Versioni Beta

Cerca

Vatican News

Ndriçim i ri për “Pietà”-në e Mikelanxhelos

Ndriçim i ri për “Pietà”-në e Mikelanxhelos. Sipas kardinalit Comastri, drejtor i Fabrikës së Shën Pjetrit, drita e re do të ndihmojë për ta kuptuar më mirë vlerën universale të veprës.

R. SH. - Vatikan

“Ndriçimi i ri, realizuar edhe në këndvështrimin shkencor, krijon mundësinë për ta admiruar e për ta kuptuar më mirë vlerën universale të veprës së Mikelanxhelos. “‘Pietà’ - apo Zoja e Dhimbshme - është vetë feja e Artistit të madh, skalitur në mermer”. Kështu e shpjegoi kardinali Angelo Komastri, drejtor i Fabrikës së Shën Pjetrit, ndriçimin e ri, falë të cilit kryevepra e famshme mikelanxholeske mund të shijohet tani nën një dritë të re, të shkëlqyer.

“Faktori dritë është tepër i rëndësishëm - shpjegon Pietro Zander, drejtues i zyrës së ruajtjes dhe restaurimit, pranë Fabrikës së Shën Pjetrit. - Mikelanxhelo e pati menduar këtë ndriçim me vlera të ulta, duke i lëmuar me shumë kujdes sipërfaqet, në mënyrë që grupi i mermertë të mund të shijohej edhe nën dritën e zbehtë të qirinjve. Është hera e parë që Fabrika e Shën Pjetrit e ndriçon me një kujdes kaq të madh, duke e veshur me dritën e burimeve Led, fjala e fundit e shkencës në këtë fushë, gjë që vë në dukje tonalitetet e bardha të ngrohta dhe siguron reflekse  të larta kromatike.

Projekti  i ri e realizoi  ndriçimin në katër skenare të ndryshme. “Skenari verior”, i njohur edhe me emrin “skulpturor”, synon ta përqendrojë dritën mbi skupturën, ndërsa dyshemeja, tavani e sfondi ndriçohen zbehtë. Krijohet, kështu, ekulibri i dritë-hijeve, duke nxjerrë në pah plasticitetin e veprës dhe duke krijuar mundësinë të shijohet çdo hollësi, e njëkohësisht, gjithë harmonia e skulpturës. Vijnë pastaj “Skenari lindor”, një fashë drite, që e ndriçon perpendikularisht Pietà-në, ndërsa qemeri e dyshemeja  mbeten në hije; “Skenari i jugut”, që njihet si “i dritës së plotë”, i cili i ndez gjithë aparatet, duke e bërë vetë skulpturën burim drite. Më pas, akoma, “Skenari i perëndimit”, i njohur me emrin “i përditshëm”, që i krijon vizitorit mundësi ta shijojë veprën përmes vetratës së mbrojtjes.  Prandaj ndriçimi është frontal e fashat e dritës kryqëzohen me skajet simetrike, për t’i krijuar spektatorit mundësinë ta shijojë plotësisht këtë kryevepër të pashoqe. Qemeri kryesor ndriçohet në mënyrë uniforme, ndersa harkadat dhe qemeret anësore marrin një dritë me intensitet më të ultë.

Kështu, pas këtij ndriçimi, vizitorët mund t’i provojnë akoma më thellë emocionet, që, me a pa dritë, vijuan t’i trondisin në shekuj para skenës tragjike skalitur në mermer, që e paraqet si të ishte e gjallë Marinë, Nënën e Krishtit me të Birin e sapozbritur nga kryqi në prehër.

30 tetor 2018, 15:17