Kërko

 Kongrgacioni i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve Kongrgacioni i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve 

Sinodi: Kisha t’i ndihmojë të rinjtë për të realizuar ëndrrat e tyre

Kongregacioni i 17-të i përgjithshëm, sot paradite, për Sinodin e ipeshkvijve, që vijon në Vatikan, me temë “Të rinjtë, feja dhe shqyrtimi i thirrjes”. Në qendër të vëmendjes gjatë punimeve, 14 Relacionet e Rretheve të vogla, kushtuar pjesës së tretë të Instrumentum Laboris. 235 Etër Sinodalë të pranishëm në Sallë.

R. SH. - Vatikan

Sa është e gatshme Kisha të “trazohet” nga ëndrrat e të rinjve e të ecë së bashku me ta, për t’i realizuar me risi e bukuri? Kjo, kërkesa e sotme në Sinod, në përfundim  të reflektimit mbi pjesën e tretë të Instrumentum laboris. Në Kishë - lexohet ndër disa prej 14 Relacioneve të Rretheve të vogla  - duhet  bërë kthesë  baritore misionare. Është kërkesë për vetë ndjekjen e Krishtit kjo kthesë, që synon risimin e Kishës, që të jetë më shumë e të shërbejë më shumë. Ëndrra e Sinodit është një Kishë më në përkim me Ungjillin. E një kontribut themelor për  ta vënë në jetë këtë kthesë vjen pikërisht nga të rinjtë: ata - nënvizuan Etërit Sinodalë - nuk duhet të jenë vetëm objekt i parapëlqyer i veprimtarisë baritore, por edhe subjekt, protagonistë e pjesëmarrës aktivë të proceseve vendimarrëse,  me frymë kolegjialiteti, sepse kanë diçka shumë të çmuar për të ofruar, me të cilën Zoti mund të bëjë mrekulli.

Sfidat e të rinjve sot

shumta, sfidat, që duhet të përballojnë të rinjtë e sotëm, si mënjanimi, posaçërisht i grave, viktima të maskilizmit e të pabarazisë; vartësitë e ndryshme; çështja e  homoseksualëve, të cilët duhen shoqëruar me një punë të veçantë baritore, që të rriten në fe e të mos diskriminohen, sepse Kisha i kundërvihet diskriminimit  kundër çdo njeriu apo grupi; papunësia; çështjet etike mbi temën e seksualitetit e  abortit, që duhen thelluar, për të shmangur pështjellimet; ndikimi i okultizmit; drama e shpërdorimeve, përballë së cilës Kisha mund e duhet reformuar, që të jetë vërtet mjedis i sigurt dhe i besueshëm. Përballë këtyre problemeve, Kisha ka si detyrë të dorës së parë ta përçojë dhuratën e fesë me shoqërim e integrim,  duke  u mbështetur në radhë të parë tek dëgjmi i Ungjillit e duke zgjedhur format më të frytshme të ballafaqimit me të rinjtë, si muzika e sporti. Kisha - u tha akoma në Sinod - duhet të jetë “në dalje”,  me një përshpirtëri të re misionare.

Baritoria rinore nuk duhet shkëputur nga baritoria familjare

Qëndror, edhe reflektimi mbi familjen, “kishë e vogël”, shkollë e dashurisë dhe e  njeridashjes, pikënisje për të arritur te Krishti; prandaj - theksuan Etërit Sinodalë -  baritoria rinore nuk mund as të mendohet e shkëputur nga ajo familjare. E pranë familjes, duhet rimenduar edhe famullia, si vend dëgjimi, bashkimi, misioni. Duhen bashkësi vëllazërore, gazmore, plot zell e hov - shpjegon Sinodi - në të cilat të rinjtë të mund të marrin mbi vete përgjegjësitë që u takojnë, edhe duke pësuar ndonjë dështim i cili, po të shoqërohen mirë, mund të shndërrohet në burim rritjeje. Thënë përmbledhtas, sipas Etërve, të rinjtë duhet të mësohen ta mbështesin gjithë besimin në Zotin, falë një baritorie vëllazërore, realizuar përmes formave  specifike, si oratori e shërbimi.

“Qytetari” dixhitale me përgjegjësi

Vëmendje e veçantë, veç të tjerash, i duhet kushtuar edhe botës dixhitale - shkruhet në shumë nga relacionet - si për anët pozitive në fushën e Ungjillëzimit,  ashtu edhe për aspektet negative, si pornografia dhe cyber-bullizmi. Sinodi kërkon promovimin e “qytetarisë dixhitale” me përgjegjësi. E akoma, Rrethet e vogla kujtojnë nevojën e inkurajimit të shkollave dhe universiteteve katolike për një formim të gjithanshëm të njeriut, që të jetë sa më cilësor, ndërdisiplinor, nxitës i kulturës së takimit, sepse të edukosh është akt dashurie e tharm bashkimi.

U fol edhe për angazhimin në favor të drejësisë shoqërore, duke prekur problemin e mprehtë të emigrantëve e duke theksuar se të rinjtë duhet të jenë apostuj të emigrantëve.

Thirrja për shenjtëri

Pastaj Sinodi reflektoi edhe mbi thirrjen për shenjtëri: të rinjtë e duan shenjtërinë e jetës e presin këshilla praktike, që t’i ndihmojnë në ndjekjen e kësaj rruge. Prej këndej, duhet pasur në qendër të vëmendjes përmasa shpirtërore, sepse u krijon të rinjve kushtet për ta shqyrtuar rrugën, që hap Zoti para tyre. Për këtë duhen shoqërues të mirëpërgatitur, që i ndihmojnë të rinjtë të zgjedhin rrugët më të mira  për të jetuar një jetë vërtet të krishterë: me lutje, lexime e kremtime eukaristike  të veçanta për ta. Kryesisht, të rinjve u duhet shpjeguar se mesha është takim me Zotin, çast në të cilin prekesh nga Krishti. E për këtë shpjegim duhet përdorur një gjuhë e përshtatshme, muzikore, artistike, poetike.

 

 

20 tetor 2018, 17:23