Versioni Beta

Cerca

Vatican News
2018.09.12 Santissimo Nome di Maria 2018.09.12 Santissimo Nome di Maria 

Më 12 shtator Kisha kremton festën e Emrit të Marisë Virgjër

Zoti i kishte caktuar Marisë misionin të ishte Nëna e Shëlbuesit. Këtë e përmban e vërteta e fesë që flet për Virgjrën e Papërlyer, duke pohuar se fjala e Engjëllit Tënzot drejtuar vashës së Nazaretit ‘Hirplote’- në origjinalin grek kecharitoméne – është emri më i bukur i Marisë, emër që ia ngjiti vetë Zoti.

R.SH. - Vatikan

Virgjëra Mari jo vetëm që nuk bëri asnjë mëkat, por u ruajt edhe nga mëkati i rrjedhshëm, trashëgimi e përbashkët e gjithë gjinisë njerëzore”, sepse Zoti i kishte caktuar Marisë misionin të ishte Nëna e Shëlbuesit. Këtë e përmban e vërteta e fesë që flet për Virgjrën e Papërlyer, duke pohuar se fjala e Engjëllit Tënzot drejtuar vashës së Nazaretit ‘Hirplote’- në origjinalin grek kecharitoméne – është emri më i bukur i Marisë, emër që ia ngjiti vetë Zoti. 

Emri i Marisë i ka të gjitha kuptimet mrekullisht prekëse, që i jep feja jonë e krishterë. Duke nisur nga Zoja e Lume e Zoja e Bekuar, te Virgjëra Shenjte, Zonja e Papërlyer, Nëna e Shëlbuesit, Mbretëresha e Qiellit, Ylli i dritës e mbarë epitetet, që Kisha ia këndon në Litani. Pra, është e pamundur t’i kujtosh të gjithë titujt, me të cilët përshpirtëria popullore e nderon Marinë Virgjër, Nënën e Jezu Krishtit.

Po tё ndalemi te fjalët që na ofron Ungjilli, sepse aty e kemi fillin shpirtëror, që nis nga përshëndetja qё  Engjëllit Tënzot ia drejton Marisë Virgjër, fjalë të cilat Kisha na i ka transmetuar nё uratën “Tё Falemi Mari”, tё cilën besimtarë e lusin në shekuj e vjen deri në ditët tona.

Të falemi

Lavdi fillon me fjalët, që engjëlli Grabriel i drejton Marisë: “Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!” (Lk 1,28). Në origjinalin greqisht, shën Luka thotë “kàire”, pra “gëzohu”, por në latinisht kjo pjesë e lutjes u shndërrua në “Të falemi”. Gjithsesi, duke marrë parasysh origjinalin, kuptohet fare mirë se ftesa për t’u gëzuar drejtuar Marisë, që ajo e pranoi dhe e realizoi plotësisht, na drejtohet edhe ne çdo ditë e sa herë e themi këtë lutje.

Mari, hirplote

Emri i Marisë, në lutje, ka të njëjtën peshë me fjalën “hirplote”, që i vjen pas. Në Ungjill, mungon emri, sepse është mbivënie e fjalës “hirplotë” (Kekaritoméne). Mari do të thotë hirplote, pra, plot me Shpirtin Shenjt, model për çdo të krishterë. Në emrin e Marisë është shkruar edhe fati i Virgjërës Shenjte. Nëse kemi parasysh origjinën egjipto-hebraike, kuptimi i emrit është “e dashur nga Zoti”.

Rrënja egjiptiane “Myr” do të thotë “e dashur”, ndërsa ajo hebraike “yam” është shkurtim i emrit të Zotit “Iahvè”. Nëse shohim botën aramaike, domethënia e emrit “Mari” është “princeshë”, “zonjë e madhe”. Në të dyja rastet, emri përmbledh në vetvete gjithë misterin e asaj, që lindi Birin e Hyjit.

Kujtojmë se festa kushtuar Emrit të shenjtë të Virgjërës Mari u kremtua për herë të parë, me lejen e Romës, në Kuenka të Spanjës në vitin 1513. E ndërprerë nga Shën Piu V, festa nisi të kremtohej përsëri nën papninë e Sikstit V e më pas u shtri edhe në mbretërinë e Napolit e në Milano. Më 12 shtator 1683, kur Gjon Sobieski me polakët e vet fitoi mbi hordhitë turke që kishin rrethuar Vjenën, duke kërcënuar krishterimin, i Lumi Inoçenci XI, për t’i shprehur mirënjohjen e thellë Zotit, e shtriu festën në mbarë Kishën universale dhe e caktoi festimin të dielën para Tetëditshës së Krishtlindjes. Papa Shën Piu X e shënoi në Kalendarin kishtar më 12 shtator, kur vijon të kremtohet edhe sot.

Në festën kushtuar “Emrit të Marisë” avokate e njerëzve pranë Zotit, urojmë të gjitha gratë që quhen Mari, duke kujtuar në mënyrë të veçantë, nënat dhe motrat tona, që mbajnë këtë emër

12 shtator 2018, 10:07