Kërko

Kardinali Marc Ouellet Kardinali Marc Ouellet 

Kard. Ouellet për Viganò: “të rreme, akuzat e tua kundër Papës”

Prefekti i Kongregatës për Ipeshkvijtë, kardinali kanadez Marc Ouellet i shkruan imzot Carlo Maria Viganò, duke theksuar se akuzat e tij kundër Papës janë montaturë politike, pa baze reale. Pastaj, thirrja: dil nga klandestiniteti e pendohu.

R.SH. - Vatikan

Akuza “të rreme” kundër Papës, pohime “blasfeme”, “montaturë politike”. I ashpër, reagimi i kardinalit kanadez Marc Ouellet, prefekti i Kongregatës së Vatikanit për Ipeshkvijtë, ndaj të ashtuquajturit “memorial” të ish-nuncit në SHBA-të, imzot Carlo Maria Viganò, i cili, më 26 gusht, duke i kërkuar dorëheqjen, e pati akuzuar Papën Françesku dhe Kurien Romake se nuk i kanë marrë parasysh informacionet për abuzimet seksuale të ish-kardinalit të Uashingtonit, Theodore McCarrick. Madje, Papa akuzohej se faktikisht, e kishte anuluar “dënimin” për të kaluar një jetë të rezervuar, dhënë nga Papa aktual i nderit Benedikti XVI.

Letër e hapur

         Pas komunikatës së Vatikanit, publikuar të shtunën, dje, një letër e hapur dhe e gjatë e kardinalit Ouellet (origjinali në frëngjisht) – i cili përmendet në dosjen Viganò – i përgjigjet pikë për pikë çështjeve, që shtron ish-nunci, duke ngritur akuza të rënda kundër tij. Prefekti i ipeshkvijve e quan “të pakuptueshëm dhe jashtëzakonisht të dënueshëm” qëndrimin e imzot Viganò-së. Përmend menjëherë audiencën e Papës së sapozgjedhur Bergoglio për nuncët, më 23 qershor 2013, gjatë së cilës, përfaqësuesi i atëhershëm vatikanas në SHBA thotë se e paskësh informuar mbi problemet e McCarrick. “Imagjino sasinë e stërmadhe të informacioneve me gojë e me shkrim, që Atit të Shenjtë i është dashur të mbledhë në atë rast, për një sërë njerëzish e gjendjesh – pohon kardinali Ouellet. – Dyshoj shumë që McCarrick i ka zgjuar interesin deri në atë pikë, që ti do të doje të besojmë, pasi ai ishte kryeipeshkëv në pension, 82 vjeçar e, prej shtatë vjetësh, pa asnjë detyrë”.

Roli i kard. Giovanni Battista Re e i Gjon Palit II

         Dihet se “ish-kardinali, dalë në pension në maj 2006, ishte këshilluar fuqimisht të mos udhëtonte e të mos dukej në publik, që të mos shkaktonte fjalë të tjera”, por “nuk është e drejtë të paraqiten masat kundër tij si ‘sanksione’ të dekretuara nga Papa Benedikti XVI e të anuluara nga Papa Françesku”. Në të vërtetë, në arkiv, “nuk ka dokumente për këtë, nënshkruar nga njëri apo tjetri Papë”, as ndonjë notë të paraardhësit të kard. Ouellet, pra, të kard. Giovanni Battista Re, që ta detyronin McCarrick të jetonte “në heshtje e në jetë private, me rreptësinë e ndëshkimeve kanonike”. E kjo, sepse, “në ndryshim nga sot, atëherë, nuk kishte prova të mjaftueshme për fajësimin e tij”. Kreu i dikasterit vatikanas përmend si të mangët procesin e caktimit të Theodore McCarrick si kardinal, në kohën e Papës Gjon Pali II. “Unë vetë –shkruan ai – mbeta tepër i habitur dhe e pranoj se ka pasur mangësi në procesin e përzgjedhjes, në këtë rast”, por “vendimet e marra nga Ati i Shenjtë mbështeten mbi informacionin, që ka në atë çast e janë objekt i një gjykimi, i cili nuk është i pagabueshëm”.

Nuk ka “lobby gay” në Vatikan

         Kardinali Ouellet hedh poshtë edhe akuzën për një “lobby gay” në Vatikan, ide e mbështetur fort nga imzot Viganò: “fakti që në Vatikan, mund të ketë njerëz, që praktikojnë dhe mbështesin sjellje në kundërshtim me vlerat e Ungjillit përsa i përket seksualitetit, nuk na autorizon ta përgjithësojmë çështjen e të deklarojmë të padenjë apo bashkëfajtor këtë e atë e, madje, edhe vetë Atin e Shenjtë”. E paralajmëron: “a nuk duhet, para së gjithash, që shërbëtorët e së vërtetës të ruhen nga shpifjet dhe përgojimet?”

Akuzat kundër Papës Françesku nuk qëndrojnë

         Me një fjalë, “të akuzosh Papën Françesku se e ka mbuluar me vetëdije këtë, që dyshohet të jetë keqbërës seksual, duke e bërë kështu bashkëfajtor në korrupsionin brenda Kishës, aq sa ta konsiderosh të padenjë për të vijuar reformën si bariu i parë i Kishës, më duket e pabesueshme dhe e pamundur nga të gjitha pikpamjet”, shkruan kard. Ouellet. Një “akuzë monstruoze, që s’qëndron”, pasi Papa Françesku s’ka të bëjë me promovimin e McCarrick, madje ia hoqi kardinalatin kur “u bë e besueshme akuza për abuzimin e të miturve”. E këtu, kardinali i drejtohet ashpër imzot Viganò-së: “kur lexova si e përfundon mesazhin e fundit, në dukje shumë shpirtëror, duke u tallur e duke hedhur dyshime mbi fenë [e Papës], m’u duk vërtet tepër sarkastike, madje blasfeme! Kjo s’mund të vijë nga Shpirti i Zotit”.

Thirrje drejtuar imzot Viganò-së që të pendohet

         Prelati kanadez vë në dukje se e kupton “hidhërimin dhe zhgënjimin” e imzot Viganò-së, por i bën thirrje të heqë dorë nga ky “rebelim i hapur e shkandullues”, që “i hap një plagë tepër të dhimbshme” Kishës; e fton “të dalë nga klandestiniteti”, “të pendohet për revoltën e tij”, për “sulmin e padrejtë e të pajustifikueshëm” kundër Papës, të cilit i lavdëron “integritetin personal” “përkushtimin ndaj misionit”, “karizmën profetike për Kishën e për botën”. Akuza e imzot Viganò-së nuk është tjetër, veçse “një montaturë politike pa bazë reale”, përfundon prefekti i Kongregatës së Vatikanit për Ipeshkvijtë, kardinali Marc Ouellet.

08 tetor 2018, 14:33