Kërko

Sicilia po përgatitet për vizitën e Papës Sicilia po përgatitet për vizitën e Papës 

Veprimtaria e Papës dhe e Kishës nëpër botë

Nga Palermo, për vizitën e Papës, e deri në Sudanin e Jugut: një javë me veprimtari kishtare.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku në Palermo

Palermo vlon nga përgatitjet për pritjen e Papës Françesku, i cili do të shkojë në qytetin sicilian, më 15 shtator, me rastin e 25-vjetorit të martirizimit të mështarit italian, don Pino Puglisi, tashmë i lum. Ati i Shenjtë do të kremtojë meshën në Foro Italico e pastaj, do të drekojë në Misionin kishtar “Shpresë e bamirësi”. Priten besimtarë nga i gjithë rajoni e, ndërsa po ndërtohet tribuna, janë prenotuar 500 autobuza.

Papa Françesku në vendet balltike

 “Shtetet balltike të Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë po festojnë 100-vjetorin e deklaratës së pavarësisë. Ky kremtim është edhe rast për reflektim mbi dhuratën e lirisë, si edhe për koston e saj. Kjo dhuratë kërkon prej nesh të punojmë për të mirën e përbashkët e për paqen”. Kështu deklaron kryeipeshkvi i Vilniusit, imzot Gintaras Grusas, kryetar i Konferencës ipeshkvnore lituaneze, duke hapur horizontin për vizitën e ardhshme të Papës Françesku në vendet balltike, nga 22 deri më 25 shtator.

Shtatori, thotë ipeshkvi në një intervistë, publikuar edhe nga agjencia katolike Sir, shënon edhe 25-vjetorin e vizitës së Papës Gjon Pali II në këto vende, gjatë së cilës u pati dhënë guxim shteteve të reja, në fillim të udhëtimit të tyre si republika të pavarura.

Një vit më parë, Papa në Kolumbi

Nga 6 deri më 10 shtator të vitit të kaluar, Papa Françesku pati shkuar në Kolumbi. “Hapja zemrën Popullit të Zotit dhe pajtohu”: ky qe mandati, që i la Ati i Shenjtë vendit latinoamerikan, në udhëtimin e tij të 20-të apostolik ndërkombëtar, gjatë të cilit preku Bogotanë, Villavicencio, Medellìn dhe Cartagena-n. Konferenca Ipeshkvnore Kolumbiane ia ka kushtuar krejt muajin e shtatorit, nismave përkujtimore.

Të rinjtë: një Sinod i domosdoshëm

Në prag të Sinodit të të rinjve, revista e jezuitëve “La Civiltà Cattolica” jep një kontribut për reflektimin sinodal, përmes kujtimit të fjalëve të Papës, në raste të ndryshme. Gjithashtu, revista ia kushton numrin e katërt të kolanës monografike dixhitale “Accènti”, pikërisht të rinjve.

“Kisha sot, ka nevojë të zhvillojë aftësinë e shqyrtimit shpirtëror”: kështu i tha Papa Françesku një grupi jezuitësh polakë, më 30 korrik 2016, gjatë Ditës Botërore të Rinisë, në një bisedë të botuar atëherë, ekskluzivisht, në “Civiltà Cattolica”.

Më pas, më 6 tetor 2016, Ati i Shenjtë njoftoi për mbledhjen e Asamblesë XV të Përgjithshme të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve pikërisht mbi temën “Të rinjtë, feja dhe shoshitja e thirrjes”, që do të mbahet në Romë nga 3 deri më 28 tetor të këtij viti. Dy argumentet kryesore – të rinjtë dhe thirrja – për Papën Françesku janë të lidhura pazgjidhshmërisht: njëri ndriçon tjetrin.

Kardinali Marx: Kisha duhet të punojë për bashkimin më të madh në Evropë

Në një intervistë për radion Deutsche Welle, kohët e fundit, kryeipeshkvi i Mynihut dhe i Freisingut, kardinali Reinhard Marx, nënvizoi se Kisha duhet të mbështesë unitetin shoqëror dhe politik në Evropë. Pas vizitës në Gdansk të Polonisë, me rastin e përvjetorit të Solidarnoshit, që luajti një rol të rëndësishëm në rënien e komunizmit, kardinali tha se bashkimi, sipas stilit të asaj sindikate, tregon se “gjërat mund të ndryshohen”, edhe kur duken të paprekshme. Jemi të lidhur me njëri-tjetrin, theksoi ai, përmes formave të ndryshme të solidaritetit, që na ndihmojnë t’i ruajmë liritë individuale të fituara me mundim të madh. E mbrojtja e tyre, së paku në Bashkimin Evropian, varet nga hapat, që do të bëjnë vendet anëtare drejt një kontinenti më shoqëror. “Për shembull, përmes Bashkimit Evropian, përmes traktateve, përmes parlamentit, përmes parimeve udhëheqëse”, jemi të ndërvarur e s’mund të bëjmë pa njëri-tjetrin, prandaj duhet edhe të luftojmë për njëri-tjetrin, t’i ndihmojmë të tjerët, në mënyrë që rezultati të jetë pozitiv për të gjithë.

Sudani i Jugut

 “Ka akoma shumë interesa të njëanshme dhe personale, që pengojnë arritjen e marrëveshjes së paqes”: kështu flet për agjencinë katolike Fides, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Sudanit dhe të Sudanit të Jugut, imzot Barani Edward Hiiboro Kussala, në vizitë ad Limina në Romë.

Negociatat aktuale në kryeqytetin sudanez, Khartoum, sponsorizohen nga IGAD (Autoriteti Ndërqeveritar për Zhvillimin) e në veçanti, nga dy anëtarë të tij, Sudani dhe Uganda, që kanë ndikim të madh në dy palët ndërluftuese në luftën civile të Sudanit të Jugut. Kujtojmë se në dhjetor 2013, shpërtheu një konflikt etnik ndërmjet forcave qeveritare të presidentit Kiir, të etnisë dinka dhe, besnikëve të ish-zv.presidentit Machar, të etnisë nuer. Imzot Kussala nënvizon se palët nuk janë në gjendje të lënë mënjanë divergjencat e të ulen si duhet në tryezën e bisedimeve.

09 shtator 2018, 09:59