Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Papa francesco e Mons Paul Richard Gallagher Papa francesco e Mons Paul Richard Gallagher  (Vatican Media)

Imzot Gallagher: angazhimi fortë i Selisë së Shenjtë kundër dënimit me vdekje

Zbatimi i dënimit me vdekje nuk është i pranueshëm kur kemi mjete të tjera me të cilat autoritetet e ligjshme mund të garantojnë sigurinë dhe të mirën e përbashkët. Kështu pohoi, dje në Nju Jork, Sekretari i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet.

R.Sh. - Vatikan

Selia e Shenjtë vazhdon të bashkojë zërin e saj me atë të një numri gjithnjë në rritje të Shteteve për të kërkuar heqjen universale të dënimit me vdekje. Kështu ripohoi, dje në New York, Kryeipeshkvi  imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe kreu i delegacionit të Selisë së Shenjtë në Asamblenë e 73-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Kryeipeshkvi foli në takimin e nivelit të lartë mbi temën: "Dënimi me vdekje: Varfëria dhe e drejta e përfaqësimit ligjor".

Dinjiteti i njeriut dhe roli i autoriteteve

Në deklaratën e tij, Imzot Gallagher kujtoi se si gjatë shekullit të fundit Selia e Shenjtë ka kërkuar gjithmonë heqjen e dënimit me vdekje dhe se si "në dekadat e fundit, ky pozicion është artikuluar në mënyrë më të qartë”. Kjo për arsye se refuzimi i dënimit kapital "është inkuadruar në kontekstin e duhur etik të mbrojtjes së dinjitetit të pacenueshëm të njeriut dhe të afirmimit të rolit që ka autoriteti legjitim për të mbrojtur të mirën e përbashkët të shoqërisë në mënyrë të drejtë”.

Përdorimi i dënimit me vdekje nuk justifikohet

Është qartë, pohoi kryeipeshkvi, se tani mjetet që ofrojnë sistemet gjyqësore penal në shumicën e shteteve, siç pati vënë në dukje Papa Gjon Pali II në dokumentin “Evangelium Vitae ", janë të mjaftueshme për të mbrojtur jetën e njeriut kundër një agresori, për të mbrojtur rendin publik dhe sigurinë e njerëzve", pa iu drejtuar ligjit për përdorimin e dënimit me vdekje. Mjete të tilla, madje "korrespondojnë më mirë me kushtet konkrete të së mirës së përbashkët dhe përkojnë më mirë me dinjitetin e njeriut ".

Rreziqet e përdorimit të dënimit me vdekje

Primati i jetës njerëzore dhe dinjiteti i njeriut, vazhdoi Imzot Gallagher, u ripohuan edhe nga Papa Françesku, i cili i tregoi ato duhet të jenë si parime udhëzuese për veprimin legjislativ dhe gjyqësor të autoriteteve shtetërore. Përveç kësaj, Ati i Shenjtë Françesku tërhoqi vëmendjen ndaj "mundësisë së gabimit gjyqësor dhe përdorimit të dënimin me vdekje nga regjimet totalitare dhe diktatoriale (...) si një mjet për t’i shtypur disidentët politik ose për të përndjekur pakicat fetare dhe kulturore".

Versioni i përditësuar i Katekizmit të Kishës Katolike

Dy shtyllat mbi të cilat Selia e Shenjtë e ka zhvilluar pozicionin e saj, respekti për dinjitetin e çdo njeriu dhe për të mirën e përbashkët, tha Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, janë pikërisht ato që nxjerr në pah versioni ri i Katekizmit të Kishës katolike mbi këtë çështje ku thuhet se "dënimi me vdekje është i papranueshëm sepse është një sulm mbi pacenueshmërinë e dinjitetit të njeriut".

Një akt besimi ndaj njerëzimit

Imzot Gallagher e përfundoi fjalën e tij në Asamblenë e 73.të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork, duke ripohuar se "anulimi universal i dënimit me vdekje do të ishte një riafirmim i guximshëm i besimit që njerëzimi mund të ballafaqohet me sukses me krimin", pa u dëshpëruar, para veprave të këqija dhe duke u ofruar atyre që kryejnë krime, edhe mundësinë për të ndryshuar veten.

26 shtator 2018, 16:16