Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Sinodi i ipeshkvijve 2018 Sinodi i ipeshkvijve 2018  (ANSA)

Thirrje për shenjtërim dhe impenjim në botë: dokumenti përfundimtar i Sinodit

“Të rinjtë kanë nevojë për shenjtorë”: Dokumenti përfundimtar i Sinodit të ipeshkvijve u propozon të rinjve periudha të gjata impenjimi e shërbimi. Nënvizohet krijimi i një ambienti mikpritës për homoseksualët, por pa ndryshuar doktrinën.

R.SH. - Vatikan

Të rinj, që pranohen, dëgjohen, shoqërohen nga të rritur, të cilët duhet të jenë dëshmitarë të besueshëm të Ungjillit. Të rinj, që bëhen protagonistë të misionit të Kishës, jo për ndonjë strategji marketingu, për besimin symbullur tek rrjetet shoqërore apo për diktate doktrinore të pamishëruara në Ungjill, por për takimin jetësor me Krishtin, dëshmuar në mënyrë që t’u prekë zemrat. “Të rinjtë kanë nevojë për shenjtorë, të cilët formojnë shenjtorë të tjerë”.

Sinodi i ipeshkvijve kushtuar të rinjve, që sapo përfundoi në Vatikan, publikon, me miratimin e Papës Françesku, Dokumentin përfundimtar, që duhet të ndryshojë baritorinë rinore të Kishës Katolike, duke filluar nga kthimi personal i secilit prej pjesëmarrësve, siç nënvizoi vetë Ati i Shenjtë në fjalën e mbylljes. “Tani – theksoi Papa – Shpirti Shenjt na jep dokumentin që të punojë në zemrën tonë; jemi ne përftuesit e parë të dokumentit, jo njerëzit jashtë”.Mbrëmë, duke mbyllur Sinodin e ipeshkvijve me temë “Të rinjtë, feja dhe shoshitja e thirrjes”, Ati i Shenjtë u dhuroi pjesëmarrësve një basoreliev të vogël bronxi, ku pasqyrohet Jezusi dhe dishepulli tij i dashur. Është vepër e artistit italian Gino Giannetti, prodhuar nga Thesari i Shtetit të Vatikanit vetëm në 460 kopje.

Shoqërimi i të rinjve

Por t’i kthehemi Dokumentit prej 167 paragrafesh, i cili ngul këmbë në shoqërimin, mikpritjen dhe shoshitjen e çështjeve, që kanë të bëjnë me rininë. Propozon një Kishë “sinodale”, e cila, ashtu si dishepujt e Emausit, është e vetëdijshme se Krishti ecën bashkë me të. Kësaj Kishe i kërkohet t’i shohë të rinjtë si protagonistë të misionit të saj ungjillëzues e t’u propozojë përvojën e shoqërimit – një periudhë, edhe të gjatë, për të jetuar larg ambienteve të zakonshme, duke iu kushtuar shërbimit e lutjes. Teksti përfundimtar sqaron se Kisha duhet t’i dëgjojë të rinjtë, pa u dhënë atyre përgjigje e receta të gatshme, të cilat nuk lejojnë të dalin në pah pyetjet e tyre të reja, që duhen konsideruar provokime për ta vrarë mendjen e për të gjetur përgjigje më të përshtatshme për moshën dhe kohën.

Impenjimi edukativ

Të shumta, temat e trajtuara në Dokument, i cili merr parasysh kulturat e ndryshme nga vijnë etërit sinodalë, ndryshimet ndërmjet burrave e grave e dhuratat e veçanta të secilit, së bashku me ndjeshmërinë e përvojën e ndryshme. Kjo larmi pasqyrohet në rolin e Kishës në fushën e edukimit, pasi në institucionet e saj shkollore ajo përfshin “gjithë të rinjtë, pavarësisht nga feja, prejardhja kulturore dhe gjendja personale, familjare a shoqërore” (par. 15).

Në Dokumentin përfundimtar të Sinodit vihet në dukje se është “familja, pika e privilegjuar e referimit” për Kishën dhe, i jepet rëndësi amësisë e atësisë, duke paralajmëruar prindërit dhe të rinjtë për mundësitë e rreziqet e ambientit dixhital. Përsa i përket kësaj pike të fundit, në paragrafin 146, Sinodi uron “që në Kishë të ngrihen, në nivele të përshtatshme, Zyra e organizma të posaçme për inkulturimin dhe ungjillëzimin dixhital”. Hipotizohet edhe një “sistem çertifikimi i faqeve katolike të internetit, për t’iu kundërvënë përhapjes së lajmeve të rreme mbi Kishën”.

