Kërko

Kardinali O'Malley takon Papën Françesku Kardinali O'Malley takon Papën Françesku 

Kard. O’Malley për abuzimet: zëri i viktimave, në autoritetet më të larta të Kishës

Në përfundim të asamblesë së përgjithshme, Komisioni Papnor për Mbrojtjen e të Miturve thekson rëndësinë parësore të dëgjimit të viktimave të abuzimeve, siç kërkon Papa Françesku.

R.SH. - Vatikan

Komisioni Papnor për Mbrojtjen e të Miturve përfundoi dje asamblenë e tij të nëntë të përgjithshme. Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë publikoi një komunikatë të këtij Komisioni, ku theksohen jo vetëm rastet e rënda të abuzimit me të miturit nga ana e klerit, por sidomos, masat parandaluese që ato të mos përsëriten. Papa Françesku nënvizon rëndësinë qendrore të dëgjimit të viktimave. Përjetimet e tyre duhet të përfaqësojnë një udhërrëfyes për Kishën, në mbrojtjen e viktimave të abuzimeve seksuale me të miturit. A po dëgjohen vërtet dhe sa mund të mësohet prej tyre? Përgjigjet kryetari i Komisionit, kardinali Sean Patrick O’Malley, në një intervistë për Vatican News:

         Sigurisht, ngjarjet e fundit në Kishë e kanë përqendruar vëmendjen e ne të gjithëve mbi nevojën urgjente për një përgjigje të qartë nga ana e Kishës, në frontin e abuzimeve seksuale me të miturit. Të çosh zërin e viktimave në majat më të larta të autoriteteve kishtare është themelore, sepse kështu, të gjithë mund ta kuptojnë sa e rëndësishme është për Kishën t’i përgjigjet shpejt e mirë çdo rasti abuzimi, kurdo që të shfaqet. Në dritën e gjendjes aktuale, nëse Kisha tregohet e paaftë të përgjigjet me gjithë zemër e ta kthejë këtë temë në përparësi të saj, të gjitha veprimtaritë tona të ungjillëzimit, veprat e bamirësisë e të edukimit, do të ndikohen për keq. Konferencat Ipeshkvnore na kanë parë se kemi qenë aktivë përsa i përket formimit dhe edukimit e kështu, na kanë mbështetur mjaft. Një nga nismat tona aktuale është ajo e krijimit të Komiteteve këshillimore të përbëra prej vetë viktimave, në kontinente të ndryshme. [Gjithashtu], po realizojmë programe edukimi dhe formimi për ata, që janë në krye të Kishës, në mënyrë që ipeshkvijtë, meshtarët e rregulltarët të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e çështjes e të kenë në dorë mjetet për të reaguar në mënyrë të tillë që ta shndërrojnë mbrojtjen e të miturve dhe kujdesin baritor për viktimat në përparësi. Këtë javë, anëtarët e Komisionit do të takohen me krerët e Konferencës Ipeshkvnore Italiane dhe me Kongregatën për Doktrinën e Fesë në Vatikan.

10 shtator 2018, 12:33