Versioni Beta

Cerca

Vatican News
2018.09.11 Mons Vicko Zmajevic arcivescovo di Antivari 2018.09.11 Mons Vicko Zmajevic arcivescovo di Antivari 

Imzot Vinçenc Zmajeviç, organizuesi i Kuvendit të Arbërit, në përvjetorin e vdekjes

Kryeipeshkvi i Tivarit imzot Vinçenc (Visk) Zmajeviç, personalitet i shquar kishtar i shekullit të 18-të, me origjinë kroate, që ruajti rol të rëndësishëm në historinë e Kishës shqiptare e sidomos në organizimin e Kuvendit Kishtar të Arbërit më 1703.

R.SH. - Vatikan

Si sot më 11 shtator 1745 u nda nga jeta kryeipeshkvi i Tivarit imzot Vinçenc (Visk) Zmajeviç (1670-1745),  personalitet i shquar kishtar i shekullit të 18, me origjinë kroate që ruajti rol të rëndësishëm në historinë e Kishës shqiptare, posaçërisht në organizimin e Kuvendit Kishtar të Arbërit më 1703, sipas kërkesës së Papës shqiptar, Klementit XI. 

Kryeipeshkvi imzot Zmajeviç u mor me organizimin e këtij Takimit të rëndësishëm kishtar të trevave shqiptare, por edhe me hartimin e dokumenteve që ishin rezultati i punimeve të Etërve pjesëmarrës të Kuvendit Kishtar të Arbërit, dokumente që u botuan më 1703 në latinisht e shqip.

Po kështu, imzot Zmajeviçi ndihmoi edhe për përhapjen e shkollave shqipe, për botimin e librave liturgjike e katekistike në gjuhën shqipe, për t’i ndihmuar besimtarët katolikë shqiptarë të njiheshin e thelloheshin në përmbajtjen e doktrinës së krishterë, të përforcoheshin në fenë e tyre në Zotin dhe të kultivonin e ruanin identitetin e tyre kombëtar

Figura e jashtёzakonshme e kryeipeshkvit imzot Zmajeviç nё shkrimin pёrgatitur nga Petrit Nika

Po kush ishte Vinçenc Zmajeviqi? Çfarë bëri ai për Shqipërinë dhe për shqiptarët? Këtyre dhe të tjera pyetjeve që kanë të bëjnë me ndriçimin e kësaj figure, më poshtë do të përpiqem t’ju jap përgjigje, sa më objektivisht që të mundem dhe, natyrisht, duke u mbështetur në burime (fortlehtë) të verifikueshme.

Mons.Vinçenc Zmajeviq u lind në Perast (Gryka e Kotorrit - sot në Mal të Zi; në kohën e Zmajeviqit administrohej nga Vatikani), në familjen e Kristoforit dhe Helenës, me 23 dhjetor 1670. Kur erdhi në jetë Vinçenci i vogël, familja Zmajeviq, ndërkohë, kishte krijuar njëfarë emri të njohur në traditën kishtare vendase, mbasi i ungji i tij Andrea, ishte prift, madje kishte filluar ngjitjen në hierarkinë e Kishës (në kohën për të cilën flasim ai ishte abat i Perastit), dhe do të kryesonte Arqipeshkvinë e Tivarit për 24 vjet, që nga viti 1670 e deri në vitin 1694. Andrea, sipas burimeve të cituara, qe ai që e pagëzoi Vinçencin e vogël dhe, ndoshta që atëherë bashkë me hirin hyjnor të pagëzimit i dhuroi mrekullisht nipit të tij edhe hirin hyjnor të devotshmërisë, të humanizmit dhe sakrifikimit të krishterë, duke bërë kështu që në këmbë të tij të vinte kohë më vonë një tjetër shërbëtor për shtëpinë e Zotit, po nga dera dhe gjaku i vet.

Kur i kishte mbushur të 15 vjetët, djaloshi Zmajeviq u dërgua në Kolegjin e Propagandës në Romë, për të studiuar filozofi dhe teologji. Që këtu do të fillonte për të rruga e gjatë dhe e mundimshme e përkushtimit dhe e sakrificës. Sipas të dhënave që disponojmë, Vinçenci, qysh gjatë kohës së studimit, falë urtësisë dhe nënshtrimit të plotë ndaj punës, fiton menjëherë respektin e të gjithëve. “I pajisur me një inteligjencë të shkathët, refleksive dhe përshkuese si dhe me një vullnet të papërkulur, ai kapte dhe përpinte, si të thuash çdo njohuri.” 3

