Kërko

Provë bërthamore Provë bërthamore 

Selia e Shenjtë kërkon sërish zhdukjen e armëve bërthamore

Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB, imzot Bernardito Auza, me rastin e Ditës ndërkombëtare kundër provave bërthamore, kërkon që bota të çlirohet nga fantazma e luftës atomike. Gjithashtu, thekson se shtetet duhet të ratifikojnë Traktatin për çarmatimin.

R.SH. - Vatikan

Vatikani shprehet edhe një herë, me forcë, kundër armëve bërthamore. Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB, imzot Bernardito Auza, foli në seksionin e OKB-së, me rastin e Ditës ndërkombëtare kundër provave bërthamore. Që në shkurtin e vitit 1943, dy vjet e gjysëm para Trinity test (provës së parë për një armë bërthamore), Papa Piu XII pati shprehur shqetësimin e tij të thellë për përdorimin e dhunshëm të energjisë atomike. Pas Hiroshimës e Nagasakit, duke parë pasojat krejtësisht të pakontrollueshme të armëve bërthamore, Papa Pacelli pati kërkuar ndalimin e çdo lufte atomike.

Të mbështeten nismat për një botë pa armë bërthamore

         Edhe sot e kësaj dite, Selia e Shenjtë mbështet çdo nismë për ta çliruar botën nga fantazma e kësaj lufte. “Ndalimi i provave bërthamore – nënvizoi imzot Bernardito Auza në OKB – është hap i madh përpara drejt këtij objektivi. Përkujtimi dhe promovimi i Ditës ndërkombëtare kundër provave bërthamore është edhe theksim i rëndësishëm i vendosmërisë sonë të përbashkët për të krijuar kushtet dhe për të bërë hapat e nevojshme për nxjerrjen e këtyre provave jashtë ligjit. Për këtë arsye, Selia e Shenjtë vazhdon të nxisë hyrjen e shpejtë në fuqi të Traktatit për ndalimin e plotë të provave bërthamore (Ctbt - Comprehensive Nuclear Test-Ban Treaty)”.

Të nënshkruhet Traktati për ndalimin e plotë të provave bërthamore

         Në Asamblenë e OKB-së të 7 korrikut 2017, shumica votoi të ashtuquajturin “Nuclear Ban”, që nxjerr jashtë ligjit si armët bërthamore ekzistuese, ashtu edhe zhvillimin e sistemeve për prodhimin e tyre. Natyrisht, ratifikimi i plotë i këtij Traktati pengohet nga shtetet, që kanë në dorë armët bërthamore si SHBA-të, Rusia, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Kina, India, Pakistani, Izraeli e Koreja e Veriut. “Traktatet për çarmatimin – nënvizoi imzot Auza – nuk përbëjnë vetëm detyrim juridik, por janë edhe impenjim moral, bazuar në mirëbesimin ndërmjet shteteve dhe rrënjosur në besimin që qytetarët u japin qeverive të tyre. Të gjithë duhet të kontribuojnë në krijimin dhe konsolidimin e besimit të nevojshëm për një botë të lirë nga armët bërthamore”.

07 shtator 2018, 12:26