Kërko

Papa Françesku Papa Françesku 

Papa, Krishti e ruan Kishën gjithmonë me dashuri

"T’i kërkojmë Jezusit që ta mbrojë gjithmonë Kishën tonë, që ta mbrojë me mëshirën e tij, duke i dhuruar faljen secilit prej nesh. #SantaMarta" . Kështu Papa Françesku në një tweet botuar në faqen e internetit @Pontifex. Të gjithë jemi mëkatarë të varfër e nevojtarë për mëshirën e Zotit, që ka forcë të na shndërrojë e të na japë shpresë.

R.SH. - Vatikan

"T’i kërkojmë Jezusit që ta mbrojë gjithmonë Kishën tonë, që ta mbrojë me mëshirën e tij, duke i dhuruar faljen secilit prej nesh. #SantaMarta" . Kështu pohon Papa Françesku në një tweet të ri botuar në faqen e internetit në nëntë gjuhë @Pontifex, të enjten më 20 shtator 2018.

 Papa Françesku, në katekizmin e tij të audiencës së përgjithshme,  më 9 gusht 2017, në Vatikan, duke komentuar fragmentin ungjillor, në të cilin Jezusi, i ftuar për drekë në shtëpinë e Simeonit, farizeut, ia fal mëkatet një gruaje, që përkulet tek këmbët  e Tij, ia lyen me vaj erëmirë, ia lan me lot, ia fshin me flokët e gjatë, tha se kjo është ngjarje prekëse, por që i shkandullon pa masë të pranishmit. Sipas mendësisë së kohës - shpjegoi Papa – ndërmjet shenjtit e mëkatarit, ndërmjet të pastrit e të papastrit, distanca duhet të ishte tejet e dukshme. Po sjellja e Jezusit ndryshon: Atje ku është një njeri, që vuan, Jezusi e merr mbi vete e vuajtja e tjetrit bëhet e Tija:

“Jezusi nuk u predikon njerëzve ta mbartin vuajtjen me heroizëm, sipas mënyrës së filozofëve stoikë. Jezusi merr pjesë në dhimbjen njerëzore, e ndan vuajtjen me tjetrin. E kur e takon, nga e gjithë vetvetja i buron sjellja, që karakterizon krishterimin: mëshira”.

Atje ku është një burrë a një grua që vuan, Jezusi dëshiron shërimin e tyre, dëshiron çlirimin, jetën e plotë. Prandaj ua hap krahët mëkatarëve:

“Sa e sa njerëz kalojnë, edhe sot, jetë të gabuar, sepse nuk gjejnë askënd që të jetë i gatshëm t’i shikojë ndryshe, me sytë, a më mirë të themi, me zemrën e Zotit, domethënë me shpresë. Ndërsa Jezusi shikon mundësinë e ringjalljes edhe në njeriun, që zgjedh vazhdimisht rrugë të gabuara. Jezusi është gjithnjë aty, me mëshirën, që ka në zemrën e hapur në dy kanatat, duke e shikuar njeriun me ndjesë e shpresë. Ai përqafon, kupton, afrohet. Kështu është Jezusi!”.

Papa shprehu trishtimin e tij për ata, të cilët nuk e provojnë mëshirën, posaçërisht kur është fjala “për katolikë, që besojnë se janë të përkryer e i përbuzin të tjerët”. Mëshira - saktëson - nuk është dashuri e kollajshme, që shitet e blihet lirë:

“Ne, që jemi mësuar ta provojmë faljen e mëkateve ndoshta edhe tepër lehtësisht, duhet të kujtohemi nganjëherë sa shtrenjtë na bleu Zoti! E pagoi vërtet shtrenjt, secilin prej nesh: me jetën e Jezusit! Ai do ta kish dhuruar edhe vetëm për njerin nga ne!”.

I Biri i Zotit shkon në kryq, posaçërisht sepse i fal mëkatet, sepse dëshiron çlirimin e plotë,  përfundimtar të zemrës njerëzore:

“Kështu mëkatarët falen. E qetësohen edhe psikologjikisht, sepse të çliruar nga barra e mëkatit. Po Jezusi bën shumë më tepër: u ofron njerëzve, që gabuan shpresën për një jetë të re. ‘Por, o Zot, unë s’jam njeri, po zhele’. Shiko përpara. Po të jap një zemër të re! Kjo është shpresa që jep Jezusi. Një jetë  të shënuar nga dashuria”.