Mbas përfundimit të studimeve në Kolegjin e Propaganda Fides, ai kthehet në vendlindje dhe, megjithëse ishte ende në moshë shumë të re për t’iu besuar ndonjë ofiq i lartë në gjirin e Kishës, atij i besohet atë kohë Abacia e Shën Gjergjit, “në ishullin me të njëjtin emër pranë Perastit” 4, ku jetoi e veproi midis viteve 1695 - 1701. 5

Duke pasur parasysh aftësitë e tij të spikatura pastorale, përgatitjen intelektualo-teologjike të shkëlqyer dhe pastërtinë morale të figurës së tij, pas vdekjes së arqipeshkvit Marin Gjorga 6, pasardhës (në detyrë) i Andrea Zmajeviqit, Papa Klementi XI, me 18 prill të vitit 1701, e ngarkon atë me detyrën e lartë të arqipeshkëvit të selisë metropolitane të Tivarit, pavarësisht nga mosha e tij vetëm tridhjetë e një vjeçare, - tepër e re për këtë detyrë. 7

Megjithë moshën e re dhe vështirësitë e ndryshme, ai jo vetëm që nuk i zhgënjeu Papa Klementin XI dhe bashkëkohësit e tij, por përkundrazi, fitoi një reputacion aq të pasur përgjatë epokës së vet, duke u bërë kështu, siç vëren një biograf i tij, “një ndër njerëzit më të mëdhenj që ka nxjerrë Dalmacia.” 8 Gjithnjë sipas të dhënave të dokumentuara, për Zmajeviqin thuhet se zotëronte aftësi të thelluara dhe se kishte mjaft përvojë në teologji, në të drejtën kanonike dhe në artin e të shkruarit; dihet, gjithashtu se qe një njohës i zoti i gjuhës latine, paleosllave, kroate e italiane, por për njohjen e gjuhës shqipe nga ana e tij nuk janë gjetur deri më tani kurrëfarë të dhënash që ta dëshmojnë një gjë të tillë. 9

Veprimtarinë e tij letrare, thuhet se e filloi që kur ishte adoleshent, me vëllimin “Razgovor Duhovni”, të cilin e shkruan përpara se të nisej për studime në Kolegjin e Propagandës, për ta vazhduar më pas me vëllimin poetik “Musarum chorus in laudem Antonii Zeni”, shkruar gjatë kohës së qëndrimit të tij në Romë dhe botuar po atje, në vitin 1694. 10

Përveç këtyre, interes përbëjnë edhe “traktatet e tij të mprehtë dhe të shkëlqyer kundër skizmës së grekëve Servianë në “Ogledalo istine - Specchio della Veritá”, mbi çështje polemike-dogmatike në formë dialogu.”11 Pas dhjetë vjet shërbese si arqipeshkëv me seli në Tivar, në maj të vitit 1713, Papa Klementi XI e transferon Zmajeviqin në selinë metropolitane të Zarës, ku do të shërbente edhe për tridhjetë e dy vjet të tjera me radhë, - deri në fund të jetës.

Për kujdesin e Zmajeviqit, si arqipeshkëv i Zarës, lidhur me çështjet shqiptare, dëshmojnë relacionet e tij dërguar papës, kardinalëve dhe personaliteteve të tjera të Kurjes Romake. 12
Natyrisht, një ndër veprat më të vështira për t’u realizuar, por që ai ia doli mbanë me sukses, qe “Kuvendi i Arbënit” i vitit 1703, për të cilin ai vetë thotë se, “ishte përtej kufijve të forcës sime”. 13 Në letrën që Zmajeviqi i dërgonte Klementit XI, përshkruhet me nota dhimbjeje të thellë realiteti mizerabël që kishte parë ai gjatë vizitës së tij apostolike nëpër Shqipëri, më saktë; në të katër ipeshkvitë kryesore të Arqipeshkvisë së Tivarit.

Ti më urdhërove o Shenjti Atë Papë, t’i vizitoj e t’i vë re, si vizitor apostolik, kishat e Shqipërisë, dheut tim. (vini re se ç’dashuri e lidh me Shqipërinë, sa e quan si dheun e tij, /- shën. P. N.) Unë iu përmbajta urdhërit, iu solla dheut rreth e rreth (…)

dhe pashë pleqtë duke vajtuar, meshtarët, shërbëtorët e Zotit duke qarë e duke lotuar; barinjtë travajuar, dhentë shpërndarë e tretur nëpër pyll; pashë murtajën që mbytte gjind e bënte kërdi të madhe nëpër të gjitha vendet. Këto vuajtje i pashë dhe gjëmova; zemra, bashkuar me mjerimet e popullit tim (vini re këndvështrimin pastoral, prej nga e quan popullin shqiptar si popullin e tij, /- Shën. P. N.), donte të më ndahej përgjysmë.” 14 Prej Kurbinit, me 10 dhjetor të vitit 1702, ndërkohë që po i afrohej fundi vizitës së tij baritore, duke u shkruar ipeshkvijve për t’i mbledhur në sinod, përshkruan në mënyrë panoramike Shqipërinë e asaj kohe; ” pa pushuar jam duke kaluar qytetet, katundet, lagjet e gjithë mbarë kopshtin (bashtinën) e Tënzot. (…)

