Kërko

Sinodi 2018 Sinodi 2018 

Sinodi: Papa u dorëzon “Dokat” të rinjve dëgjues

Pasditen e djeshme, Papa Françesku u dorëzoi të rinjve dëgjues të Sinodit të ipeshkvijve, Dokat, një doracak të Doktrinës Shoqërore të Kishës, frymëzuar nga dokumentet më të rëndësishme papnore. Sot, shtegtimi i Etërve sinodalë në udhën Francigena.

R.SH. - Vatikan

Ndërsa shtohen propozimet për ndryshime e shtesa në Dokumentin përfundimtar të Sinodit të Ipeshkvijve me temë “Të rinjtë, feja dhe shoshitja e thirrjes”, që vijon deri të dielën në Vatikan, pasditja e djeshme ishte e veçantë për të rinjtë dëgjues, që marrin pjesë në të. Papa Françesku u dorëzoi një kopje të “Dokat”, një manual i Doktrinës Shoqërore të Kishës, frymëzuar nga dokumentet më të rëndësishme papnore, duke filluar nga “Rerum Novarum” i Papës Leoni XIII tek enciklika “Laudato si” e deri tek “Amoris Laetitia” e Françeskut. Është nismë e mbështetur fuqimisht nga Ati i Shenjtë, i cili e quan “Docat”, “manual njohurish, doracak udhëtimi”, udhërrëfyes për impenjimin shoqëror të të rinjve të krishterë. “Me ndihmën e Ungjillit – shkruan Papa në premisën e librit – ai na ndihmon të ndryshojmë së pari vetveten, pastaj, ambientin tonë e, së fundi, botën mbarë. Në fakt, me forcën e Ungjillit mund ta ndryshojmë vërtet botën”.

Sot, shtegtimi i Etërve sinodalë në Udhën Francigena

         Kongregata e ardhshme e përgjithshme, e 20-ta, parashikohet të mblidhet nesër pasdite, menjëherë pas mbledhjes së Komisionit për hartimin e dokumentit përfundimtar. Ipeshkvijtë do të zgjedhin Këshillin XV të Zakonshëm të Sinodit. Ndërkaq, sot, Etërit sinodalë dhe të rinjtë dëgjues, së bashku me rininë e famullive të Romës, morën pjesë në një shtegtim prej 6 kilometrash drejt Varrit të Shën Pjetrit, duke përshkuar udhën Francigena, apo Romea. Ajo s’është tjetër, veçse një segment i vogël i udhës mesjetare, që nis nga veriu i Francës e përfundon në Pulje të Italisë, ku shtegtarët kishin mundësi të merrnin anijet për të shkuar në Tokën Shenjte. Itinerari, i organizuar nga Këshilli Papnor për nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, përfundon në Bazilikën e Vatikanit, me një meshë të kremtuar nga Sekretari i përgjithshëm i Sinodit, kardinali Lorenzo Baldisseri, në praninë e Papës Françesku.

25 tetor 2018, 13:15