Kërko

Të krishterë dalit në Indi Të krishterë dalit në Indi 

Sinodi: dëshmia e të rinjve, shenjtorë e martirë të kohës sonë

Vijon në Vatikan Sinodi i ipeshkvijve kushtuar të rinjve, që po reflekton mbi pjesën e tretë të Instrumentum Laboris.

R.SH. - Vatikan

Shenjtëria nuk është vetëm ideal. Të rinjtë japin dëshmi të shumta për këtë, edhe në ditët tona. Gjatë punimeve të Sinodit të ipeshkvijve me temë “Të rinjtë, feja dhe shoshitja e thirrjes”, etërit sinodalë dhanë shembuj prekës të persekutimit të të krishterëve, sidomos aty ku janë pakicë. U fol për Lindjen e Mesme, ku shumë janë vrarë për fenë në Krishtin, pastaj, për dalitët në Indi, të fundmit e shoqërisë, njerëz pa të drejta, që për të mbajtur fenë – pasuria e tyre e vetme – janë gati të martirizohen.

Dëshmia e krishterë, fara e krishterimit

         Dëshmia e këtyre shenjtorëve të ditëve tona, u vërejt në Sinod, është fara e të krishterëve të rinj. Ҫdo i ri, theksohet në Sinod, synon drejt shenjtërisë e është kërkues ndaj vetes e të tjerëve, por ka nevojë për dëshmitarë të vërtetë, për pika referimi që e frymëzojnë, për barinj që i jetojnë lumnitë ungjillore, që luten, meditojnë e nuk janë nëpunës të thjeshtë apo funksionarë të ndonjë institucioni. Të rinjtë nuk duan vetëm fjalë të bukura dhe e ndiejnë veten të fyer nga shkandulli i abuzimeve. Ipeshkvijtë i nxisin barinjtë e Kishës të jenë transparentë e të thonë me gëzim se celibati dhe pastria janë opcione të mundshme, me hirin e Zotit. Vetëm kështu do të jenë shembull.

Kisha në botë, jo e botës

         Në botë, pa qenë e botës: Kisha duhet të flasë më pak e të bëjë më shumë, duke u kushtuar të rinjve kohë e njerëz. E vërteta dhe mëshira janë të pazgjidhshme ndërmjet tyre dhe e kanë qendrën në Krishtin, vërejtën Etërit sinodalë, të cilët ngulën këmbë në figurën e atit shpirtëror, i cili, duke e dënuar mëkatin, di të shoqërojë mëkatarin. “Zoti – reflektuan ipeshkvijtë – na merr ashtu si jemi, por nuk na lë ashtu si jemi”. Na shndërron në njerëz të rinj. Kështu, Kisha është si barkë, që duhet të mbërrijë në det të hapur, aty ku të rinjtë përleshen me dallgët. E Krishti është spiranca, ku ata duhet të kapen për të mos u mbytur.

Kisha të flasë për kryqin

         Ipeshkvijtë denoncuan kulturën e sotme materialiste dhe hedoniste, që përpiqet ta largojë Zotin nga zemra e njeriut, duke i propozuar idhuj të rremë si paraja, varësitë e ndryshme, kënaqësitë e sipërfaqshme e duke refuzuar ideale e vlera të krishtera, si familja. Janë sfida, para të cilave Kisha nuk duhet të heqë dorë nga forca e Krishtit të Ringjallur, të cilën duhet ta propozojë gjithnjë. Kryqi nuk i frikëson të rinjtë, të cilët dëshirojnë kumtimin e qartë të Ungjillit e jo të vagullt. Thirrja e Krishtit të Kryqëzuar duhet të tingëllojë e fortë, jo e brishtë dhe anemike. Për një Kishë të përtërirë duhen inkurajuar të rinjtë të luten, të thonë Rruzaren e të marrin pjesë në sakramentet e Rrëfimit e të Eukaristisë.

Drama e papunësisë dhe e emigracionit

         Salla e Sinodit mori në shqyrtim edhe dramën e papunësisë rinore. Kisha duhet të jetë familje, u tha, duhet t’i ndihmojë të rinjtë pa punë. Shembuj të mirë në këtë drejtim ka shumë, si projektet e mikrokreditit, me të cilat mund të ndihmohen edhe emigrantët, që detyrohen të braktisin familjen e atdheun.  E kemi për detyrë, nënvizuan ipeshkvijtë, t’i bëjmë të rinjtë protagonistë të zhvillimit të gjithanshëm të shoqërisë. Shpesh ata janë më të përgjegjshëm ndaj të varfërve dhe ambientit.

Kisha të mos heqë dorë nga edukimi i krishterë

         Sinodi i kërkoi gjithashtu Kishës të mos heqë dorë nga edukimi i rinisë në shkolla e universitete, të cilat duhet të jenë vende të hapura, dialogu, vende për formimin e ndërgjegjeve e përforcimin e vlerave morale. Këshilla e ipeshkvijve: të bëhen përpjekje për t’i “shpëtuar” shkollat ekzistuese, në vend që të hapen të reja. Të mos bëhet prozelitizëm, por programet shkollore me frymëzim katolik të përforcohen, nënvizuan etërit sinodalë, se askush nuk e do verën me ujë. E të mos harrohen familjet e varfëra, që për arsye ekonomike, nuk mund t’u japin fëmijëve arsimimin e duhur.

17 tetor 2018, 15:09