Kardinali Peter Turkson, prefekti i Dikasterit vatikanas për Zhvillimin e gjithanshëm njerëzor Kardinali Peter Turkson, prefekti i Dikasterit vatikanas për Zhvillimin e gjithanshëm njerëzor 

Kard. Turkson: për emigrantët, të respektohet Deklarata e të Drejtave të Njeriut

Duke hapur punimet e konferencës “Ksenofobia, racizmi dhe nacionalizmi populist në kuadrin e emigracionit global”, kardinali Turkson nënvizoi se para fenomenit të emigracionit, sot në botë, po cënohen parimet e Deklaratës universale të të Drejtave të Njeriut, nënshkruar 70 vjet më parë.

R.SH. - Vatikan

U hap sot në Romë, Konferenca ndërkombëtare me temë “Ksenofobia, racizmi dhe nacionalizmi populist në kuadrin e emigracionit global”, organizuar nga Dikasteri vatikanas për Zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, së bashku me Këshillin Ekumenik të Kishave (WCC) dhe me Këshillin Papnor për nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve.

Jetët e emigrantëve na takojnë

         Në fjalën e hapjes, prefekti i Dikasterit vatikanas për Zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, kardinali Peter Turkson, shtroi problemin e emigrantëve të rinj dhe të përgjigjes, që u jep shoqëria e sotme. Prelati, duke pasur parasysh se emigrantët vënë në rrezik jetën për ta përmirësuar atë, pyeti nëse vërtet njerëzimi, 70 vjet pas nënshkrimit të Deklaratës universale të të Drejtave të Njeriut, “ka arritur të ndërtojë shoqëri, në të cilat, raca, seksi, ngjyra e lëkurës, gjuha, feja, opinioni politik, origjina kombëtare a shoqërore, pasuria a varfëria, janë arsye të mjaftueshme për të justifikuar indiferencën, mënjanimin, urrejtjen, përjashtimin e njeriut”.

Mikpritja e emigrantëve e merr forcën nga Ungjilli

         Kardinali Turkson vuri në dukje se emigracioni dhe mërgimi u kujton të krishterëve përvojën e Zotit tonë Jezu Krisht, i cili, që fëmijë, kuptoi ç’do të thotë të ikësh nga atdheu e, më pas, u identifikua me të huajin. Prandaj, për Kishën, mikpritja e emigrantëve, sidomos e atyre në rrezik, është parim moral, që e merr forcën nga Ungjilli, është pjesë e të qenit të krishterë. “Na vjen keq kur vërejmë se, në kuadrin e emigracionit ndërkombëtar, pak si tepër shpesh mosbesimi dhe frika mbizotërojnë në krahasim me besimin dhe me hapjen ndaj tjetrit – vijoi kardinali. – Njëkohësisht, kemi besim në dëshmitë e shumta të solidaritetit dhe të dhembshurisë, të cilat – edhe këto – e karakterizojnë epokën tonë”.

Benedikti XVI: shoqëria e globalizuar na afron, por nuk na bën vëllezër

         “Sa herë – theksoi prefekti – kemi dëgjuar nga mediat shprehjen ‘fshati global’, për të përkufizuar shoqërinë tonë. Ideja e fshatit të çon në atë të marrëdhënieve, të afërsisë, të solidaritetit reciprok; ide, që, gjithsesi, përgënjeshtrohet çdo ditë nga lajmet dhe faktet, që kanë të bëjnë me mikpritjen e emigrantëve. Të vijnë në mendje fjalët e Papës së nderit, Benedikti XVI, i cili, në enciklikën ‘Caritas in Veritate’ pohonte ‘Shoqëria gjithnjë e më e globalizuar na afron, por nuk na bën vëllezër’”.  Kardinali Peter Turkson përfundoi fjalën e tij me urimin që konferenca të reflektojë mbi rolin e Kishave në kuadrin delikat të emigracionit.

18 shtator 2018, 14:35