Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Papa Françesku me rininë në një nga takimet para-sinodale Papa Françesku me rininë në një nga takimet para-sinodale  (ANSA)

Atë Costa: Sinodi nuk është ngjarje, por proces gjithëpërfshirës

Sinodalitet, shoshitje, kolegjialitet: këto janë konceptet bazë të Kushtetutës apostolike “Episcopalis communio” të Papës Françesku, me të cilën Ati i Shenjtë ripërcakton normat e strukturës dhe të zhvillimit të Sinodit të ipeshkvijve.

R.SH. - Vatikan

Më 6 tetor, Papa do të takojë në Sallën Pali VI, së bashku me etërit sinodalë, edhe  të rinjtë, që kanë marrë pjesë në mbledhjet para Sinodit të Ipeshkvijve kushtuar atyre. Do t’u dëgjojë propozimet, të cilat mund të gjejnë vend në Dokumentin përfundimtar të Sinodit, që do të mbahet gjatë tetorit në Vatikan. Punimet do të zhvillohen nga 3 deri më 28 tetor, duke ndjekur vijat e Kushtetutës së re apostolike, botuar dje, “Episcopalis communio”, temat kryesore të së cilës i shpjegon në mikrofonin e Radio Vatikanit, një nga Sekretarët e veçantë të Sinodit, atë Giacomo Costa, jezuit:

         Një nga risitë e Kushtetutës është të vërë në dukje se Sinodi nuk është ngjarje, që parashikon zënien e një hapësire në Romë për një muaj, por është proces, që lind nga dëgjimi i Kishës, i Popullit të Zotit, nga besimi në aftësinë e tij për ta interpretuar situatën. Siç u eksperimentua pak në Sinodet për familjen, e akoma më shumë në këtë Sinod për të rinjtë, saktësohet se është proces, rrugë, që nuk përfshin vetëm disa, por vë në lëvizje krejt Kishën. Pra, edhe fjalë të tjera kyçe të magjisterit të Papës Françesku, si “sinodalitet” dhe “shoshitje”, jetohen efektivisht. Dëgjimi i zërit të Zotit në këto çaste, në këtë situatë, bëhet më tepër i mundur me këtë strukturë të Sinodit, sepse na lejon të ngremë pyetje, të thellohemi më shumë në çka po jetojmë, të kuptojmë më mirë në ç’drejtim po na thërret Zoti, si Kishë.

Një dokument, pra, që shkon drejt rritjes së kolegjialitetit në Kishë?

         Sigurisht. Parashikohet mundësia që dokumenti përfundimtar i Sinodit të jetë pjesë e magjisterit të zakonshëm. Kjo do të thotë se, në fund të fundit, nuk është vetëm Papa, që prononcohet me Nxitjen e tij Apostolike, por vlerësohet më shumë udha e përbashkët, e cila ka një rëndësi të veçantë për Kishën, rëndësi mësimdhënie, që më parë nuk e kishte.

Rasti i parë për t’i vënë në zbatim këto udhëzime do të jetë Sinodi kushtuar të rinjve, që do të mbahet nga 3 deri më 28 tetor. Duke pasur parasysh listën e pjesëmarrësve, ç’karakteristika mund të nënvizoni?

         Së pari, saktësoj se vërtet që pjesëmarrësit janë rreth 300-400 etërit sinodalë të pranishëm në Romë, por në fazën përgatitore, kanë marrë pjesë shumë njerëz: na kanë ardhur përgjigjet e pyetësorëve nga Konferencat Ipeshkvnore, nga të rinjtë… ka pasur mbledhje para-sinodale me vetë të rinjtë, me ekspertët… Me një fjalë, nuk duhet të gënjehemi nga fakti se ekziston një listë: pjesëmarrësit janë shumë më tepër e do të jenë edhe më tepër në fazën e zbatimit. Nga ana tjetër, dua të nënvizoj kujdesin e Papës për ata, që vijnë nga vende të largëta. Vërtet, kryetarët e seksioneve të Sinodit vijnë nga rajone, që vështirë se dëgjohen në Kishë: Mianmari, Bangui, Iraku, Papua Guinea e Re. Gjithashtu, ndërmjet kardinajve, janë zgjedhur më të rinjtë e po kështu, edhe ndërmjet të tjerëve. Është bukur të shohësh se Konferencat Ipeshkvnore, në shumë raste, kanë dërguar ipeshkvijtë më të rinj, ose njerëzit, që punojnë me të rinjtë. Të rinjtë janë gjithnjë të pranishëm e kanë edhe të drejtën e fjalës. Punohet shpesh në grupe të vogla: si në këtë kuadër, ashtu edhe në asambletë e përgjithshme, të rinjtë do të jenë gjithnjë të pranishëm e mund të flasin.

19 shtator 2018, 13:30