Papa Françesku dhe imzot Paul Gallagher Papa Françesku dhe imzot Paul Gallagher 

Imzot Gallagher: të drejtat e njeriut, ekonomia, paqja e natyra janë të lidhura

Për 70-vjetorin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, më 10 shtator, sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet foli në simpoziumin e organizuar në Strasburg nga Misioni i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Këshillin e Evropës, mbi “Zhvillimin e gjithanshëm njerëzor dhe universalitetin e të drejtave në një kuadër shumëpalësh”.

R.SH. - Vatikan

“Për Selinë e Shenjtë, 70-vjetori i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut është rast për të ripohuar impenjimin në shërbim të njeriut, në një kuadër ku trashëgimia e çmuar e të drejtave të njeriut vihet seriozisht në diskutim, si në teori, ashtu edhe në praktikë”. U nis nga ky konstatim sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Gallagher, gjatë fjalës së tij, në simpoziumin e organizuar në Strasburg nga Misioni i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Këshillin e Evropës, mbi “Zhvillimin e gjithanshëm njerëzor dhe universalitetin e të drejtave në një kuadër shumëpalësh”.

Mungesa e përfshirjes sfidon universalitetin e të drejtave

         Analizoi tri sfida kryesore, që minojnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut: “një model zhvillimi shoqëror, që nuk i përfshin mjaftueshëm të gjithë; problemet, që lidhen me pluralizmin kulturor në rritje: dhunimin e rëndë të të drejtave të njeriut” në botë. Për shkak të këtyre faktorëve, shoqëritë perëndimore, pohoi prelati, kanë hyrë në krizë e nuk arrijnë të zbatojnë si duhet të drejtat shoqërore të individit. Edhe në nivelin global, popullsi të tëra jetojnë në mjerim. Modelet e zhvillimit ekonomik pa demokraci e pa të drejta, ose modelet shoqërore të bazuara mbi pohimin e lirive individuale pa drejtësi shoqërore, vënë në rrezik mbrojtjen e të drejtave universale: kjo, teza e imzot Gallagher.

Përgjigjja është zhvillimi njerëzor i gjithanshëm

         Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet përvijoi edhe zgjidhjet për këto probleme. Në vetë Deklaratën Universale, pohohet se të drejtat “politike e civile” duhet të plotësohen njëkohësisht me ato “ekonomike, shoqërore e kulturore”. Këto dy kategori nuk mund të ekzitojnë pa njëra-tjetrën. Është fjala pra, për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, për të cilin flet shpesh Papa Françesku. Duhen promovuar liritë themelore të çdo njeriu pa e ndarë këtë impenjim nga puna për të ndërtuar një shoqëri të drejtë.

Liria fetare dhe neutraliteti i shtetit

         Përsa i përket dëshirës për afirmim të kulturave të ndryshme, gjë që sjell pluralizëm kulturor, por edhe ndeshje ndërmjet kulturave, imzot Gallagher nënvizoi se baza për të siguruar respektin e ndërsjelltë dhe barazinë e vërtetë në një shoqëri pluraliste është afirmimi i lirisë së fesë. Pikërisht kjo e drejtë përbën bërthamën e dinjitetit transhendetal të njeriut. Themelor në këtë drejtim është edhe “neutraliteti mirëdashës i shtetit”, i cili duhet të shërbejë si ndërmjetës për njohjen e të drejtave dhe të hapësirave të secilës prej kulturave të pranishme në shoqëri.

Vëllazërimi, kusht i nevojshëm për të drejtat

         Imzot Gallagher nënvizoi se respektimi i të drejtave të njeriut është kusht i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm për mirëqënien e njerëzimit e për paqen. Deklarata Universale e të drejtave të njeriut, në nenin e parë, paraqet konceptin e “vëllazërimit” ndërmjet njerëzve. Për imzot Gallagher, kjo është pikë bazë, pasi tregon se të drejtat e njërit varen nga të drejtat e tjetrit. Pra, zhvillimi, paqja, solidariteti, mbrojtja e ambientit, të drejtat e njeriut: gjithçka është e lidhur, nënvizoi prelati vatikanas, duke cituar enciklikën “Lëvduar qofsh” të Papës Françesku. Imzot Gallagher foli të hënën, më 10 shtator, por konferenca e mbajtur në Strasburg, bën pjesë në një sërë nismash të Selisë së Shenjtë për 70-vjetorin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Ato do të arrijnë kulmin në Konferencën Ndërkombëtare, që do të mbahet në Vatikan në muajin e dhjetorit, organizuar nga Dikasteri për Zhvillimin e gjithanshëm njerëzor.

12 shtator 2018, 15:08