Kërko

Japoni – bomba atomike- Hiroshima - Nagasaki Japoni – bomba atomike- Hiroshima - Nagasaki 

Selia e Shenjtë: thirrje për ndalimin e armëve bërthamore dhe paktin global për migracionin

Duhet të synojmë ndalimin e plotë të armëve bërthamore dhe të trajtojmë emigracionin me një pakt global: këto argumente në qendër të fjalës së kreut të delegacionit të Selisë së Shenjtë, dje, në Asamblenë e OKB-së, që po mbahet në Nju Jork. Nuk duhet të dorëzohemi, nxiti imzot Gallagher, përballë sfidave të sigurisë dhe solidaritetit.

R.SH. - Vatikan

Sot kemi nevojë për më shumë përpjekje për të liruar botën nga ankthi atomik: kjo thirrja e kryeipeshkvit Paul Richard Gallagher drejtuar shteteve anëtare të OKB-së, në takimin e organizuar në selinë e OKB-së, për të kremtuar Ditën Ndërkombëtare për eliminimin e armëve bërthamore.

Armët bërthamore e bëjnë botën më të rrezikshme

"Ne nuk duhet të heqim dorë - tha prelati- nga ideja se armët bërthamore janë këtu për të qëndruar (mbetur). Nuk duhet t'i japim kredit idesë se kërcënimet aktuale ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare nuk e lejojnë çarmatimin bërthamor. Bota nuk është më e sigurt me armë bërthamore; është më e rrezikshme”, tha përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë, duke treguar me gisht se politikat bërthamore janë "në kundërshtim me frymën dhe qëllimin e Kombeve të Bashkuara", "sepse paqja dhe stabiliteti ndërkombëtar - vërejti imzot Gallagher- nuk mund të bazohen mbi shkatërrimin e anasjelltë të siguruar ose mbi kërcënimin e asgjësimit total".

Besimi reciprok midis shteteve është thelbësor

Imzot Gallagher, pra, u kërkoi Shteteve të bashkohen e të pranojnë - siç bëri Selia e Shenjtë -  Traktatin për Ndalimin e Armëve Bërthamore, që i miratua në dhjetor të vitit 2017, i cili deri më tani është nënshkruar nga 61 shtete dhe ratifikuar nga 14. Dhe rekomandoi hyrjen në fuqi të Traktatit për ndalimin e plotë të testeve bërthamore (CTBT) për të ndaluar zhvillimin e armëve edhe më vdekjeprurëse, në kuadrin e Traktatit për mospërhapjen e armëve bërthamore (NTP) dhe ndalimin e plotë të tyre.

 Kreu i delegacionit të Vatikanit shprehu shqetësimin e tij në lidhje me qëllimin e deklaruar të disa vendeve për të zhvilluar potencialin bërthamor, duke minuar , kështu, besimin reciprok, që është thelbësor për progresin e negociatave që më në fund ta liroj botën prej armëve bërthamore.

Një pakt global për të menaxhuar emigracionin

Ndër sfidat e tjera të mëdha që ka njerëzimi, sipas Imzot Gallagher, është emigrimi, prandaj duhet urgjentisht të japim një përgjigje globale ndaj këtij fenomeni, i cili ka marrë përmasa të tilla sa të kërkojë zgjidhje të qëndrueshme në interesin më të mirë të njerëzve në lëvizje, për azilin dhe për vendeve pritëse. "Këto qasje - theksoi kreu i delegacionit të Vatikanit - duhet të plotësojnë edhe të drejtën për të emigruar, në anën tjetër drejtën sovrane të shteteve për të mbrojtur kufijtë e tyre dhe për të krijuar një politikë të migrimit, duke respektuar plotësisht të drejtat njerëzore të emigrantëve, pavarësisht nga statusi i emigrimit të tyre”.

27 shtator 2018, 15:25