Kërko

  I lumi Tiburzio Arnais Munoz I lumi Tiburzio Arnais Munoz 

Kardinali Becciu: atë Arnaiz, shembull i dhurimit të vazhdueshëm të vetvetes

“Nuk mund të shpëtosh veten, pa shpëtuar të tjerët”: ky, sipas fjalëve të prefektit të Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, ishte tipari dallues i personalitetit të jezuitit atë Tiburcio Arnaiz Muňoz, lumnuar sot në Katedralen e Malagës, në Spanjë.

R. SH. - Vatikan

“Diti ta përshkojë me doktrinën e Krishtit mjedisin, në të cilin jetoi, duke kontribuar për misionin e Kishës në botë”. Këtë theksoi kardinali Angelo Becciu në homelinë e kremtimit të Lumnimit, duke i treguar Kishës dhe botës shembullin e  qartë  të fesë së atit jezuit spanjoll, Tiburcio Arnaiz Muňoz, që sot u lartua në nderimet e altarit, në Katedralen e qytetit Malaga, ku bëri mirë gjithë jetën.

Bari me erën e deleve

Kardinali e kujtoi këtë shprehje tipike të Papës Françesku, për të përshkruar të Lumin e ri, feja e thellë e të cilit u pasurua me ndjenjën e pranisë së Zotit e të gatishmërinë për ta jetuar jetën në përkim të plotë me vullnetin hyjnor. Meshtari ishte gjithnjë ndërmjet të fundmëve e të përjashtuarve të rrethinave më famëkëqija të qytetit. Aty e zhvilloi apostullimin, duke dhuruar gjithë vetveten në shërbim të kumtimit të Fjalës së Zotit. E me që e mira shumëzohet gjithnjë përmes ndarjes së përbashkët e fara e Ungjillit mbin përherë, ku ka dashuri, në katekizmin e  tij nisi të marrë pjesë një grup besimtaresh laike, që impenjoheshin  posçërisht në zonat më të humbura bujqësore, duke vënë bazën e atyre, që sot njihen si misionaret e doktrinave fshatarake.

Kush do ta pranojë Jezusin, do të shpëtojë!

Atë Tiburcio është shembull i përsosur i njeriut, që diti ta pranonte Krishtin, e jo vetëm me fjalë, por edhe e kryesisht, me fakte, me dëshminë e jetës së tij. Në Gjyqin e mbramë - kujtoi kardinali Becciu - gjithçka do të varet nga dy fjalë, që do të na i kujtojë Krishti, kur të dalim pra Tij: më pranove, apo më mohove? E ta pranosh Krishtin - shpjegoi akoma kardinali - do të thotë të mos kesh frikë të pohosh para gjithë botës se je i krishterë; ndërsa ta mohosh, do të thotë të heqësh dorë nga Krishti, nga mësimi i Tij i jetës, nga dashuria, drejtësia, paqja e vëllazërimi i Tij.

I Lumi i ri, njeri që nuk kënaqej kurrë

Ky, mësimi që i jep njeriut të sotëm atë Tiburcio - sipas prefektit – ai që, pas dymbëdhjetë vjetësh shërbimi dioqezan, deshi të hyjë në Shoqërinë e Jezusit, sepse ndjente një dëshirë të zjarrtë për t’ia dhuruar gjithë vetveten të tjerëve e për ta riafirmuar shenjtërinë e tij meshtarake në udhën, që e  çonte mes të ligshtëve, deri në heroizëm.

Ky stil i pranisë meshtarake e kristiane në botë, është shumë i nevojshëm edhe në shoqërinë e sotme!

 

20 tetor 2018, 17:32