Emigrantët

Një seksion i Dokumentit (25-28) u kushtohet emigrantëve, për të cilët, gjatë Sinodit, u fol nga perspektiva të ndryshme, ndihmuar nga prania e etërve sinodalë me preardhje nga vendet e emigrantëve dhe nga vendet e mbërritjes së tyre. U dëgjua britma e alarmit e atyre Kishave, besimtarët e të cilave detyrohen të lënë shtëpitë e atdheun për të shpëtuar nga persekutimet e nga lufta. Shqetësimi i Kishës është sidomos për ta, prandaj bën thirrje të mirëpriten e të konsiderohen pasurim për bashkësitë e për shoqëritë, ku duhet të integrohen.

Abuzimet

 Dokumenti përfundimtar i kushton një seksion të veçantë “gjithë llojeve të abuzimeve”, duke sqaruar se “Sinodi thekson impenjimin e vendosur për marrjen e masave rigoroze të parandalimit, që pengojnë përsëritjen e tyre, duke filluar që nga përzgjedhja dhe formimi” i njerëzve, që më vonë, do t’u besohen detyra e përgjegjësi edukative (par. 129). Sinodi “shpreh mirënjohje për ata, që kanë guximin ta denoncojnë të keqen e pësuar: e ndihmojnë Kishën të ndërgjegjësohet për ngjarjen e për nevojën e reagimit me vendosmëri”.

Drejtësia shoqërore dhe roli i Kishës

Seksione të ndryshme të Dokumentit përfundimtar merren me padrejtësitë shoqërore. Vihet në dukje se bota e punës është ambienti, ku të rinjtë shprehin krijimtarinë e tyre dhe aftësitë për risi, por edhe vendi nga ku përjashtohen e mënjanohen. Pastaj, dhuna e persekutimi, lufta e kriminaliteti, varësitë e ndryshme, që sjellin probleme shoqërore, por edhe impenjimi e pjesëmarrja e të rinjve në betejat shoqërore, pasioni i tyre për artin, muzikën e sportin. E më tej, çështja ekonomike e financiare brenda Kishës, si edhe impenjimi i saj ekologjik, për të cilat jepet si pikë referimi enciklika “Laudato sì” e Papës Françesku.

Në paragrafin 53, duke uruar një impenjim më të madh kishtar, ipeshkvijtë vënë në dukje se “një numër jo i vogël të rinjsh, për arsye nga më të ndryshmet, nuk i kërkojnë asgjë Kishës, sepse nuk e konsiderojnë të rëndësishme për jetën e tyre. Madje, disa kërkojnë shprehimisht të lihen në paqe, sepse e ndjejnë praninë e saj si të bezdisshme e madje, irrituese.

Kjo kërkesë, shpesh, nuk lind nga ndonjë përbuzje impulsive, por i ka rrënjët në arsye serioze e të respektueshme: në shkandullet seksuale dhe ekonomike; në meshtarët e papërgatitur, që nuk dinë ta kuptojnë ndjeshmërinë e të rinjve; në kujdesin e paktë për përgatitjen e homelisë e të paraqitjes së Fjalës së Zotit; në rolin pasiv, që u jepet të rinjve në bashkësinë e krishterë; në vështirësitë e Kishës për të mbrojtur qëndrimet e saj doktrinore dhe etike para shoqërisë bashkëkohore”. Etërit sinodalë nënvizojnë se të rinjtë duan të jenë protagonistë e këtu, hyn edhe vlerësimi i rolit të gruas në shoqëri e në Kishë. Dita Botërore e Rinisë, thuhet më tej, mbetet pikë referimi për të rinjtë e mijëvjeçarit të tretë.

Seksualiteti

Përsa i përket seksualitetit (149-150), Kisha pranon se nevojiten mënyra më të përshtatshme për të transmetuar këndvështrimin e krishterë mbi trupin dhe dashurinë njerëzore. “Duhet t’u propozohet të rinjve një antropologji e dashurisë dhe e seksualitetit, që t’i japë vlerën e duhur dlirësisë e pastrisë, duke dëshmuar me urti pedagogjike kuptimin e saj të vërtetë për zhvillimin e njeriut, në të gjitha fazat e jetës”.