E pashë vreshtin e Tënzot të prishur e të shkatërruar, lënë si një gjë mbetur shkretë, mbuluar prej ferrmacash, prej ferrash, prej rrozgash.” 15 Mandej, për të ngacmuar ndërgjegjen e tyre vazhdon më poshtë; “Ndër të gjitha këto ngatërrime e pështjellime ç’ka të bëjmë, o vëllezër? (…) Të hyjmë, pra, të punojmë vreshtin, që e kemi përpara syvet, të hyjmë ta dëlirim prej ferrave; e ferrat t’i këpusim në rrënjë që të mos dalin përsëri; të mos e bjerrim motin, pra rrënjët të mos forcohen e të mos përhapen nëpër vresht edhe më zi. Kjo punë kaq e mirë dhe e lavdërueshme, edhe e meritueshme, ka mbetur jo tek unë, por në të mbledhurit e ipeshkvijve në Kuvend.” 16

Ky Kuvendi u mbajt një muaj më vonë mbas nënshkrimit të kësaj letre, në Mërqi të Arbërisë, Dioqeza e Lezhës, 301 vjet më parë, me 14 dhe me 15 janar të vitit 1703. 17 Sigurisht, ishte e shumëpritur kjo ngjarje për krishterimin mbarëshqiptar të asaj kohe, mbasi mbahej në një moment kritik degradimi shpirtëror e bjerrashpresë të gjithmbarshme, kur jo vetëm masat e gjera të popullsisë se thjeshtë, por edhe pjesa dominante e klerikëve të krishterë, po kridhej përherë e më tepër në një humbëtirë vdekësore identiteti, nga formimi i pamjaftueshëm arsimor dhe nga represionet e gjithanshme që u bëheshin pandërprerë nga turqit për t’i islamizuar.

Mons. Zmajeviqi këtë realitet e konstatoi me dhimbje, siç edhe e pamë, gjatë vizitës së tij apostolike në dioqezat e administruara prej tij, por në fjalën e hapjes së Kuvendit, në vend që të tregonte autoritetin e tij suprem duke mbajtur qëndrim të reptë dhe qortues ndaj shkeljeve të ngadonjëhershme të shërbëtorëve të Kishës, ai shprehet në mënyrë prekëse dhe të përmallshme, i ngazëllyer që ata iu përgjigjën njëzëri thirrjes së tij duke marrë pjesë në kuvend, me fjalët; ” Qe, më në fund, o vëllezër fort të ndershëm, mbasi shkuan një tubë vjetësh, mbasi patëm pritur tash sa mot, në fund qielli u çel e na e fali shiun e toka gufoi e na dha gazmendin, gazin dhe kënaqësinë. (…) Kjo e mirë njëmend erdhi prej Zotit të mëshirshëm, që unë të mos ju shoh më të shpërndarë e me frikë, por t’ju shoh këtu mbledhur bashkë.” 18

Kështu Zmajeviqi, në vend që t’i gandonte edhe më zemrat e tyre të pikëlluara, gjë që jo vetëm do të ishte antihumane, por ndoshta edhe me pasoja të pallogaritshme në shërbesë, - vepron në të kundërt; me takt dhe me diplomaci i fiton sërish ato zemra, duke u komunikuar fjalën e ëmbël të njeriut të kulturuar, duke u rikthyer shpresën e humbur dhe besimin. Me këtë gjë ai tregon edhe njëherë mendjemprehtësinë dhe formimin e tij të shkëlqyer në shkencat humane, që e karakterizonte, por ndoshta edhe një gëzim, thjeshtë, të çiltër, të frymëzuar nga besimi në misionin e veprës së tij aq të madhe, siç ishte ai Kuvend, jehona e të cilit do t’i kapërcente sinoret e largët e vështrimturbull të shekujve.

