Kërko

Kard. Parolin: ideologjia e Isisit nuk është zhdukur ende

Ideologjia e Shtetit islamik Isis akoma nuk është zhdukur. Ky, pohimi i Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, dje, me rastin e hapjes së mbledhjes mbi krizën humanitare irakiane dhe siriane, në Universitetin Papnor urbanian, në Romë.

R.SH. - Vatikan

Në këto vende, nënvizoi kardinali Parolin, Isisi është mundur ushtarakisht, pavarësisht se akoma veprojnë grupe të izoluara, por jo ideologjikisht. Selia e Shenjtë vijon t’u kërkojë protagonistëve politikë të zonës, gjetjen e “një zgjidhjeje globale për problemet e Lindjes së Mesme, me vëmendje të veçantë në garantimin e pranisë së të krishterëve dhe të pakicave të ndryshme në tokat e tyre të origjinës”.

Dialog e bisedime

         “Gjendja në Siri, pas sa e sa vjetësh lufte – shtoi prelati – është keqësuar aq shumë, sa nuk është e lehtë të rifillohet nga e para, por ka edhe premisa pozitive, që duhen vlerësuar në kuadrin e një zgjidhjeje të negociuar e paqësore, në favor të rindërtimit”. Gjatë mbledhjes, Sekretari i Shtetit shpjegoi se në Siri vërehet një proces i ndërlikuar politiko-ushtarak, rezultatet e të cilit janë të pasigurta. “Kemi qenë dëshmitarë të një dhune të padëgjuar e të një krize humanitare të paparë”. “Selia e Shenjtë vijon të shqetësohet shumë për shtimin e tensionit ndërmjet protagonistëve rajonalë dhe ndërkombëtarë, që e kanë kthyer Sirinë në territor ndeshjeje për një luftë me porosi”. “Në mungesë të perspektivave të paqes e të shpresës për të ardhmen, në mungesë të procesit për vendosjen e drejtësisë e të pajtimit, në mungesë të përpjekjeve për mbylljen e plagëve, ku të përfshihet gjithë shoqëria, rrezikojmë që, herët a vonë, të rindizet flaka e prushit të mbuluar me hi”.

Dritëhije në Irak

         Në Irak, nënvizoi prelati, ka filluar “procesi i rindërtimit material i vendeve të shkatërruara, në veçanti, i fshatrave të krishtera në Pllajën e Ninives, si edhe kthimi i vazhdueshëm e gradual i të krishterëve në shtëpitë e tyre”. Fatkeqësisht, denoncoi kardinali Parolin, tensionet ndërmjet qeverisë qendrore të Bagdadit dhe qeverisë rajonale të Kurdistanit “vijojnë të kenë pasoja mbi normalizimin e jetës së bashkësive të krishtera”, me rrezikun e ndryshimit demografik të territorit, djep i krishterimit në Irak.

Statistikat e krizës irakiane e siriane

         Ja disa nga shifrat e krizës siriane dhe irakiane, kujtuar në mbledhje nga prefekti i Dikasterit vatikanas për Zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, kardinali Peter Turkson: 7 vjet pas konfliktit në Siri, OKB-ja vlerëson se 13 milion sirianë jetojnë në vështirësi, ndër të cilët 5 milion fëmijë; në Irak, kjo shifër kalon në 9 milion, ndër të cilët, 4 milion fëmijë. Më se 5,6 milion refugjatë sirianë janë strehuar në Turqi, Liban e Jordani, ndërsa të shpërngulurit e brendshëm arrijnë në 6 milion në Siri e në 2 milion në Irak. Për ta e për marrjen e masave kundër kësaj krize humanitare, po diskutohet në Urbaniana deri të dielën.

14 shtator 2018, 14:40