Kërko

 Mesha për paqe në gadishullin korean Mesha për paqe në gadishullin korean 

Mesha për gadishullin korean. Kard. Parolin: paqja është, para së gjithash, dhuratë e Zotit

Paqja në botën e sotme, plot vuajtje e trazira, të jetë mision, siç na mëson Papa Françesku. Kardinali Pietro Parolin u lut për të, në Meshën kushtuar gadishullit korean, në praninë e presidentit të Koresë së Jugut.

R. SH. - Vatikan

“O Zot, krijues i gjithësisë, jepi njerëzimit të shqetë dhuratën e paqes së vërtetë, që të mund ta njohë me një gëzim të pahije, shenjën e mëshirës sate”. Kështu u lut sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, gjatë Meshës, kryesuar mbrëmë në Bazilikën e Shën Pjetrit, për paqen në gadishullin korean, në praninë e presidentit Moon Jaein Moon, pritur sot në audiencë nga Papa, të cilit i dorëzoi një mesazh.

Paqja, që i jep Zoti zemrës njerëzore, është mister shpirtëror

Duke iu drejtuar Presidentit, vëllezërve në ipeshkvni dhe anëtarëve të Trupit Diplomatik, kardinali Parolin e mori shtytjen nga fjalët e para, që u drejton Jezusi dishepujve pas Ngjalljes, si dhe nga ato, që i shqipton në Darkën e Mbrame: “Paqja qoftë me ju!”. E pastaj: “Po ju lë paqen, po ju jap paqen time. Po jua jap jo ashtu, si e jep bota. Të mos trazohet zemra juaj e mos kini frikë”. Paqja, që i jep Zoti zemrës njerëzore - vërejti në vijim - "është ai mister shpirtëror, që bashkon flinë e Kryqit, me pushtetin përtëritës të Ringjalljes”.

Gjatë homelisë, përkthyer për besimtarët e pranishëm, kardinali  nënvizoi realietin e vështirë, që jeton sot mbarë bota dhe nevojën e lutjes drejtuar Zotit për dhuratën e paqes. U ndalua posaçërisht tek gadishulli korean, duke uruar që, pas shumë vite tensionesh e përçarjesh, të mund të jehojë, më në fund, me plot gojën fjala “paqe”. Fjalë që - sqaroi - "vetëm kush e ka provuar misterin e pashqyrtueshëm të mungesës, në dukje, të Zotit përballë vuajtjes, shtypjes e urrejtjes, mund ta kuptojë me fund  ç’ do të thotë ta dëgjosh duke jehuar përsëri”.

Paqja është dhuratë e Zotit

Duke vijuar të flasë për vetë natyrën e paqes, kardinali Parolin dalloi  kuptimin që ka kjo fjalë për njerëzit vullnetmirë nga ai, që ka për besimtarët. Për të parët, paqja ndërtohet me veprimtari të përditshme në shërbim të drejtësisë, të solidaritetit, me promovimin  e të drejtave, të dinjitetit e të kujdesit për njerëzit më të ligshtë; ndërsa për besimtarët është, para së gjithash, dhuratë që vjen nga lart, nga vetë Zoti. Madje është shprehje e plotë e pranisë së Zotit, Atij,  që profetët e quajtën Princ i Paqes.

Paqja, përvojë e jetuar ndërmjet mundimeve

E dhurata e Zotit - vijoi kardinali Parolin - nuk është ide abstrakte, e largët, por përvojë e jetuar konkretisht, është paqe - në mes trazirave - siç e kujton shpesh Papa Françesku, duke na tërhequr vëmendjen të ruhemi nga një botë, “e cila të anestetizon, që të mos mund ta shohësh realitetin tjetër të jetës: kryqin”. Pra, paqja që vjen nga Zoti, shkon përtej shpresave thjesht tokësore, nuk është ardhmëri kompromisesh, por realitet i ri, që përfshin të gjitha përmasat e jetës, edhe ato misterioze  të kryqit e të vuajtjeve të pashmangshme të shtegtimit tonë tokësor. Prandaj feja e krishterë na mëson se “paqja pa kryq, nuk është paqja e Jezusit”.

Kardinali  rikujtoi, më pas, ftesën e Papës Pali VI, shenjtëruar të dielën e kaluar, për ta edukuar botën që ta dojë paqen, ta ndërtojë, ta mbrojë e të ngjallë  në zemër të breznive të sotme e edhe atyre të ardhshme, dashurinë për paqen e themeluar mbi të vërtetën, drejtësinë, lirinë e dashurinë.

Paqja në botën e sotme  të jetë mision

Në përfundim, kardinali Parolin iu lut Zotit t’i japë njerëzimit “hirin ta bëjë paqen mision të mirëfilltë në botën e sotme, me besim tek forca misterioze e Kryqit të Krishtit dhe tek ringjallja e Tij. Me hirin e Hyjit, udha e faljes bëhet e mundshme; zgjedhja e vëllazërisë ndërmjet popujve, fakt konkret; paqja, horizont i përbashkët i subjekteve të ndryshme, që i japin jetë bashkësisë ndërkombëtare.

Në përfundim të kremtimit, fjalët e Presidentit jugkorean Moon Jaein Moon, i cili i shprehu mirënjohjen e  tij të thellë kardinalit Parolin, që pati mirësinë ta kryesojë personalisht kremtimin. Më pas, falënderimi drejtuar Papës Françesku që - nënvizoi Presidenti - me lutjen e tij e mbështeti fuqimisht “udhën” e riafrimit të dy Koreve dhe ngjalli guxim e shpresë në zemrat e koreanëve, që e duan paqen dhe rizbuluan  kuptimin e vëllazërisë.

 

18 tetor 2018, 11:49