Duke referuar për këtë Kuvend Mons. Zef Gashi shkruan se, ” Kuvendi i Arbënit ishte kuvendi i mendjes dhe i shpirtit shqiptar të asaj kohe. Në të u morën vendime të qenësishme dhe u përcaktuan detyra të pandërmjeme për ringjalljen dhe për pasurimin e jetës shpirtërore e fetare, por edhe të asaj kombëtare, politike dhe kulturore.” 19

Aktet e këtij Kuvendi u botuan të plota tre vjet më vonë pas mbajtjes së tij, në tipografinë e Propaganda Fides në Romë, në vitin 1706 nën titullin: “Concilium Provinciale sive Nationale / ALBANUM / Habitum Anno MDCCIII. / Clemente XI. Pont. Max. / ALBANO. / SUPERIORUM PERMISU. ” Interesante është se materialet dokumentare janë botuar që atëherë, në të dy versionet; përkatësisht në gjuhën latine dhe shqipe, gjë që e bën veprën me vlerë edhe për nga pikëpamja leksikore. Botimi i dytë i librit të Kuvendit u bë 162 vjet më vonë, në vitin 1868, i përkthyer dhe i përshtatur me shënime sqaruese gjuhësore nga P. Rajmond Gallani dhe P. Egidio Quinto d’Armeno, ky i fundit prefekt i misionarëve të Shqipërisë, - persona këta që e shoqëruan vizitatorin gjatë vizitës së tij apostolike në secilën dioqezë. 20

Kurse për përkthimin shqip të këtyre akteve, përsa i përket botimit të 1706 - ës, nuk gjenden të dhëna konkrete. Për herë të tretë “Kuvendi i Arbënit” u botua më 1872, si gjithmonë, në Romë, në tipografinë e Propagandës me titullin: “Konçilli / i Dheut Shqypnis / Bamun n’ vjet 1703 / N’koh t’paps shqyptarit / Klementit t’njimdhetit / disa EMERNAME / dalun prej Romet mas Konçillit qi perkasin / Kishave t’Arbnis / I ka qit Shqyp / Don ENJELL RADOJA / Prift’ i Djoqezit Shkoder / n’ Rom. / .me shtamp t’Kuvendit S. T’Propagands / 1872.”

Në këtë botim, përveçse është përdorur një sistem garfik fonematik më i kuptueshëm, janë futur shtesë edhe dy materiale të tjera prej këtij prifti shkodran që u kujdes për botimin. Në njërin nga tekstet e shtuara prej tij ai i drejtohet lexuesit, ku i bën me dije se Karlo Pooten, kryeipeshkëv i Tivarit dhe i Shkodrës, i ka ngarkuar detyrë “me i nkthy n’ghiuh ton Conci in” 21, kurse në dokumentin tjetër; “Do habere permi Sckodr”, - siç duket edhe për nga titulli, - jepen disa të dhëna mbi qytetin e Shkodrës, ku ai i kujton lexuesit se; “Gjithë shqiptarët e dinë fort mirë që Shkodra është kryet e Arbërisë dhe që për shumë sende ka lanë namë.” 22

Një studim i gjatë dhe me nivel të lartë informacioni e erudicioni është kryer nga P. Vinçenc Malaj me titull; “Kuvendi i Arbënit 1703″, - Concilio Nazionale Albanese del 1703. Inquadramento storico, testo Albanese e glosario”, i cili ishte një disertacion që u mbrojt nga autori me 28 mars të vitit 1973, përpara një komisioni akademikësh në përbërjen e udhëheqjes së të cilit ndodhej edhe Prof. dr. Ernest Koliqi. Pavarësisht vlerave të tij unikale, edhe si temë, edhe si realizim me nivel të mirëfilltë shkencor, ky disertacion e pa dritën e botimit për herë të parë vetëm në vitin 1998, i shtypur në një sasi të vogël ekzemplarësh (vetëm 300 kopje) nga Instituti i Filozofisë dhe Sociologjisë në Prishtinë.

Ndërsa botimi i plotë, ku janë përfshirë edhe dy botimet e mëparshme të Kuvendit, ai i vitit 1706 dhe ai i 1872 - it, u bë nga Konferenca Ipeshkëvnore Katolike e Shqipërisë - Tiranë / Prishtinë 2003, me rastin e 300 vjetorit të mbajtjes së Kuvendit të Arbënit, nën kujdesin e Kyeipeshkëvit të Tivarit Mons. Zef Gashi dhe me një përshtatje në gjuhën e sotme nga Anton Nikë Berisha, profesor në Universitetin e Kozencës.

