Kërko

 Sinodi i të Rinjve  2018, atë Alexandre Awi Mello Sinodi i të Rinjve 2018, atë Alexandre Awi Mello 

Sinodi. Atë Awi Mello: tani në Kishë struktura pjesëmarrjeje për të rinjtë

Sekretari i Dikasterit vatikanas për laikët, familjen, jetën, atë Alexandre Awi Mello, kujton propozimet baritore të Sinodit për të rinjtë: struktura pjesëmarrjeje në dioqeza e famulli, formim i shoqëruesve, hapësira integrimi për lëvizjet që punojnë me të rinjtë.

R. SH. - Vatikan

Ndërsa pjesëmarrësit në Sinodin e ipeshkvijve kushtuar të rinjve po diskutojnë në grupet e punës të rretheve të vogla  pjesën e tretë të  dokumentit kushtuar “udhëve të kthesës  baritore e misionare”, takohemi me brazilianin atë Alexandre Awi Mello, sekretar i Dikasterit për laikët, familjen, jetën, ish-drejtor kombëtar i lëvizjes së Schönstatt, në Brazil.

Nuk mund të mbetemi vetëm tek dëgjimi

E pyesim cilat propozime baritore konkrete, nga ato që dolën në Sinod, e kanë bindur më shumë. Për ta konkretizuar temën e dëgjimit, qëndrore në këtë Sinod - na thotë – “ndjehet nevoja e strukturave për pjesëmarrjen e të rinjve në Kishë. Për një dëgjim të vërtetë, që më pas shndërrohet në veprim. Duhen krijuar, prandaj, ndër dioqeza e famulli, struktura të përshtatshme për dëgjim aktiv”.

Çelësi është formimi i shoqëruesve

Gjatë diskutimit të tij në sallë, atë Awi Mello ftoi të merret seriozisht puna për formimin e shoqëruesve. Janë çelësi, sepse nuk na duhet një Kishë që vetëm dëgjon, por që nuk i shoqëron të rinjtë në zgjedhjen e udhëve të jetës, nuk u jep përgjigje pyetjeve të tyre ekzistenciale, nuk arrin  t’i bëjë ta kuptojnë thellësisht e vërtetësisht jetën e Kishës, e, sidomos, Jezusin. Shoqërimi është themelor për pas-Sinodit. Konferencat ipeshkvnore e dioqezat duhet të punojnë për formimin e  shoqëruesve, duke e parë këtë si përparësi baritore.

Lëvizjet e të rinjve duhet të punojnë së bashku

Më duket, pastaj, me rëndësi - vijon meshtari brazilian - lidhja ndërmjet  lëvizjeve, shoqatave e konferencave ipeshkvnore: të gjitha grupet, që punojnë me të rinjtë, duhet të integrohen, të punojnë së bashku. Konferencat ipeshkvnore duhet  të krijojnë hapësira, ku  realizohet me të vërtetë ky integrim. Është fjala për një punë të bërë së bashku, për Kishën e me Kishën, e jo shumë grupe paralele, që kërkojnë secili të bëjë ndonjë gjë e nuk ndjehen vërtet pjesë e Kishës si institucion. Në këtë drejtim në Brazil kemi një përvojë të mirë e besoj se kjo mund të shërbejë edhe në vise të tjera.

Për “të largtit”: të rinj që ungjllëzojnë të rinjtë

E baritoria  e “të largtëve” - pyesim - për të rinjtë që janë larguar nga Kisha e nuk i janë afruar kurrë më mesazhit shëlbues të Krishtit? Përballë atyre, që rrinë larg – gjegjet - besoj se sjellja e drejtë e Kishës është t’u hapë zemrën e portat. E kjo domethënë të dëgjohen, e njëkohësisht t’u jepet dëshmia e gëzimit të Ungjillit. Nuk duhen gjykuar, pra. Rëndësi ka që vetë të rinjtë të jenë protagonistë të ungjillëzimit të bashkëmoshtarëve. E ungjillëzuesve të rinj të krishterë u duhet hapësirë në Kishë e edhe gjithë mbështetja  e duhur, që të mund t’i ungjillëzojnë bashkëmoshatarët,  si për shembull, në baritorinë universitare, hapësirë ideale, ku mund të krijohen rrethe lutjeje e diskutimi për  temat më me rëndësi për studentët.

 

 

19 tetor 2018, 18:03