faqeve të dëshmive, reflektimeve e kërkesave, ardhur nga e gjithë bota”, por nuk do të përdoret si ndonjë “recetë e gatshme për t’i shoqëruar të rinjtë drejt fesë dhe plotësisë së jetës” e as si “zgjidhje paraprake për shumë çështje, që janë ngritur para sinodit”.

Një Sinod “i ri”

         Gjatë konferencës për shtyp në Vatikan, u paraqitën edhe Direktivat për kremtimin e Asambleve sinodale dhe për veprimtarinë e Sekretarisë së përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve, në zbatim të nenit 26 të Kushtetutës Apostolike të Papës Françesku “Episcopalis Communio”, publikuar më 15 shtator 2018. “Ashtu si Kushtetuta e fundit Apostolike zëvendëson Motu Proprio-n ‘Apostolica sollicitudo’ të të Lumit Pali VI – nënvizoi zv.sekretari i Sinodit të Ipeshkvijve, imzot Fabio Fabene – ashtu edhe Direktivat zënë vendin e Ordo Synodi Episcoporum, i cili për rreth 50 vjet është rishikuar disa herë, deri në botimin e fundit miratuar nga Benedikti XVI, në vitin 2006”. “Të gjitha funksionet e të gjitha procedurat janë menduar për të lehtësuar sa më shumë debatin, si edhe shkëmbimin e opinioneve ndërmjet etërve sinodalë, për të nxjerrë në pah pasurinë e zërave të Kishës, përhapur në gjithë tokën” – përfundoi imzot Fabene.

01 tetor 2018, 16:23