Kërko

Patriarku Sako Patriarku Sako 

Kardinali Sako: Sinodi është shkollë, ku mësuam shumë

Gjatë konferencës së shtypit, në përfundim të punimeve kushtuar pjesës së dytë të Instrumentum Laboris të Asamblesë XV të Përgjithshme të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, ndërmjet tjerëve, foli edhe kardinali Sako: “Kisha - deklaroi - ka dalë nga pallati, është tepër pranë popullit e shumë solidare me të”.

R. SH. - Vatikan

“Si Kishë, jemi mësuar të flasim me një gjuhë tradicionale, por sot duhet gjetur një gjuhë tjetër, e kuptueshme për të rinjtë”. Kështu u shpreh kardinali Louis Raphaeël I Sako, patriark i Babilonisë së kaldejve e Kryetar i Sinodit të Kishës kaldease, duke folur në konferencën, mbajtur  në Sallën e Shtypit të Vatikanit.

Sinodi është shkollë

Sinodi - vërejti kardinali Sako - është shkollë, ku mësuam shumë; e rrethet e vogla, në veçanti, janë përvojë e jashtëzakonshme dialogu, që do të na ndihmojë ta ndryshojmë punën tonë baritore. “Sepse - vijoi të shpjegojë kardinali – sinodi nuk është parlament politik. Ka shumë rëndësi ajo, që do t’u çojmë të rinjve tanë, ashtu si dëgjimi i shpresave të tyre, druajtjeve të tyre. Kisha - deklaroi - doli nga pallati, është shumë pranë botës, shumë solidare me njerëzimin”.

T’i ndihmojmë të krishterët të mos largohen nga Lindja e Mesme

Duke kujtuar luftën në Siri, Patriarku i Babilonisë së kaldenjve nënvizoi se “duhen inkurajuar të krishterët të mbeten në vend, të ndihmohen për të rindërtuar shtëpitë e tyre e të kenë një punë. Qeveria amerikane - shtoi -    vijon të bëjë shumë premtime e të japë njoftime. Të shohim! Si shembull  i progresit në dialogun ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, kardinali Sako kujtoi se në vitet e kaluara “të premteve ndër xhamitë mbahej një fjalim kundër të krishterëve e hebrenjve. Por tani është tejet i rrallë!”.

Sinodi, doracak për jetën

Kardinali Peter Kodwo Appiah Turkson, prefekt i Dikasterit për shërbimin  e zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, nënvizoi se çdo fëmije i duhet një doracak për jetën, që të mund ta gjejë vendin e vet në shoqëri. “Sinodi - kujtoi - është pjesë e një pune, që mund t’i ndihmojë të rinjtë të krijojnë doracakun e tyre”. Ne - shtoi - u kërkojmë të rinjve të dëgjojnë!

Plaga e drogës

Imzot Jaime Spengler, kryeipeshkëv i Porto Alegre, në Brazil, kujtoi  se ndërmjet plagëve të rënda, nga të cilat vuajnë të rinjtë në Amerikën Jugore, është drama e drogës. Në Brazil - vijoi - ka shumë sektorë të forcave politike, që kërkojnë liberalizimin e disa tipeve të drogës. E shoqëria nuk impenjohet për t’i shoqëruar këta njerëz. Janë hedhurinat, të kryqëzuarit e sotëm, që shoqëria nuk dëshiron t’i shikojë. Kisha në Amerikën Jugore angazhohet në këtë fushë. Kërkon, përmes një pune të jashtëzakonshme, t’i ndihmojë të rinjtë të dalin nga tuneli i drogës. Po nuk e kanë të  lehtë. Prej këndej, ka shumë familje, që e jetojnë këtë realitet të vështirë.

Protagonistë , jo spektatorë

Motra Maria Luisa Berzosa González, drejtoreshë e “Fe y alegria”, në Spanjë, pohoi se kjo është përvoja e saj e parë e Sinodit: “Më tërhoqën fort diskutimet, sepse dëshiroj ta mbroj Kishën nga brenda e jo ta shikoj nga jashtë, si spektatore. Kisha - shtoi - duhet të jetë më e pranishme, si popull i Zotit, e jo vetëm si hierarki”. Motër Maria uroi edhe që në asambletë e ardhshme sinodale, të marrë pjesë një numër më i madh grash. “Jam e lumtur - përfundoi - që shpërdorimet po zbulohen para syve të botës, sepse duhet të pastrohemi. Po kjo më bën edhe të vuaj: edhe në Kongregatën time ka pasur çaste të vështira”.

Hartimi i dokumentit përfundimtar

Paolo Ruffini, i Dikasterit të Komunikimit, kujtoi temat që u prekën një ditë më parë. U fol posaçërisht për fenomenin e emigracionit e, ndërmjet propozimeve që u bënë, ishte edhe ai i “krijimit të një rrjeti famullish në të gjithë botën”. Po famullitë nuk u mjaftojnë më të rinjve, që tashmë janë mësuar të krijojnë lidhje pa kufij. Paolo Ruffini kujtoi edhe se po mblidhet Komisioni për hartimin e dokumentit përfundimtar, që më pas do të diskutohet në Sallë, ku mund të propozohen ndryshime, shtesa, qortime. Dokumenti përfundimtar do të lexohet i tëri ditën e fundit të Sinodit, pastaj do të votohet pikë për pikë”.

17 tetor 2018, 12:26