Dokumenti përfundimtar flet edhe për “ndryshimet e harmoninë ndërmjet identitetit mashkullor e atij femëror, si edhe për prirjet seksuale”. “Zoti – shkruhet në tekst – do çdo njeri e kështu bën edhe Kisha, duke u impenjuar kundër çdo diskriminimi e dhune me bazë seksuale. Njëlloj, ripohon rëndësinë vendimtare antropologjike të ndryshimit e të reciprocitetit ndërmjet burrit e gruas dhe e konsideron reduktiv përcaktimin e identitetit të njeriut, duke u nisur vetëm nga  orientimi i tij seksual”. Sinodi vë në dukje se edhe për homoseksualët ekzistojnë tashmë udhë shoqërimi në fe, brenda Kishës, që duhen favorizuar për t’i ndihmuar ata ta gjejnë vetveten në bashkësi.

Shoshitja e thirrjes

 Etërit sinodalë u propozojnë Kishave lokale t’u ofrojnë të rinjve një përvojë shoqërimi për të shqyrtuar nëse kanë thirrje për t’ia kushtuar jetën Zotit. Sipas tyre, ky propozim duhet të parashikojë shkëputjen nga jeta e përditshme - edhe për një kohë të gjatë – gjatë së cilës të rinjtë të eksperimentojnë jetën vëllazërore së bashku me edukatorët, duke jetuar sa më thjeshtë e duke respektuar shtëpinë e përbashkët.

Dy strumbullarët e tjerë të kësaj përvoje janë: një propozim apostolik i rëndësishëm për t’u jetuar së bashku dhe një përshpirtëri e rrënjosur në lutje e në jetën sakramentore. Ndër paragrafët e fundit, etërit sinodalë nuk harrojnë edhe veten. “Ne – shkruajnë – duhet të jemi shenjtorë, që të mund t’i ftojmë të rinjtë të jenë të tillë.

Të rinjtë kërkuan me zë të lartë një Kishë të vërtetë, të ndritshme, transparente, të gëzueshme: vetëm një Kishë shenjtorësh mund të jetë në lartësinë e këtyre kërkesave! Shumë prej tyre e kanë lënë, sepse nuk kanë gjetur shenjtëri në të, por mediokritet, mendjemadhësi, përçarje dhe korrupsion. Fatkeqësisht, bota është indinjuar nga abuzimet e disa prej njerëzve të Kishës, në vend që të përtërihej nga shenjtëria e anëtarëve të saj: prandaj Kisha, në tërësinë e saj, duhet të bëjë një ndryshim të vendosur, të menjëhershën e radikal të perspektivës! Të rinjtë kanë nevojë për shenjtorë, që formojnë shenjtorë të tjerë, duke dëshmuar kështu se shenjtëria është fytyra më e bukur e Kishës”.

Votimi i dokumentit

 Dokumenti përfundimtar i Sinodit të ipeshkvijve kushtuar të rinjve, saktësoi mbrëmjen e djeshme prefekti i Dikasterit vatikanas për Komunikimin, Paolo Ruffini, u drejtohet vetë etërve sinodalë e Papa Françesku nuk ka vendosur ende nëse do të bëjë pjesë në Magjisterin e Kishës.

167 paragrafet u votuan me tejkalimin e votave të domosdoshme, të cilat u lëkundën ndërmjet 166 dhe 168 vota. Me 65 vota kundër e 178 vota pro, paragrafi më i diskutuar është 150-shi, ku flitet për homoseksualitetin, pa e ndryshuar doktrinën e deritanishme, por duke kërkuar të integrohen në Kishë homoseksualët.

Paragrafi tjetër më i diskutueshëm ishte n.121 mbi “formën sinodale të Kishës”. Mori 51 vota kundër e 191 pro. Vota kundër morën edhe paragrafi 3 – që e përcakton “Dokumentin përfundimtar si hartë për orientimin e hapave të mëpasme të Kishës”; 39 – që pohon se “shpesh, morali seksual është shkak moskuptimi e largimi nga Kisha, sepse perceptohet si hapësirë gjykimi e dënimi” – si edhe paragrafi 122, i dyti për sinodalitetin e Kishës.

Photogallery

Basorelievi i dhuruar nga Papa Françesku
28 tetor 2018, 13:37