E rëndësishme është që ta kuptojmë dhe ta pranojmë se Vinçenc Zmajeviq me “Kuvendin e Arbënit” dritësojnë humnerën e thellë të viteve të para të njëmijë e shtatëqindëshit, kohë që rezulton të jetë tepër e varfër në dëshmi dokumentare. Mandej kjo vepër përbën një visar më vete në lëmin e historisë dhe kulturologjisë shqiptare mbasi u mbrujt për Shqipërinë dhe shqiptarët me aq përkushtim e dashuri nga një vehtje e një kombësie sllave, por që gjithësesi, s’themi dot - “i huaj”, - sepse, siç e pamë, ai e quante Shqipërinë sa herë si dheun e tij dhe popullin shqiptar si popullin e vet.

Si i tillë për nga vlerat e gjithanshme që paraqet, “Kuvendit të Arbënit të vitit 1703″, i takon padyshim një vend i rëndësishëm në historinë e kombit tonë si një ngjarje e veçantë historike, e cila përbënte për të, - në periudhën ndoshta më të errët të tij, - një moment shprese dhe kthimi përkah ringjallja e vetëdijes shpirtërore e nacionale. Shpresoj të mos e kem tepruar, por të gjej mbështetje nga studiuesit dhe studiues të kulturës, nëse shprehem këtu se: - ai qe hapi i parë drejt Rilindjes Kombëtare.
________
Shënime bibliografike
1. Mons. Zef Gashi, Kuvendi i Arbënit 1703, Prishtinë 2003/ Fjalë paraprake, fq. VII - VIII.
2. Arch. Parrochiale di Perasto, Libro dei balttezzati, Vëll. I, fleta 319 (olim fq. 25), n. 43./ cit. sipas P. Vinçenc Malaj; Kuvendi i Arbënit 1703, Instituti i Filozofisë dhe Sociologjisë, Prishtinë 1998, fq. 43 - 44.
3. Bassich, Notizie della vita e degli scritti di tre illustri Perastini, Ragusa 1833, fq. 2 - 3 / cit. sipas P.V. Malaj. Vep. Cit., fq. 44.
4. P. V. Malaj, Vep. cit., fq 44.
5. A. Bassich, Notizie, fq. 4; P. Butorac, Zmajevici (Ogledi), Ekst. Nga Hrvatska Prosvjeta, Zagreb 1928, fq 16. Mbi jetën dhe veprimtarinë e arqipeshkvit V. Zmajeviq, shih edhe P. Bartl, Erzbischaf Vinzenz Zmajevic als “visitator Apostolicus albaniae”, në SH. P, L, Roma 1972, fq. 205 - 224 /cit. P. V. Malaj, Vep. Cit., fq. 44.
6. D. Farlati, Illyricum Sacrum, Tom. VII, fq. 140 - 141; EUBEL - RITZER - SEFRIN, Hierarchia catholica, Vell. V, fq 88/ cit, P. V. Malaj, Vep. Cit., fq. 45.
7. D. Farlati. Illyricum Sacrum… fq. 141 e në vazhdim. / cit. P. V. Malaj, Vep. Cit, po aty.
8. F. M. Appendini, Memorie spettanti ad alcuni uomini illustri di Cattaro, Ragusa, Martecchini, 1811, fq. 53 / cit, P. V. Malaj, Vep. Cit., fq. 48
9. P. V. Malaj, Vep. Cit., fq. 48.
10. P. Butorac, Zmajeviæ, fq. 24 /cit. P. V. Malaj, Vep. Cit. fq, 51
11. P. V. Malaj, Vep. Cit. fq. 51 - 52
12. Ark. Sek., Fondi Albani, Vëll. 222, T. III e në vazhdim. / cit. P. V. Malaj, Vep. Cit., fq. 52
13. Kuvendi i Arbënit 1703, Prishtinë 2003, Letra e V. Zmajeviqit dërguar Papës me 10 korrik 1703, fq. 378.
14. Mons. V. Zmajeviq, Letra…, Vep. Cit., fq. 377 - 378
15. Po aty, fq. 380
16. Po aty, fq. 380 - 381
17. Mons. Zef Gashi, Kuvendi i Arbënit 1703, / Fjalë paraprake, fq. VII.
18. Kuvendi i Arbënit 1703, Prishtinë 2003, fq. 383
19. Mons. Zef Gashi. Kuvendi i Arbënit 1703, / Fjalë…, fq. XIII
20. P. V. Malaj, Vep. Cit., fq. 98
21. Kuvendi i Arbënit 1703, Prishtinë 2003, fq. 253
22. Po aty, fq. 375

11 shtator 2018, 09:52