Një mendim për Kishën:

“Na bën mirë të mendojmë se Zoti nuk zgjodhi si brumë të parë për Kishën e vet njerëz, që nuk gabojnë kurrë. Kisha është popull mëkatarësh, që provojnë mëshirën dhe faljen e Zotit. Pjetri i kuptoi më shumë të vërtetat për veten nga kënga e këndesit, sesa nga hovet, që i vlonin në kraharor, duke e bërë ta ndjente veten mbi të tjerët!”.

Jemi të gjithë mëkatarë të varfër - përfundoi Papa - nevojtarë për mëshirën e Zotit, që ka forcë të na shndërrojë e të na japë shpresë; e të na e japë ditë për ditë - përfundoi Papa - dhe e bën këtë! Ua bën njerëzve, që e kanë kuptuar këtë të vërtetë themelore. Zoti dhuron misionin më të bukur në botë, domethënë, dashurinë për vëllezërit e motrat, dhe kumtimin e një mëshire, të cilën ai nuk ia mohon askujt. Kjo është shpresa jonë. Të shkojmë me këtë besim në faljen, në dashurinë përdëllyese të Jezusit.

Gjatë përshëndetjes së grupeve të ndryshme të shtegtarëve të pranishëm në audiencën e përgjithshme të 9 gushtit 2017, Papa Françesku  i nxiti të gjithë të jenë dëshmi e gjallë e dashurisë përdëllyese të Zotit. Dashuri, që mund të jetë shpresë për çdo njeri, sepse Zoti nuk ia mohon mëshirën askujt.

Angazhimi, sipas Papës, është ky: “T’i qëndrosh besnik Krishtit, që na sfidon për të dalë  nga bota jonë e vogël, e ngushtë, drejt Mbretërisë së Zotit e lirisë së vërtetë e për t’ua çuar Bekimin e Atit Hyjnor mbarë njerëzve”.

Jezusi - pohoi Papa - nuk themeloi një Kishë të përbërë nga njerëz të mirë e të drejtë, por nga mëkatarë e të ligshtë, që e kanë provuar mëshirën e Zotit dhe përpiqen të jetojnë sipas vullnesës së Tij, nësa ecin në shtigjet e vështira e shpesh të ngatërruara të jetës së përditshme. Prej këndej, "misioni i parë dhe themelor i Kishës është të jetë spital fushor, vend shërimi, mëshire e faljeje e gurrë shprese për gjithë të vuajturit, të dëshpëruarit, të varfërit, mëkatarët e të flakurit jashtë radhëve të shoqërisë”.

"Falja e mëkateve tona, që e marrim si dhuratë të dashurisë përdëllyese të Krishtit - kujtoi Papa - të jetë për ne burim shprese e arsye për të qenë të mëshirshëm me të tjerët”.

“Nëse me qëndresë shikojmë drejt Jezusit, ne zbulojmë me mahnitje se është Ai që e shikon çdonjërin prej nesh me dashuri”: kështu tha Papa Françesku në homelinë e Meshës së 31 janari 2017, kremtuar në kapelën e shtëpisë së Shën Martës në Vatikan. Në Ungjill (Mk 5,21-43) është Jezusi ai që na shikon e na  vështron. Ai është pranë nesh – shpjegoi Papa Françesku – “Ai është gjithmonë në mesin e turmës”....”ai kërkonte njerëzit. E njerëzit e kërkonin Atë: njerëzit i kishin sytë drejtuar te Ai dhe Ai i kishte sytë drejtuar mbi njerëz”.

 “Vështrimi i Jezusit shkon nga madhi tek i vogli. Kështu është shikimi i Jezusit: na shikon të gjithëve, por ai e vështron çdonjërin prej nesh, i shikon problemet tona të mëdha a gëzimet tona të mëdha, por i shikon edhe gjërat tona të vogla. E këtë sepse është afër, Jezusi nuk frikohet prej gjërave të mëdha, por i vlerëson gjërat e vogla. Kështu na shikon Jezusi”.

20 shtator 2018, 17:37