Kërko

Kardinali Sergio da Rocha me Papën Françesku Kardinali Sergio da Rocha me Papën Françesku 

Sinodi: paraqitet projekti i Dokumentit përfundimtar

Javë përfundimtare për Sinodin kushtuar të rinjve, që vijon në Vatikan prej 3 tetorit. Punimet do të mbyllen të dielën, me meshën solemne në Bazilikën e Vatikanit. Sot paradite, u paraqit boca e Dokumentit përfundimtar.

R.SH. - Vatikan

Një duartrokitje e gjatë dhe e ngrohtë, ndërprerë nga thirrjet e herëpashershme të të rinjve, përshëndeti paraqitjen e bocës së Dokumentit përfundimtar të Sinodit të Ipeshkvijve, që do të mbyllet më 28 tetor, në Vatikan. Punë e lodhshme, entuziazmuese, e kujdesshme dhe, njëkohësisht, edhe garë kundër kohës: kështu mund të përmblidhet veprimtaria e Komisionit për Hartimin e Dokumentit, i cili punoi deri mbrëmë vonë. Ishte shembull i sinodalitetit, dëshmi e të cilit është marrëveshja e përkryer e një jezuiti dhe e një saleziani, komentuan me shaka dy sekretarët e veçantë, atë Giacomo Costa, jezuit, dhe atë Rossano Sala, salezian.

Instrumentum Laboris, tekst bazë referimi

         Projekti i dokumentit përfundimtar, shpjegoi në Sallë Relatori i Përgjithshëm, kardinali Sergio da Rocha, u hartua, duke u nisur nga Instrumentum Laboris, tekst bazë referimi. Megjithatë, ndërsa ai u përgatit pasi u dëgjua për dy vjet bota rinore, Dokumenti Përfundimtar është fryt i shoshitjes së Etërve sinodalë. Prandaj, janë dokumente të ndryshme, që plotësojnë njëri-tjetrin, për të dhënë së bashku “vizionin e çështjeve të ndërlikuara, që u ngritën dhe, të dinamizmave aktuale për t’i përballuar ato”. Duhen lexuar së bashku, nënvizoi prelati. Përveç Instrumentum Laboris, burime për Dokumentin përfundimtar janë edhe ndërhyrjet, relacionet dhe amendamentet e Sinodit.

Për udhë me dishepujt e Emausit

         Struktura themelore e Instrumentum Laboris ruhet në ndarjet tripjesëshe “të njohim, të interpretojmë, të zgjedhim”, megjithatë, dokumenti reflekton 3 idetë e pjesës së dishepujve të Emausit: “Ecte me ta”, “Iu hapën sytë” e së fundi, “u nisën pa vonesë”. Teksti është ndarë në 173 paragrafe, “fryt i punës në skuadër, janë autorë Etërit Sinodalë, pjesëmarrësit e Sinodit e në veçanti, të rinjtë – nënvizoi kardinali Da Rocha. – Projekti, akoma i rezervuar, iu dorëzua Etërve sinodalë, që tani do të marrin kohë për ta lexuar e mund të paraqesin propozime për shtesa dhe amendamente. Marrësi i parë e kryesor i Dokumentit përfundimtar është Papa” – kujtoi Relatori i Përgjithshëm. Me miratimin e Atit të Shenjtë, Dokumenti do të jetë në dispozicion të krejt Kishës.

Populli i Zotit, pikënisje e pikëmbërritje

Pikënisja e pikëmbërritja e Dokumentit është Populli i Zotit, me larminë e kulturave kishtare e shoqërore. Udha e Sinodit, nënvizoi kardinali Da Rocha, nuk ka përfunduar, pasi tani, hyhet në fazën zbatuese. “Ka shumë rëndësi që Kishat e veçanta dhe Konferencat ipeshkvnore të përvetësojnë në mënyrë krijuese e besnike dinamikën e Dokumentit, për t’ia përshtatur gjendjes së tyre gjithçka doli gjatë punimeve”. Pra, Sinodi nuk mbyllet me një sërë recetash baritore për t’u zbatuar. Gjithashtu, do të përgatitet një Letër për të rinjtë nga ana e të gjithë Etërve Sinodalë, pasi gjuha e përdorur në Dokumentin përfundimtar nuk është aq e lehtë.

Kisha po jeton një rast për ndryshim

         Në meditimin, që hapi lutjen e mëngjesit, një nga etërit sinodalë, duke reflektuar mbi kohët e vështira, që po përjeton Kisha, nënvizoi se Sinodi duhet të jetë një lloj “kairos”-i, pra, një rast për ta kthyer zemrën kah Zoti. Të rinjtë duan një Kishë transparente e të varfër, prandaj, fjalët e të Kryqëzuarit të Shën Damianit për shën Françeskun e Asizit, “Shko e ndreqe Kishën time”, janë sot nxitje për të gjithë. Pema e mbjellë pranë lumit, nuk e ka frikë vapën. Edhe në thatësirë, do të bëjë fruta, sepse rrënjët e saj marrin jetë nga lumi i ujit të gjallë, që është Jezu Krishti.

23 tetor 2018, 16:05