Michelangelo Buonarroti. Crocifissione di San Pietro nella Cappella Paolina in Vaticano Michelangelo Buonarroti. Crocifissione di San Pietro nella Cappella Paolina in Vaticano 

Kisha kremton festën e Lartësimit të Kryqit të Shenjtë

Zoti nuk u bën konkurrencë pushteteve tokësore. Pushtetit të kësaj bote, Krishti i kundërvë pushtetin e çarmatosur të dashurisë, Ai vdes mbi Kryq e, megjithatë, krijon një gjë të re, hyjnore, e cila pastaj i kundërvihet padrejtësisë dhe ngre mbretërinë e Hyjit.

Kisha katolike më 14 shtator kremton solemnitetin e Lartësimit të Kryqit të Shenjtë të Jezu Krishtit.

Krishti hyri në botë me kryq. Kryqi është simboli i shpërblimit e i shëlbimit, por edhe paradigma e jetës të të krishterit. Kjo festë që e ka zanafillën në Jerusalem, ku për herë të parë u kremtua më 14 shtator të vitit 335, me rastin e “Kryqit” mbi Golgotë, dhe atë të “Anàstasis”, do të thotë të “Ringjalljes”.

Kjo festë kaloi në Perëndim, duke u nisura nga shekulli VII, e donte të përkujtonte rikuperimin e relikës së çmuar bërë nga perandori Erakliti në vitin 628. Këtë ditë kujtohet edhe shugurimi i ndërtesave të ngritura nga Perandori Kostandini për të mbrojtur e për të nderuar viset ku Jezu Krishti përmbushi misterin e vet të Pashkëve, misterin e Vdekjes e të Ngjalljes.

Kremtimi i sotëm shkon përtej të dhënave historike e atyre legjendare e merr një domethënie shpirtërore e fetare jashtëzakonisht të thellë e të lartë. Lavdërimi i Krishtit kalon përmes mundimeve të kryqit e antiteza vuajtje-glorifikim bëhet themelore për historinë e Shëlbimit: Krishti, mishëruar në realitetin e tij konkret njerëzor-hyjnor, i nënshtrohet vullnetarisht kushteve përvujtëruese të skllavit (kryq, nga latinishtja “crux”, do të thotë torturë, i rezervohej skllevërve) e vuajtja e tmerrshme shndërrohet në lavdi të përjetshme. Shumë reflektime janë bërë e vijojnë të bëhen për misterin më të madh të fesë së krishterë, misterin e Krishtit të kryqëzuar, këndej mbi misterin e Kryqit të Shenjtë të Shëlbuesit të njerëzimit. 

Zoti në këtë botë nuk bën konkurrencë me format tokësore të pushtetit. Nuk u kundërvë përçarjeve, përçarje të reja. Jezusit në Kopshtin e Ullinjve Zoti nuk i çon dymbëdhjetë legjione engjëjsh për ta ndihmuar. Pushtetit të potershëm e prepotent të kësaj bote, Krishti i kundërvë pushtetin e çarmatosur të dashurisë, Ai vdes mbi Kryq e, megjithatë, krijon një gjë të re, hyjnore, e cila pastaj i kundërvihet padrejtësisë dhe ngre mbretërinë e Hyjit. 

Në ditën e festës së Ekzaltimit të Kryqit të Shenjtë të Krishtit, ne e shikojmë Kryqin si lavdi e simbol, si rrugë nëpër të cilën duhet ecur ditë për ditë, në përpjekjen për t’iu afruar lumnisë së qiellit, duke pasur gjithnjë parasysh fjalët e shën Palit drejtuar Galatasve: “Jam kryqëzuar me Krishtin e nuk jam më unë ai që jeton, por Krishti që jeton në mua”, dhe një tjetër pohim i Palit gjithnjë në Letrën drejtuar Galatasve: “Ne mburremi me Kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit: në të e kemi shpëtimin, jetën dhe ngjalljen tonë; në saje të tij kemi qenë shpëtuar e liruar”. Prandaj, të krishterët krenohen me Kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit, sepse Kryqi është më i fuqishëm e më i madh se të gjitha pushtetet e botës: është shenjë e fitores mbi vdekjen.

Kryqi bëhet kështu lavdi. Zoti lumturohet pikërisht në çastin kur i Biri kryqëzohet.

“Në kryq – shkruan Shën Leoni papë – është gjykata e Zotit, aty bëhet gjykimi i botës, zbulohet pushteti i të Kryqëzuarit”. Kryqi është gjykata më e madhe e botës, por edhe fillimi i pushtetit të Krishtit mbi botën dhe mbi historinë e njerëzimit.
Kur të duket se gjithçka ka marrë fund, në të vërtetë gjithçka fillon.

