Cerca

Vatican News

Pali VI. Njeriu, Papa, shenjti

Pali VI i treguar në një WebDoc të ri të Dikasterit për Komunikimin në Vatikan. Tregimi, që do të fillojë më 4 tetor në të gjitha platformat dixhitale të Vatican News, do të zbulojë gradualisht historinë, gjestet, mendimet e Papës Montini, i cili do të kanonizohet më 14 tetor.

R.SH. - Vatikan

Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Komunikimin paraqiti sot në Filmotekën e Vatikanit, një WebDoc (dokumentar në internet) me episode, që titullohet “Pali VI. Njeriu, Papa, shenjti”. Një serial prej 12 episodesh, të cilat përqendrohen në aspekte të veçanta të jetës dhe të papnisë së Montinit, që do të publikohen në internet çdo ditë në Vatican News dhe në rrjetet shoqërore të të njëjtit portal, duke filluar nga 4 tetori.

Prodhuar nga Vatican Media dhe Ofiçina e Komunikimit

Prodhuar nga Vatican Media dhe Ofiçina e Komunikimit, cikli ka aktivizuar një rrjet të dendur bashkëpunimi në territorin që përfshin kryedioqezën e Milanos dhe dioqezën e Brescia-s, të cilat do ta publikojnë serialin dokumentaristik përmes kanaleve përkatëse të informacionit. Janë përfshirë gjithashtu edhe subjekte private si A35 Brebemi, Cisaf dhe Ubi Banca.

Më 14 tetorin e ardhshëm

Duke u bazuar në rezultatet e arritura nga seria kushtuar Papës Gjoni XXIII, me rastin e shtegtimit të relikeve të shenjtit në Bergamo dhe Sotto il Monte, WebDoc-u i ri do të shoqërojë kanonizimin e Papës Pali VI, më 14 tetor, me qëllim nxitjen e njohjes së Montinit, duke filluar nga ambienti dixhital. Në përputhje me përdorimin e tanishëm të mediave, seriali përbëhet nga videoklipe të shkurtra, bazuar në anekdota dhe në dëshmi të përfaqësuesve të Kishës dhe të kulturës, shoqëruar me audio dhe fotografi arkivore.

Dëshmitë

Tregimi, me këshillën e historianit të Kishës, Marco Roncalli, niset nga pritja e ngjarjes në Brescia dhe në Concesio, me ipeshkvin e qytetit lombard, imzot Pierantonio Tremolada, me famullitarin e fshatit ku lindi Montini, imzot Fabio Peli, dhe me disa anëtarë të bashkësisë lokale. Vijohet me atë Antonio Marrazzo, postulator i çështjes së shenjtërimit të Palit VI; me imzot Mario Delpinin, Kryeipeshkëv i Milanos; me imzot Filippo Santoron, kryeipeshkëv i Tarantos; me Andrea Riccardi-n, historian dhe themelues i Bashkësisë së Shën Egjidit. Gazetari i RAI-t, Tito Stagno kujton zbritjen në Hënë, në vitin 1969, që Pali VI e ndoqi drejtpërdrejt në televizion, ndërsa aktori italian Gigi Proietti reflekton ç’do të thotë të jesh artist sot, edhe në vazhdën e disa fjalimeve të Papës Pali VI mbi këtë temë. Momente të tjera të rëndësishme janë gjithashtu, vizita në OKB në vitin 1965; mesha e Krishtlindjes kremtuar, në të njëjtin vit, me punëtorët e polit siderurgjik të Tarantos; angazhimi për lirimin e politikanit të njohur italian, Aldo Moro; lindja e gazetës kishtare Avvenire.

02 tetor 2018, 16:46