Kërko

35 vjet më parë, lindi Qendra Televizive e Vatikanit, sot Vatican Media

Më 22 tetor 1983, fillonte punën Qendra Televizive e Vatikanit, sot Vatican Media. Sfidat e sotme të një realiteti, i cili është zhvilluar e ka ndryshuar thellësisht në vite.

R.SH. - Vatikan

Si sot, 35 vjet më parë, fillonte punën Qendra Televizive e Vatikanit. Qe Papa Gjon Pali II ai, që e deshi me forcë dhe e themeloi më 22 tetor 1983. Që atëherë, kjo Qendër ka bërë një udhë të gjatë, siç pati thënë Papa Françesku në vitin 2013, kur po në tetor, priti punonjësit dhe bashkëpunëtorët e saj. Atëherë, Ati i Shenjtë përmendi “sfidat e rëndësishme teknologjike”, që, vetëm dy vjet më vonë, do të çonin drejt sistemit të ri të informacionit të Vatikanit.

Nga veprimtaria e përditshme tek udhëtimet e Papës

         Qendra Televizive e Vatikanit (CTV), sot Vatican Media, furnizon televizionet e mediat e tjera me transmetimet e drejtpërdrejta të veprimtarisë së Papës, si për shembull, me lutjen e Engjëllit të Tënzot, me audiencat e përgjithshme, me manifestimet apo kremtimet e ndryshme, të cilave u shtohen edhe udhëtimet e Atit të Shenjtë në Itali e në botë. Gjithashtu, regjistron përditë veprimtarinë publike të Papës dhe ngjarjet kryesore në Selinë Apostolike. Ua jep këto pamje agjencive dhe televizioneve, që i kërkojnë, si edhe administron arkivin filmik që nga vitet ’80. Por, jo vetëm kaq.

Zhvillimi i prodhimtarisë së Qendrës

         “Gjatë këtyre viteve ka pasur një zhvillim të madh cilësor të Qendrës Televizive të Vatikanit fillimisht, e pastaj, të Vatican Media”, shpjegon koordinatori i Departamentit të prodhimeve audiovizive të Dikasterit vatikanas për Komunikimin, Stefano D’Agostini. “Kemi filluar bashkëpunime për prodhime të mëdha filmike me transmetues ndërkombëtarë si Rai dhe Sky e kemi arritur të realizojmë produkte, që janë njohur botërisht. Në veçanti, filmi i regjisorit Wim Wenders është vlerësuar shumë këto ditë në sallat e kinemave. Pastaj, prodhime të tjera si për shembull, dokumentari për Rojet Zvicerane, që u paraqit në Festivalin e Venedikut. Me një fjalë, prodhime cilësore. Gjithashtu – kujton D’Agostini – po ndjekim edhe fillin e artit e të fesë në prodhimet kinematografike”.

Arkivi papnor

         “Përkujtimi i sotëm – vëren më tej koordinatori – nxjerr në pah pjekurinë e arritur si nga pikpamja e produktit filmik, ashtu edhe nga pikpamja e pasurisë së prodhuar: ne kemi një trashëgimi të pallogaritshme, që përbëhet nga 35 vjetët e arkivit të veprimtarisë papnore. E gjithë veprimtaria, e transmetuar dhe e patransmetuar, ruhet në arkivat e Ctv-Vatican Media. Këto arkiva janë pasuri e çmuar e si të tilla i kemi trajtuar: Kemi zgjedhur një sistem arkivimi dixhital, garantuar për 100 vjet. Kjo është perspektiva jonë: t’u transmetojmë me cilësinë më të mirë të mundshme brezave të ardhshëm - historianëve, që do të merren me historinë e papëve jo më aq mbi librat, se sa mbi videot e audiot - një platformë të denjë, edhe pas shumë vitesh”.

22 tetor 2018, 13:28