Kërko

Asambleja e OKB-së Asambleja e OKB-së 

Imzot Gallagher në OKB: shkandulli i shkeljes së të drejtave të njeriut

"Cilësia e një qytetërimi varet edhe nga mënyra se si trajton më të ligështit": kështu tha kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, në fjalimin e tij të djeshëm në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, që po mbahet në Nju Jork.

R.SH. - Vatikan

Kanë kaluar 70 vjet nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, miratuar më 10 dhjetor 1948, prandaj "është shkandulluese" që akoma sot – denoncoi imzot Gallagher, kreu i delegacionit të Vatikanit – vërehen shkelje të shumta të dinjitetit të njerëzve në botë, në dritën e raportit mbi gjendjen aktuale, paraqitur në Asamble nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së. Edhe pse janë bërë shumë hapa përpara, "sfidat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut janë të shumta e përbëjnë një fenomen global".

Mungesa e të drejtave për gratë dhe fëmijët

Një ndër 10 fëmijë - theksoi prelati – akoma i nënshtrohet punës së të miturve; një në tre të burgosur, aktualisht, është në pritje të gjykimit; tre ndër dhjetë fëmijë, nën pesë vjeç, nuk janë regjistruar në lindje; 250 milionë vajza janë martuar nën 15 vjeç.

Zhvillimi tërësor i njeriut

Për të dalë nga kjo gjendje, këshilloi përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë, duhet vazhduar udha e "zhvillimit të gjithanshëm njerëzor", duke vendosur në qendër të saj njeriun dhe vlerat e tij e duke afirmuar "të drejtat e natyrshme të gjithë burrave e grave, pavarësisht nëse të moshuar apo të rinj, të pasur a të varfër, të fortë apo të brishtë, të shëndetshëm a të sëmurë, të dashur a të padashur, ekonomikisht produktivë a të paaftë, politikisht me influencë a të parëndësishëm. Në të vërtetë, bota - paralajmëroi prelati - ka nevojë të rifitojë një botëkuptim të gjithanshëm mbi njeriun, mbi dinjitetin e të drejtat njerëzore, pasi çdo këndvështrim reduktiv, pashmangshëm, i shpersonalizon dhe faktikisht, i përjashton disa njerëz nga përkatësia në racën njerëzore, duke i hapur rrugën pabarazisë e padrejtësisë”.

Mbrojtja e jetës që nga fillimi deri në fund

Në veçanti, imzot Gallagher shprehu shqetësimin e Selisë së Shenjtë mbi interpretimin e gabuar të disa të drejtave njerëzore, shpesh në kontradiktë me njëra-tjetrën dhe në kundërshtim me kulturën e shumë vendeve; nocione të diskutueshme, që, në fakt, minojnë parimet e mishëruara në Deklaratën Universale, me rrezikun që "të vendosen forma moderne të ‘kolonizimit ideologjik’ të më të fortëve dhe më të pasurve, në kurriz të më të varfërve dhe më të brishtëve", siç vë në dukje edhe Papa Françesku, në fjalimin e tij për Trupin Diplomatik në Selinë e Shenjtë, janarin e kaluar. Në këtë kuadër, shkakton shqetësim të veçantë “interpretimi gjithnjë e më kufizues – denoncoi imzot Gallagher – i së drejtës për jetën", duke përjashtuar mbrojtjen e saj nga fillimi në fund.

02 tetor 2018, 16:44