Me të drejtë liturgjia e festës Ngadhënjimit të Kryqit të Shenjtë këndon në Meshë: “Është nder për ne të mburremi me Kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit sepse në të e kemi shëlbimin, jetën dhe ngjalljen tonë, në sajë të tij kemi qenë shëlbuar e liruar!”, dhe “Kryq i lavdishëm, në degët tua varej çmimi i lirisë sonë: bota u shëlbua përmes Kryqit.

Të falem, o Kryq, i shuguruar nga Korpi i Krishtit; gjymtyrët e Tij mbi ty shkëlqejnë si gurë të çmuar”.
I madh është misteri që përkujtojmë sot, aftësia për të dhuruar vetveten në Kryq, mister i dashurisë, të cilin është tepër e vështirë ta kuptosh në të gjithë thellësinë e tij! Një gjë është plotësisht e qartë: “Kush merr pjesë në mundimet e Krishtit në Kryq, merr pjesë edhe në gëzimin e Tij”. Sa herë i lartojmë sytë nga Kryqi, kujtojmë Atë që pësoi për ne, që na shkëputi nga pushteti i terrinave, duke pranuar vdekjen, për të na bërë trashëgimtarë të jetës së pasosur.    

Por ç’kuptim ka ta naltosh Kryqin?

Thua s’është shkandull të nderosh një mjet çnderues vdekjeje? Mbi këtë  Shën Pali Apostull thotë “Ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar, shkandull për Judenjtë, çmenduri për paganët” (1 Kor 1, 23). Duhet pasur, veç, parasysh se të krishterët nuk naltojnë çdo lloj kryqi, por atë Kryq të cilin Krishti e shenjtëroi me flijimin e vet, fryt e dëshmi e dashurisë së Zotit që s’njeh masë. Krishti mbi kryq derdhi gjithë gjakun e vet për ta liruar njerëzimin nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes. Prandaj, nga shenjë ndëshkimi e mallkimi, Kryqi u shndërrua në shenjë bekimi e ngadhënjimi, nga simbol i vdekjes në vetë simbolin e dashurisë, që e mund urrejtjen dhe dhunën e lind jetën e pavdekshme.

"O Crux, ave spes unica! O Kryq, të falem, ty, e vetmja shpresë!” . Kështu këndon liturgjia. E Ungjilltari rrëfen: tek këmbët e Kryqit ishte Maria (shih Gj. 19, 25-27). Dhimbja e saj dhe dhimbja e të Birit janë një. Është një dhimbje plot me fe e me dashuri. Virgjëra Mari mbi Kalvar merr pjesë në forcën shëlbuese të dhimbjes së Krishtit, duke i shtuar “po’-në e saj pohimit të të Birit.

Të bashkuar shpirtërisht me Zojën e Bekuar, edhe ne t’i themi përsëri “po” Jezu Krishtit Zot, që zgjodhi rrugën e Kryqit për të na shëlbuar. Është një mister i madh që vijon akoma deri në ditët tona, deri në fund të fundit të botës e që na kërkon të bashkëpunojmë. Maria na ndihmoftë ta marrim çdo ditë kryqin tonë e ta ndjekim besnikërisht Jezusin në rrugën e bindjes, të flijimit e të dashurisë drejt ringjalljes sonë në Ngjalljen e Tij

Atë Gjergj Fishta: TË KRYQZUEMIT......!

10 E qe i Biri pre’ atij drûni
M’ t’ cillin ju mberthye e kini,
M’ gozhda shtatin Aj e xûni,
Edhe kryet kah qiella ngrini,
Dishka Atit per ju i flet:

11 “Fali, o Át, deh! Njerzt Ti fali!
Pse shka bâjn nuk jane tue dijtun:”
Oh! Pse tash s’po trandet mali...
Pse xên dielli prap me shndritun...
Persè u kthiell si moskurraj....

12 Shka? a vetë dashka i Biri i Zotit
Mnín e vetë me zbutun,
Ke, m’ drû pezull, m’shkam t’Golgotit,
Per anmiq âsht tuj u lutun
Qi m’u a falë mâ t’randin faj?...

13 O dashtnija e Fjalës s’mishnueme
Po a edhe m’kryq per bij’ t’ Adamit
Fjalët Ti i paske t’ambeltueme...
E me i pruejtë Ti dashke damit…
E me i pá me lumnì plot?

14 Ah! ktû. Popuj, ktû ju fise!
Ktû, po, ktheni m’shesh t’Kalvarit!
S’kênka droje, jo, n’kto vise,
Kû vete Flija n’sŷ t’ Gjyqtarit
Gjaksve t’vet u dalka zot.

15 S’ paska kênë, jô i vrashtë Rromaku,
Qi per dekë gjikoi t’Amshuemin;
E Judeut as etja e gjakut
Njitë s’e paska m’kryq te Lumin:
Dashtunija Atê e kryqzoi!

14 shtator 2018, 09:05