Kërko

Kardinali shqiptar Ernest Simoni Troshani me dom David Gjugja1aem.jpg

90-vjetori i kardinalit Ernest Simoni: jetë martirësh, dëshmi për Krishtin

Kardinali shqiptar Ernest Simoni Troshani, pikërisht sot, mbush 90 vjeç. Martir i gjallë, i cili përveç peshës së viteve, ka mbi supe një histori të tërë persekutimesh e burgjesh komuniste, por edhe një jetë feje të gjallë në Krishtin.

R.SH. - Vatikan

90 vjet janë një moshë e rëndësishme, për të cilën çdo njeri duhet të falenderojë Zotin. E aq më shumë një martir i gjallë, i cili përveç peshës së viteve, ka mbi supe një histori të tërë persekutimesh e burgjesh komuniste, por edhe një jetë feje të gjallë në Krishtin.

Ky martir i gjallë është kardinali shqiptar Ernest Simoni Troshani, i cili pikërisht sot mbush 90 vjeç. Nuk është data, që i figuron në dokumente, por ai e di mirë se nuk e regjistruan në datën e lindjes, por në ditën e Pagëzimit, siç ndodhte rëndom para 90 vjetësh. Të pagëzuarin e atëhershëm në Krishtin, bota e tërë e njohu vetëm më 21 shtator të vitit 2014, ditën kur në katedralen e Shën Palit në Tiranë, Papa Françesku, në vizitë njëditore në Shqipëri, dëgjonte i mallëngjyer dëshminë e tij. I burgosur, i torturuar, i përçmuar në punë të detyruar, disa herë i dënuar me vdekje, don Ernesti ia besoi jetën e vet Jezusit e kështu i mbijetoi totalitarizmit, pa u përçudnuar.

E ndërsa u thoshte të gjithëve se nuk ishte i denjë për kardinal, kur Papa e krijoi të tillë, i bëri katolikët t’u vinin në mend fjalët e himnit të mrekullueshëm ungjillor: “I rrëzoi princat prej froneve të tyre e i lartësoi të përvuajturit”.  Ashtu siç do të lartoheshin, menjëherë pas tij - kësaj radhe në nderimet e altarit - edhe 38 martirë të lumë shqiptarë. Ata u martirizuan për fenë, ndërsa njerëz si kardinal Simoni jetojnë akoma, për të dëshmuar Krishtin, për të na treguar ferrin nga kanë dalë, që më të rinjtë as ta mendojnë se mund të kthehen.

 Prandaj, këto 90 vjet janë jashtëzakonisht të vlefshme; prandaj, kardinalit Ernest Simoni Troshani i vijnë sot urime nga të gjitha anët e botës e sidomos nga shqiptarët kundo ndodhen, me të cilat bashkohen edhe urimet tona, të redaksisë shqipe; prandaj, ia vlen t’ia drejtojmë edhe një herë mikrofonin, siç kemi bërë shpesh, për të dëgjuar dëshminë dhe këshillat e tij, sepse nëse i ndjekim, e dimë më siguri se “dyert e ferrit nuk do të ngadhnjejnë”, siç nuk ngadhnjyen. Ta dëgjojmë, intervistën e don David Xhuxhës me kardinalin Ernest Simoni Troshani…

Ta dëgjojmë, në intervistën e don David Xhuxhës me kardinalit Ernest Simoni Troshani…
18 tetor 2018, 13:49